Në vizitën e tij të parë në Kosovë, Zëvendës ndihmës Sekretari Amerikan i Mbrojtjes për Politikat Evropiane dhe ato të NATO-s, David Baker, ka takuar zyrtarë të lartë të vendit, përfshirë presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Fillimisht, zyrtari i lartë amerikan u takua me presidenten Osmani. Pas takimit, presidentja deklaroi se Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara në fushën e mbrojtjes.
“Kur Amerika qëndron përkrah nesh, Kosova është më e fortë, më e sigurt dhe më e zhvilluar. Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara në fushën e mbrojtjes, përfshirë edhe në industrinë e mbrojtjes, si një mundësi me përfitime të ndërsjella për të dyja shtetet. Anëtarësimi i Kosovës në NATO është një objektiv strategjik dhe mbështetja e SHBA-ve në këtë proces është jetike,” tha Osmani.
Pas takimit me presidenten, të shtunën Baker u takua edhe me ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili njoftoi se në takim u konfirmua partneriteti mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
“Konfirmuam partneritetin mes dy vendeve tona dhe theksova angazhimin tonë për ta forcuar edhe më tej këtë bashkëpunim. Me Shtetet e Bashkuara si partnerin tonë të besueshëm, Kosova gëzon një siguri të shtuar dhe luan një rol të rëndësishëm në promovimin e paqes dhe stabilitetit, si në nivel rajonal ashtu edhe në atë global. Ne jemi të përkushtuar për të avancuar këtë partneritet në nivele edhe më të larta!” shkroi Maqedonci në Facebook.
Në mbrëmjen e së shtunës, Baker u prit në darkë nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, i cili njoftoi se gjatë takimit diskutuan për raportet bilaterale dhe bashkëpunimin që tashmë kanë dhe që do ta zhvillojnë më tej, veçanërisht në fushën e mbrojtjes.
“Duke qenë gjithmonë mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Republikës dhe popullit tonë, angazhohemi çdo ditë për miqësi edhe më të thellë, partneritet edhe më të gjerë dhe aleancë edhe më të fortë,” shkroi Kurti në rrjetin e tij social Facebook.
Gecaj: Prania e zyrtarit amerikan në Kosovë, përgjigje ndaj përpjekjeve destabilizuese të Serbisë
Këtë vizitë, eksperti i sigurisë, Hyseni Gecaj, në një prononcim për “Bota sot” e ka quajtur një sinjal i qartë i mbështetjes strategjike të vazhdueshme të SHBA-së për Kosovën.
“Vizita e zëvendës-ndihmës Sekretarit amerikan të Mbrojtjes për Politikat Evropiane dhe të NATO-s, z. David Baker, në Kosovë dhe takimet me presidenten Vjosa Osmani dhe ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, paraqet një sinjal të qartë dhe të fuqishëm të mbështetjes së vazhdueshme strategjike të Shteteve të Bashkuara për Kosovën”, ka thënë ai.
Po ashtu, Gecaj ka theksuar se kjo vizitë vjen në një kohë kur Serbia po përpiqet të destabilizojë situatën në veri.
“Kjo vizitë vjen në një kohë kur Serbia po intensifikon përpjekjet e saj për destabilizim të brendshëm dhe për tensionim të qëllimshëm të situatës në veri të vendit tonë. Në këtë kontekst, prania e një zyrtari të lartë amerikan në Kosovë jo vetëm që forcon lidhjet dypalëshe në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, por edhe dërgon një mesazh të qartë për aleatët dhe kundërshtarët e Kosovës: se Kosova nuk është e vetme”, ka potencuar ai.
Gecaj e ka cilësuar partneritetin me SHBA-në si strategjik, me ndikim në paqen dhe sigurinë në gjithë Ballkanin Perëndimor.
“Mbështetja e SHBA-së është jetike për sigurinë, stabilitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë. Ajo përfaqëson një garanci politike, ushtarake dhe ndërkombëtare në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në NATO dhe strukturat tjera euroatlantike. Marrëdhëniet me SHBA-në nuk janë vetëm aleanca politike, por një partneritet strategjik që i kontribuon paqes dhe sigurisë në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka vlerësuar Gecaj.
Elezi: Mbështetja e SHBA-së thelbësore për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës
Ndërkaq, eksperti tjetër i sigurisë, Elezi ka theksuar se është një hap i rëndësishëm për forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, veçanërisht në fushën e sigurisë.
“Takimi i zhvilluar mes Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, dhe Ministrit në detyrë të Mbrojtjes, z. Ejup Maqedonci, me Zëvendës-ndihmës Sekretarin amerikan të Mbrojtjes për Politikat Evropiane dhe ato të NATO-s, z. David Baker, paraqet një hap të rëndësishëm në thellimin e partneritetit strategjik, e posaçerisht në fushën e sigurisë në mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë ai.
Më tej, Elezi ka theksuar se angazhimi i lartë i SHBA-ve në Kosovë është një sinjal i qartë i mbështetjes së vazhdueshme për sigurinë dhe stabilitetin e vendit, veçanërisht përballë përpjekjeve destabilizuese nga Serbia.
“Ky angazhim i nivelit të lartë të SHBA-ve në Kosovë, është një sinjal i qartë për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA-t kanë ndaj sigurisë dhe stabilitetit të Kosovës, veçanërisht në një periudhë kur përpjekjet destabilizuese nga Serbia mbeten një sfidë serioze për paqen në rajon. Për Kosovën, kjo mbështetje përbën jo vetëm një garanci për forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse dhe bashkëpunimit të ngushtë me NATO-n, por edhe një mekanizëm parandalues ndaj çdo veprimi që cenon sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan”, ka potencuar ai.
Sipas tij, takimi konfirmon përkushtimin e përbashkët për avancimin e politikave të sigurisë dhe ruajtjen e paqes e stabilitetit në rajon.
“Duhet theksuar faktin se edhe ky takim konfirmon vazhdimësinë e përkushtimit të përbashkët për të avancuar politikat e sigurisë dhe për të siguruar që Kosova dhe rajoni të mbeten në rrugën e paqes, stabilitetit dhe integrimit euroatlantik. Ne e konsiderojmë mbështetjen e SHBA-së si themel të arkitekturës së sigurisë në Ballkan dhe si element kyç për përballimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë”, ka vlerësuar ai.
Në fund, Elezi ka theksuar përkushtimin e Kosovës për të bashkëpunuar ngushtë me SHBA-në dhe NATO-n.
“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për të punuar ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, për të siguruar një ambient të qëndrueshëm, të parashikueshëm dhe të sigurt për të gjithë qytetarët tanë dhe për rajonin më gjerë”, ka përfunduar Elezi.