Dëshmia e Rubin dhe Duncan / Mehmeti paralajmëron arrestime të reja nga Specialja

Politika

Dëshmia e Rubin dhe Duncan / Mehmeti paralajmëron arrestime të reja nga Specialja

Nga: P. R. Më: 24 shtator 2025 Në ora: 14:49
Diplomati britanik John Duncan

Ashtu si James Rubin, edhe diplomati britanik John Duncan i cili dëshmoi në Speciale në mbrojtje të Hashim Thaçit, po e cilëson këtë të fundit si jo komandant i UÇK-së, ashtu siç e kishte paraqitur veten Thaçi tash e sa kohë.

“Fuqinë reale në strukturën e UÇK-së e kishin komandantët rajonalë dhe kjo na u konfirmua kur u takuam me gjeneralin Agim Çeku në fillim të negociatave e marrëveshjes. Ai na tha se unë këtë nuk e bëj dot pa praninë e komandantëve të zonave. Ju duhet të vini në Kosovë, tha ai. Unë i besova. Ai ishte shumë ngulmues për këtë çështje. Ai tha se Thaçi nuk ishte i disponueshëm për ta bërë një gjë të tillë dhe se (Thaçi) duhej të konsultohej. Më pas ai (Çeku) shtoi se unë nuk e bëj një gjë të tillë në qoftë se në negociata nuk marrin pjesë komandantët e zonave”, tha Duncan.

E analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Faton Mehmeti thotë se synimi i mbrojtjes së Thaçit është që t’ia heqë të gjitha përgjegjësitë, të cilat Thaçi tash e sa vite i ka proklamuar se i kishte gjatë luftës.

Image
Faton Mehmeti

“Nga mënyra se si po zhvillohet procesi, shihet se mbrojtja e Thaçit duket sikur po tenton t’ia heqë atij përgjegjësinë e drejtpërdrejtë për vendimet në terren dhe ta bartë atë tek komandantët e zonave operative. Kjo është një strategji e rrezikshme, sepse në vend që të forcojë mbrojtjen e tij, mund të hapë rrugë për hetime dhe ndoshta arrestime të reja”, thotë Mehmeti.

Sipas tij, i gjithë rreziku tani bie mbi komandantët e zonave, të cilët po bëhen përgjegjës nga dëshmitarët që janë në mbrojtje të Thaçit.

“Nëse gjykata arrin të krijojë bindjen se përgjegjësia ishte e decentralizuar dhe se komandantët e zonave kanë pasur autonomi të plotë në vendime, atëherë rreziku bie mbi ta. Në këtë kuptim, disa prej komandantëve të zonave mbeten potencialisht të ekspozuar, sidomos nëse ka dëshmi apo raporte që lidhen drejtpërdrejt me ta. Pra, po, ekziston rreziku real për arrestime të reja”, nënvizon Mehmeti.

“Emra nuk mund të përmenden pa prova, por dihet se gjithmonë në fokus kanë qenë ata që kanë pasur rol komandues në zonat ku ka pasur akuzime për shkelje. Nëse mbrojtja e Thaçit vazhdon me këtë strategji, atëherë komandantët e zonave janë padyshim më të rrezikuarit”, shton analisti Mehmeti.

Për fund, sipas Mehmetit, të gjithë dëshmitarët që janë deri më tani të ftuar nga mbrojtja e Thaçit, nuk janë persona që kanë qenë në terren në kohën e luftës.

“Dëshmitë e mbrojtjes së Thaçit deri më tani nuk kanë sjellë ndonjë tronditje të madhe në proces. Shumë nga ata që janë ftuar nuk janë dëshmitarë të drejtpërdrejtë të terrenit, por politikanë ose figura publike, të cilët e interpretojnë luftën nga prizmi i sotëm. Kjo i dobëson dëshmitë, sepse gjykata kërkon fakte konkrete, jo rrëfime politike”, përfundon analisti Faton Mehmeti për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat