Adem Salihaj: Amendamenti për Kosovën në NATO, hap gjigant për siguri dhe integrim ushtarak

Politika

Adem Salihaj: Amendamenti për Kosovën në NATO, hap gjigant për siguri dhe integrim ushtarak

Nga: A.SH Më: 20 shtator 2025 Në ora: 22:34
Adem Salihaj

Kongresisti republikan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Brian Mast, ka paraqitur një amendament në Kongres që synon të vendosë anëtarësimin e Kosovës në NATO si një nga prioritetet kryesore të politikës amerikane në Ballkan.

“Ndihmës Sekretari për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike do të zhvillojë një strategji për të rivendosur stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, e cila do t’i japë përparësi caktimit të ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara në vendet e Ballkanit, duke përfshirë qeveritë e Malit të Zi, Kosovës dhe Bosnjës dhe Hercegovinës; do të përfshijë rekomandime politike në lidhje me mënyrën se si Shtetet e Bashkuara mund të mbështesin pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e ardhshëm në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO)”, thuhet në një pjesë të këtij amendamenti.

Ish-deputeti Adem Salihaj, në një prononcim për “Bota sot”, e ka quajtur lajm të mirë amendamentin e kongresistit amerikan Brian Mast për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe ndarjen e 200 milionë dollarëve për ndihmë.

Ai theksoi se pranimi i Kosovës në NATO do të ishte hap gjigant për siguri dhe integrim ushtarak

“Amendamenti i kongresistit Brian Mast për anëtarësimin e Kosovës në NATO është lajm i mirë, siç është lajm i mirë ndarja e 200 milionë dollarëve për ta ndihmuar Kosovën. Por, amendamenti i kongresisti Brian Mast ka rëndësi të veçantë, sepse pranimi i Kosovës në NATO do të ishte hap gjigant për të siguruar mbrojtje të sigurtë dhe për t'u integruar ushtarakisht, ndonëse edhe tash e kemi NATO-n në Kosovë, por nuk e kemi Kosovën në NATO”, thotë ai.

Kurse sa i përket njohjeve, Salihaj, tha se amendamenti i kongresistit Mast mund të nxisë njohje të reja nga vendet evropiane anëtare të NATO-s që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Ai shprehu shpresë se amendamenti do të kalojë në Kongres dhe do të mbështetet nga Presidenti Trump dhe Departamenti i Shtetit, duke theksuar miqësinë e pandërprerë të Kosovës me SHBA që nga presidenti Rugova.

“Sa u përket njohjeve, besoj se do të ndikojë te shtetet evropiane që nuk e kanë njohur ende Kosovën, e që janë anëtare të NATO-s. Duhet të shpresojmë se ky amendament do të kalojë në kongres dhe do të çohet më tej nga Presidenti Tramp dhe Stejt Departmenti. Kosova, që nga Presidenti Rugova, ka miqësi të pashkëputshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës” – përfundon ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat