Forca e Sigurisë së Kosovës është furnizuar me autoblinda të reja, të cilat janë blerë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njoftuan autoritetet përkatëse.
Ky furnizim vjen si pjesë e përpjekjeve për të modernizuar dhe fuqizuar kapacitetet operacionale të Forcës së Sigurisë, duke e bërë atë më të gatshme për të përballuar sfidat e sigurisë në vend.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, theksoi se ky hap është dëshmi e qartë e partneritetit të palëkundur mes Kosovës dhe SHBA-së.
Ai nënvizoi gjithashtu se ky investim nuk është vetëm një përforcim simbolik, por një hap i rëndësishëm për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe për sigurinë e qytetarëve të vendit.
Sipas Kurtit, autoblindat e reja do të përmirësojnë reagimin e Forcës së Sigurisë në situata të ndryshme, duke i dhënë forcës më shumë fleksibilitet dhe siguri gjatë operacioneve.
“Ushtria jonë do të vazhdojë të zhvillohet krahë për krahë me partnerin tonë strategjik, si në aspektin e trajnimeve, ashtu edhe në atë të shkollimit dhe doktrinës e cila është e bazuar në atë të ushtrisë së SHBA-së”.
Kurse, edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka mirëpritur avancimin “dinamik të FSK-së”.
“Ky angazhim për transformimin në një Forcë të fuqishme dhe profesionale nuk do të ishte i mundur pa mbështetje nga një partner strategjik dhe i pazëvendësueshëm — Shtetet e Bashkuara të Amerikës, miku ynë i përjetshëm”, tha Maqedonci.
Derisa, sot Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njoftuar se ia kanë transferuar 50 autoblinda Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara kanë kënaqësinë të transferojnë 50 Autoblinda (ASV) për Qeverinë e Kosovës në kuadër të Programit për Pajisje të Mbetura të Mbrojtjes (Excess Defense Articles Program)”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane.
Mustafa: Ky hap tregon se Kosova po fuqizon kapacitetet e saj mbrojtëse, merr përgjegjësi për sigurinë kombëtare dhe kontribuon për stabilitetin rajonal
Ish-komandanti i UÇK-së, Rrustem Mustafa, në një prononcim prë “Bota sot”, thekson se SHBA ka qenë mbështetësi kryesor i çlirimit dhe ndërtimit të ushtrisë së Kosovës.
Ai nënvizon se furnizimi me mjete moderne ushtarake tregon besimin amerikan ndaj Forcës së Sigurisë, fuqizon kapacitetet mbrojtëse të vendit dhe forcon partneritetin strategjik Kosovë–SHBA.
“SHBA ka qenë ndihmuesi dhe kontribuesi kryesor në çlirimin e Kosovës dhe projekti i pavarësisë është i përbashkët shqiptaro-amerikan. Ushtria jonë është ndërtuar dhe trajnuar me mbështetjen e tyre, dhe sot furnizimi me mjete moderne ushtarake është dëshmi e besimit që SHBA ka ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ky hap tregon se Kosova po fuqizon kapacitetet e saj mbrojtëse, merr përgjegjësi për sigurinë kombëtare dhe kontribuon për stabilitetin rajonal. Marrëveshja forcon partneritetin strategjik mes dy vendeve dhe tregon se Kosova është një partner i besueshëm i aleatëve. Jemi me fat që kemi aleancë të tillë me SHBA”, përfundon ai.
Dashevci: Kosova po i kompleton kapacitetet mbrojtëse kundrejt çdo reziku që mund të na kanoset në aspekt sigurie
Kurse, eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, thotë se se furnizimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës me autoblinda tregon përmbushjen e kapaciteteve operacionale, aspiratën për anëtarësim në NATO dhe përforcimin e bashkëpunimit ushtarak me SHBA-në dhe aleatët e NATO-s.
“Forca e Sigurisë së Kosovës(FSK) është furnizuar me autoblindat e radhës sipas marëveshjeve paraprake që ka me aleatin e përjetshëm SHBA-të dhe partnerët strategjikë nga NATO dhe është vazhdë e suksesit sepse Ushtria e Kosovës po i plotëson me hapa të shpejtë kapacitetet e sa operacionale, pra po i kompleton ato ashtu siç i takon çdo ushtrie demokratike.
Ky është mesazh i qartë dhe domethënës që Kosova po dërgon me këtë blerje të radhës, sepse aspiratat tona si shtet mendoj unë janë anëtarësimi në NATO dhe blerjet e fundit janë hapi i radhës.
Tjetër mesazh i rëndësishëm është se Kosova po i kompleton kapacitetet mbrojtëse kundrejt çdo reziku që mund të na kanoset në aspekt sigurie.
Unë mendoj që kjo marrëveshje vetëm e forcon edhe më shumë ose e përforcon bashkëpunimin ushtarak mes Kosovës dhe SHBA-së por edhe aleatëve në NATO” – përmbylli Dashevci për gazetën “Bota sot”.