Kaos politik, vendi drejt dy palë zgjedhjeve?

Politika

Kaos politik, vendi drejt dy palë zgjedhjeve?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 23 gusht 2025 Në ora: 16:06
Kuvendi i Kosovës

Albulena Haxhiu, Donika Gërvalla e Hekuran Murati, janë emra që nuk kanë arritur t’i sigurojnë votat për në krye të Kuvendit, kjo pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila obligoi Kuvendin që brenda afatit 30- ditësh të zgjedhë kryeparalementarin e ri përmes votimit të hapur, duke e hedhur në votim të njëjtin kandidat jo më shumë se tri herë.

Emrat e propozuar nga partia fituese, sipas opozitës, po përdoren për ta zvarritur procesin, madje kur u propozua Donika Gërvalla një pjesë e tyre edhe qeshnin.

Partia Demokratike e Kosovës insiston që në krye të kuvendit të jetë një person që nuk ka qenë pjesë e qeverisë, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se pa marrëveshje politike nuk do ta votojnë asnjë kandidat.

Nisma për Kosovën e cila kishte pasur disa takime me partinë fituese, por pa rezultate, vazhdon të abstenojë, ndërsa asaj në votim të fundit për Hekuran Muratin iu bashkangjit edhe Aleanca Kosova e Re.

Gjersa, seanca e radhës do të mbahet më 24 gusht, afati 30 ditësh është duke ecur dhe bashkë me të edhe mundësia që të mbahen dy palë zgjedhje.

Qëndrimi i AKR-së

Kurse, Aleanca Kosova e Re thotë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk i ka numrat për ta bërë qeverinë.

Image
Vesel Makolli

Vesel Makolli, sekretar i kësaj partie në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se Kurti nuk do të bëjë konsesione të dhimbshme me askënd dhe zgjedhjet e reja i sheh si zgjidhje.

“Pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese dhe sugjerimeve të dhëna nga ambasadorët e fuqive të mëdha që e kanë çliruar Kosovën, në veçanti këshillat e ambasadës së SHBA-ve, VV po vazhdon me avazin e vjetër, duke propozuar kandidatë për Kryetar të Kuvendit, pa arritur marrëveshje (kompromis) për sigurimin e mbështetjes së nevojshme me asnjë subjekt tjetër partiak, gjë që vendimi i fundit i Kushtetutës e potencon si obligim për partinë fituese. Ky veprim i VV, gjegjësisht i Kryeministrit në detyrë, z. Albin Kurti, tregon se ai nuk i ka numrat për ta bërë qeverinë, andaj me propozimet e tij, që e di paraprakisht që nuk do të votohen, po e bllokon konstituimin e institucioneve të shtetit, për interesa të tij personale dhe partiake. Me asnjë kusht ai nuk do të bëjë koncesione të dhimbshme me askënd, dhe zgjidhjen e këtij ngërçi politik, e sheh vetëm me zgjedhje të reja të jashtëzakonshme. Ai, paralel me veprimet që po i bën me prolongimin e ngërçit politik dhe me aktivitetet për zgjedhjet lokale, po bën veprime populiste folklorike, për t’i shfrytëzuar në fushat zgjedhore për ruajtjen e masës së tij votuese, çka vërtetohet me vendimin e djeshëm të anëtarëve të VV në KQZ”, shprehet Makolli.

Ai thotë se zgjedhjet lokale nuk mund të mbahen të njëjtën kohë më zgjedhjet e reja parlamentare, gjersa shton se duhet marrëveshje për të dalë nga kriza.

“Duke e marrë parasysh afatin e paraparë të Kushtetutës për konstituimin e Kuvendit Republikan, nuk ka mundësi kohore për t’u organizuar zgjedhjet e jashtëzakonshme në të njëjtën datë me ato lokale. Si zgjidhje, po të kishte mundësi ligjore, do të mund të organizoheshin pa problem, mirëpo nëse e analizojmë anën tjetër të medaljes, ky ngërç politik është shumë i dëmshëm, me pasoja të pariparueshme për vendin, dhe nëse Kurti vazhdon me kokëfortësinë e tij, do ta rrezikojë pavarësinë dhe sovranitetin e shtetit.

Për të gjithë ata që pa ekuivokë e kanë interesin e përgjithshëm dhe shtetëror para inateve meskine dhe para interesave dhe lakmive personale, klanore e partiake, vendimi i Gjykatës Kushtetuese është konform legjislaturës së Republikës dhe shumë i qartë dhe balancues, dhe të njëjtit duhet të bëjnë marrëveshje për të dalë nga kriza, duke kontribuar me koncesione në të mirë të Republikës. Në zgjedhjet e ardhshme eventuale, elektorati kosovar duhet t’i analizojë mirë të gjitha subjektet politike, në veçanti veprimet e tyre, dhe të votojë për programet të cilat premtojnë në rrafshin e brendshëm zhvillim ekonomik dhe prosperitet, kurse në rrafshin ndërkombëtar, shtyrjen e proceseve përpara për finalizimin e shtetësisë së Kosovës, heqjen e menjëhershme të sanksioneve nga BE dhe ngritjen e rejtingut të Kosovës në arenën politike ndërkombëtare”, shton Makolli.

Zgjedhje të reja zgjidhje

Sipas Gjykatës Kushtetuese, deputetët kanë afat deri më 18 shtator të zgjedhin kryeparlamentarin dhe nënkryetarët, ndërsa analisti politik Gani Qarri, thotë se kthimi i çështjes te sovrani, duke shkuar në zgjedhje të reja është e vetmja mënyrë për të dalë nga kaosi.

Sipas tij, opozita deklaronte se po të ndryshohet kandidati do të votonte pro, por sërish vazhdoi lojën dhe voton kundër.

Image
Gani Qarri

“Përsëritja e veprimeve të orkestruara të opozitës së inkriminuar, edhe në seancën e 20 gushtit, dëshmon përfundimisht se politika kundërthënëse kosovare, tani dhe as për periudhë të shkurtër kohore, nuk është në gjendje të arrij marrëveshje ndërpartiake që ta zgjidhë ngërçin e krijuar tash e mbi 4 muaj në Kosovë, ndaj e vetmja mënyrë për të dalë nga kaosi i krijuar , është kthimi i çështjes te sovrani, duke shkuar sa më parë në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme, ku qytetarët me votën e tyre të lirë, në "mejdanin demokratik" do ta ndanin "drejtësinë" si me shpat , duke votuar jo për ata që përsëri synojnë të kthehen me të ashtuquajturën “listë serbe” në pushtet, por për ata që kanë dëshmuar në vepër se vërtetë e duan fort dhe punojnë me gjithë zemër për Kosovën. Ata që njëmend i kanë dhënë kuptim Pavarësisë duke çliruar vërtetë në TËRËSI vendin tonë nga Serbia, pra duke çliruar edhe veriun dhe rivendosur lirinë edhe në këtë pjesë jetike të Republikës së Kosovës, ata që kanë shtrirë në plotëni sovranitetin shtetëror në gjithë territorin e vendit tonë dhe nuk kanë bërë pazare me kriminelët e terroristët serb, ata që për herë të parë pas dy dekadash kaosi e krimi të organizuar, kanë guxuar ti ndalojnë organizatat terroriste të Millan Radojçiqit & Co, kanë dëbuar të gjithë terroristët serb të sponsorizuar nga Serbia dhe Aleksandër Vuçiqi në Serbi, si dhe kanë rivendosur përfundimisht rendin e ligjin, cep më cep dhe shtrirë shtetësinë e plotë në gjithë territorin kushtetues të Republikës së Kosovës”.

“Vet fakti se me një opozitë oportune që shihet qartë se është në shërbim të grupeve ordinere dhe fuqive destruktive të cilat nuk ia duan të mirën Kosovës, e që ka dalë hapur edhe kundër zgjidhjes së ngërçit dhe tash e mbi 4 muaj, mbanë të bllokuar krijimin e institucioneve legjitime të Kosovës, dëshmon se sa i pamundur është kompromisi, gjë që u pa edhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e kuvendit, të mërkurën kur edhe u mbajt seanca e parë, por opozita serish vazhdoi lojën me muzikën e saj të vjetër dhe megjithëse shumica dërmuese e deputetëve ishin të pranishëm, përbënin kuorumin e mjaftueshëm dhe seanca me të gjitha procedurat u zhvillua në përputhje me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, duke praktikuar votimin e hapur, si dhe ndryshuar edhe kandidaten, pas votimit të parë, për kryetare të Kuvendit, opozita përkundër premtimeve paushallë, se po u ndryshua kandidati, do të votojë pro, ajo pa fije turpi, serish votoi kundër të tre kandidateve, duke dëshmuar tanimë plotësisht se është kundër konstituimit të Kuvendit, kundër krijimit të institucioneve legjitime të shtetit, shkaku i mungesës së të cilave janë bllokuar gati 1 miliard euro të BE-së për Kosovën, akt që flet hapur se kjo opozitë është edhe kundër mirëqenies së qytetarëve të Kosovës”, deklaron Qarri.

Ai opozitën e konsideron të dyshimtë, gjersa shton se me bllokadën e institucioneve po vazhdohet dëmtimi i mirëqenies së qytetarëve.

“Një opozitë fort e dyshimtë për veprimet e saj politike, e cila të gjitha qeveritë arriti ti krijonte vetëm me pjesëmarrjen e dorës së zgjatur të Serbisë në Kosovë, të ashtuquajturës "listë serbe" dhe mbështetjen e miratimin direkt të Aleksandër Vuçiqit nga Beogradi, e cila shihet hapur se as sot, nuk po arrijnë të shkëputet nga lidhjet me të ashtuquajturën "listë serbe" dhe Aleksandër Vuçiqin, andaj duke qenë se me ardhjen e Albin Kurtit në krye të Qeverisë së vendit, u shtri shtetësia e Kosovës edhe në veri, ku pas mese 23 vitesh, nga çlirimi, u vendos rendi, ligji e sovraniteti i plotë shtetëror dhe Vuçiqi e bandat kriminale të tij, humbën çdo lloj pushteti mbi këtë pjesë jetike të territorit të Republikës së Kosovës edhe opozita humbi interesat e majme ekonomike që gëzonte në kooketim me bandat kriminale serbe të Aleksandër Vuçiqit, edhe në kohën kur vet serbët në Serbi ia kanë kthyer shpinën dhe janë ngritur në protesta masive për rrëzimin e kriminelit Vuçiqit nga pushteti mbi 25 vjeçar, atij po i vije në ndihmë me besnikëri të palëkundur opozita në Kosovë, e cila me bllokadën e orkestruar rreth 4 mujore edhe mbi 6 muaj pas zgjedhjeve parlamentare, përveçse po vazhdon ta dëmtojë rëndë mirëqenien e qytetarëve, ajo qëllimisht po kërcënon edhe sigurinë sociale në vend me qëllim të shkaktimit të trazirave politike në Kosovë, me shpresën se vetëm në këtë mënyrë, edhe pa fitimin e zgjedhjeve, do të arrijë të rikthehet në pushtet”, pohon analisti.

Qarri vazhdon të thotë se zgjedhjet janë zgjidhje, gjersa shprehet i bindur që populli ka marrë mësim nga bllokada opozitare.

“Me qëndrime të tilla bizare, dhe misionet smirëzeza për realizimin e marrëveshjeve Thaçi & Vuçiq, rikthimin e bandave serbe, ndarjen përfundimtare të Kosovës, dhe faljen e veriut të vendit tonë, Serbisë fashiste, opozita tanimë po shihet publikisht, se për jetësimin e tyre, nuk heziton ta rrezikojë edhe shtetin e Kosovës dhe pushtetin të cilin nuk arriti ta merrte në zgjedhje me votën e lirë të qytetarëve, po përpiqet ta grabisë me inskenime perfide në tavolinë dhe metodat më meskine e orkestrimet e llojeve më të ulëta, duke vënë në rrezik edhe shtetin tonë të brishtë. Krejt kjo dëshmon hapur, se politika kundërthënëse kosovare, tani as në periudhë të shkurtër kohore, nuk do të mund të arrij marrëveshje ndërpartiake as ta zgjidhë ngërçin e krijuar tash e mbi 4 muaj në Kosovë, ndaj e vetmja rrugë shpresëdhënëse për të dalë nga kaosi i krijuar, është kthimi i çështjes te sovrani, duke shkuar sa më parë në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme, ku qytetarët me votën e tyre të lirë, në "mejdanin" demokratik, do ta ndanin më së miri "drejtësinë", duke votuar për ata që kanë dëshmuar në vepër se e duan me gjithë zemër Kosovën, jo ata që po e mbajnë konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e institucioneve legjitime të shtetit, tash e mbi 4 muaj nën bllokadë”.

“Populli, jam i bindur se ka marrë mësim të madh nga bllokada opozitare e shtetit të Kosovës dhe pa asnjë mëdyshje do të votojë për këta që i dhanë kuptim edhe pavarësisë së shtetit tonë, duke vendosur sovranitetin e plotë shtetëror në gjithë hapësirën kushtetuese të Republikës së Kosovës, këta që ndaluan organizatat terroriste serbe, dëbuan të gjithë terroristët serb të sponsorizuar nga Serbia dhe Aleksandër Vuçiqi në Serbi, si dhe rivendosën përfundimisht rendin e ligjin, ku sot edhe në veri, njëjtë si në të gjithë Kosovën, frymohet e jetohet lirshëm dhe pa barrikada apo pengesa tjera meskine të bandave kriminale serbe, të sponsorizuar nga Serbia dhe të lejuara nga opozita e inkriminuar e cila prijësit e bandave serbe i priste në zyrat e shtetit në Prishtinë dhe për më tepër se një dekadë bënte edhe punë të përbashkëta me bandat kriminale serbe në veri, duke lënë mbi 17 % të territorit të Kosovës nën sundimin e tyre, për përfitimet të veta të dyshimta jo vetëm monetare. Prandaj pasi që vendi ka ardhur në këtë gjendje të "pa-rrugëdalje", nuk besojë se ka arsye të zgjatet më tej kjo maskaradë e partive me inskenimet e deputetëve cirkusantë dhe duke njohur lojërat meskine të opozitës, nuk është më, fare me rëndësi saga e personave, ndryshimi i kandidatëve apo propozimi i emrave të ndryshëm, ngase produkti i fundit, ashtu siç jemi mësuar ta shohim tash e mbi 4 muaj me radhë, serish do të jetë dështimi, e duke qenë se edhe ashtu vendi po shkon drejt zgjedhjeve te reja, megjithëse me vendimin e fundit të kushtetueses, afati i tetorit kur do te mbahen edhe zgjedhjet lokale, bie si mundësi për mbajtjen e zgjedhje te dyfishta, gjithsesi zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare duhet të organizohen, sa më parë dhe në kohë sa më optimale, ngase pas gjithë maskaradës së orkestruar nga opozita, qytetarët do të reflektojnë thellë dhe do të votojnë në atë mënyrë që vota e tyre të mos prodhojë edhe njëherë të njëjtën situatë, madje sidomos partitë minore, me kërkesa shumë më të mëdha se vetvetja, si AAK, apo e ashtuquajtura "Nisma", besojë se do të përshëndeten përfundimisht nga politika dhe ikin në arkivat e politikës, ku do të rreshtohen në historinë e partive të dështuara moralisht, politikisht dhe gjithanshëm”, përfundon Qarri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat