Edhe pak ditë pune kanë mbetur nga afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, por në vend të emrave dhe marrëveshjeve konkrete, dominon paqartësia.
Mandati i presidentes Osmani skadon më 4 prill, ndërsa afati për zgjedhjen e presidentit të ri është 4 marsi - në të kundërtën, zgjedhjet e reja parlamentare duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
E qëndrime të ndryshme kanë dhënë edhe partitë politike.
Është kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili pas takimit që ka mbajtur ditë më parë me Albin Kurtin, deklaroi se për çështjen e presidentit ekzistojnë vetëm dy rrugë: ose arrihet konsensus politik mes faktorëve kryesorë në vend, ose bëhet një marrëveshje klasike politike mes partive.
Ai theksoi se në të dyja rastet nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve dhe se ditët në vijim do të jenë vendimtare për të përcaktuar se cila rrugë është e realizueshme.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur njohësi për çështje politike, Eduard Gashi.
Ai thotë se zgjedhja e Presidentit duhet të jetë akt përgjegjësie shtetërore dhe jo mjet për kalkulime partiake apo presion politik.
Gjithashtu paralajmëron se zvarritjet dhe bllokadat krijojnë vakum institucional, dobësojnë besueshmërinë e shtetit dhe hapin rrugë për pasoja të rrezikshme.
“Zgjedhja e Presidentit të Republikës është përgjegjësi shtetërore, jo instrument taktike politike. Qëllimi i një shteti të arsyeshëm dhe funksional është të mos jetë i bllokuar, të mos funksionojë me frenë dore të tërhequr, dhe që institucionet kushtetuese të zgjidhen në kohë dhe me përgjegjësi. Kjo vlen veçanërisht për institucionin e presidentit, i cili simbolizon unitetin dhe stabilitetin institucional të vendit.
Deklarimi se ekzistojnë vetëm dy rrugë – konsensusi ose marrëveshja politike – është formalish i saktë nga pikëpamja kushtetuese për shkak të kërkesës për dy të tretat e votave. Por problemi lind kur kërkesa për konsensus shndërrohet nga mjet stabilizues në mjet presioni politik. Në atë moment, procesi nuk udhëhiqet më nga përgjegjësia shtetërore, por nga kalkulimi partiak.
Prandaj, po: ekziston rreziku real që kërkesa për konsensus të përdoret si mjet presioni për interesa partiake, nëse ajo shoqërohet me zvarritje, kushtezime apo bllokim institucional. Një shtet nuk mund ta mbajë veten peng për shkak të taktikave politike, sepse çdo bllokadë e zgjatur krijon vakum institucional. Ky vakum nuk është i padëmshëm: ai çon në humbje besueshmërie të brendshme dhe ndërkombëtare, në dobësim të aftësisë faktike për vendimmarrje dhe, në raste të caktuara, hap rrugë për ndikime të palëve të treta. Këto janë pasoja që e dobësojnë shtetin si tërësi, jo thjesht një qeveri të caktuar – edhe nëse ajo mund të jetë e diskutueshme politikisht”, u shpreh ai.
Analisti vlerëson se lidhja e zgjedhjes së presidentit me pazare për pushtet e dëmton procesin dhe e ul peshën e institucionit.
Sipas tij, shteti duhet të udhëhiqet nga përgjegjësia dhe interesi institucional, jo nga inatet apo kalkulimet partiake.
“Po ashtu, lidhja e çështjes së presidentit me bashkëpunimin qeveritar e rrezikon seriozisht procesin, sepse e zhvendos atë nga dimensioni kushtetues në pazar politik për pozita dhe ndikim. Presidenti nuk është kartë negocimi dhe nuk duhet të përdoret si mjet për të riformatuar raportet e pushtetit. Një qasje e tillë e zbeh peshën e institucionit dhe dërgon mesazhin se institucionet ndërtohen mbi pazare, jo mbi parime.
Në thelb, forca e një shteti matet me aftësinë për të funksionuar, jo me aftësinë për të bllokuar. Zgjidhjet nuk gjenden në veprime të verbra, në inate politike apo në logjikën “le të digjet gjithçka për të fituar diçka”. Urrejtja mund të motivojë përkohësisht, por nuk ndërton institucione dhe nuk prodhon stabilitet. Ajo që kërkohet është qasje zgjidhëse, e matur dhe shtetformuese, ku interesi i shtetit dhe funksionaliteti institucional vendosen mbi interesin partiak.
Vetëm kështu ruhet serioziteti i procesit, stabiliteti politik dhe fuqia reale vendimmarrëse e Republikës”, përfundoi njohësi për çështje politike Eduard Gashi për “Bota sot”.