Aleksandar Vulin, kryetar i Lëvizjes Socialiste dhe ish-shef i BIA-s, ka kërcënuar Kosovën, kryeministrin Albin Kurti dhe individët që kundërshtojnë interesat serbe, duke thënë se Serbia duhet të veprojë në Kosovë si Mossadi në Izrael.
“Shteti serb duhet të veprojë. Unë, pas kësaj, do të kërkoja nga shërbimet tona të krijojnë një plan të qartë se si do të merremi me individë me emër e mbiemër, të cilët janë bartës të politikave antiserbe, e ata le të mendojnë se çfarë do t’u ndodhë. Mundet Izraeli, mundet Mossadi, pse s’mundet shërbimi serb, pse s’mundemi ne?”, ka thënë Vulin.
Vulin nuk mohon sulmet ndaj shqiptarëve dhe kërcënon kryeministrin Kurti dhe çdo individ që ndjek politika antiserbe.
“Nuk është se kurrë nuk kemi bërë gjëra të tilla; e dimë si bëhen ato. Askush nuk na ka frikën. Kurti nuk e ka aspak problem t’u ikë marrëveshjeve, sepse nuk frikësohet se do të ketë pasoja, as ai e as të tijtë”, ka thënë ai.
Në lidhje me këtë deklaratë të Vulinit ka reaguar Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla,i cili të njëjten e ka quajtur të papranueshme dhe thellësisht kërcënuese.
“Kjo deklaratë përbën një precedent të rrezikshëm dhe një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Republikës së Kosovës dhe Kryeministrit të saj, z. Albin Kurti. Përveç lidhjeve të dokumentuara me Rusinë, Vulin njihet gjerësisht si zë artikulues i qëndrimeve të Presidentit Aleksandar Vuqiç”- ka shkruar mes tjerash Sveçla.
Kërcënim serioz që kërkon vëmendjen dhe reagimi ndërkombëtar
Në lidhje me këtë temë ka folur, Arben Fetoshi Drejtor i Institutit “Octopus”.
Ai për “Bota sot”, ka deklaruar se gjuha dhe veprimet e ish-shefit të BIA-s, Vulin, përbëjnë kërcënim serioz për Kosovën.
Sipas tij, thirrjet për sulme ndaj përfaqësuesve institucionalë konfirmojnë përgjegjësinë e Serbisë në rastet e Banjskës, Ibër-Lepencit dhe ngjarjeve të tjera.
“Me Serbinë militariste që vazhdon synimet shoviniste kundër Kosovës dhe amplifikon thirrje të tilla luftënxitëse, nuk mund të llogaritet normalizimi dhe as paqja në Ballkan. Gjuha e ish shefit të BIA-s, Vulin është kërcënim serioz që kërkon vëmendjen dhe reagimin e vendosur ndërkombëtar. Bazuar në rolin e tij politik, thirrjet për sulme duke targetuar përfaqësues institucionalë, konfirmojnë përgjegjësinë e Serbisë në sulmet dhe ndërhyrjet si Banjska, Ibër-Lepenci e rastet e tjera minuese.
Kosova ka infrastrukturë të konsoliduar të sigurisë, forca të specializuara, FSK të gatshme dhe “ombrellë” nga NATO, prandaj s’mund të ketë rrezik invazioni ndaj sovranitetit e integritetit. Mirëpo, strategjia e Serbisë është provokimi dhe destabilizimi, duke nxitur frikë e mobilizim nacionalist dhe pikërisht për këtë duhet përgjigje e vendosur nga Brukseli e Uashingtoni. Për shkak të kontekstit shqetësues nga zhvillimet në Lindje të Mesme, institucionet e sigurisë duhet të rrisin vigjilencën dhe të thellojnë koordinimin me partnerët ndërkombëtare” – deklaroi ai.
Sipas, Fetoshit deklaratat e ish-shefit të BIA-s reflektojnë logjikën e dhunës dhe krimit, duke përdorur Izraelin për të justifikuar synime kriminale ndaj Kosovës.
“Me deklaratat e Vulinit manifestohet logjika e dhunës dhe krimit për realizimin e qëllimeve politike. Ashtu si Vuçiq ditë më parë, edhe ky tentoi ta keqpërdorë Izraelin, për një analogji perfide në marrëzinë dhe ëndrrat kriminale ndaj Kosovës”, .
Meha: Serbia kryen goditje ndaj individëve që cenojnë politika e Serbisë në Kosovë përmes rrjetit të vet nëpër institucionet tona
Kurse, Xhevat Meha, njohës i sigurisë në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se kërcënimet e Serbisë ndaj Kosovës dhe individëve janë rutinë, por me qëllim konkret.
Ai veçon dy pika:
- Manipulimi i opinionit publik në Serbi – Retorika e Serbisë përdoret për t’i “mbushur trurin” qytetarëve, duke i kontrolluar lehtësisht, siç ndodh në modele politike ruse, e poashtu edhe
- Kërcënime ndaj individëve në Kosovë – Serbia synon individë që kundërshtojnë politikat e saj, veçanërisht ata që punojnë me AKI-në ose brenda institucioneve, për t’i frikësuar dhe për të mbajtur kontroll mbi institucionet e Kosovës.
“Kërcënimet e tilla ndaj Kosovës të zyrtarëve të lartë serb janë rutinë. Mirëpo nuk janë krejt formalitet, kanë porosi në përmbajtjen e tyre. Dy elemente do t’i veçoja për kërcënimet e tanishme:
1.Lyerje e trunit me tlyn për qytetarët në Serbi – Kjo retorikë bëhet si program i partive politike për t’ua mbushur trunin me tlyn qytetarëve ku pastaj ndërtohet lehtësisht sundimi mbi qytetarët. Këto janë praktika të modeleve politike ruse, i kemi edhe në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni të Veriut.
2.Porosi e drejtpërdrejt për individë të caktuar në Kosovë – Ka individë në Kosovë që veprojnë kundër politikave që Serbia zbaton në Kosovë përmes shqipfolësve të tyre. Vulin u drejtohet individëve sepse deri tani kemi vetëm AKI-në si institucion që po i kundërvihet politikave të Serbisë në Kosovë. Kundërveniet tjera ndaj politikave të Serbisë në Kosovë janë individë që punojnë brenda institucioneve të Kosovës, por jo edhe institucionet si institucion. Brenda institucioneve tona kemi individë shqipfolës serbo-rus ku në shumicën e rasteve janë krerë të institucioneve. Dhe kemi individë brenda institucioneve tona që falë angazhimit të AKI-së veprojnë në ndërtim të shtetit të Kosovës, e këto veprime janë kërcënim për shqipfolësit serbo-rus brenda institucioneve të Kosovës dhe për politika e Serbisë ndaj Kosovës. Vulin i kërcënon këta individë për t’i frikësuar. Serbia kryen goditje ndaj individëve që cenojnë politika e Serbisë në Kosovë përmes rrjetit të vet nëpër institucionet tona. Përmes këtyre goditjeve Serbia ka arritur që të mbajë nën kontroll institucionet e Kosovës”, deklaroi Meha për gazetën.