Fitorja e Listës Studentore në Serbi ka rikthyer në vëmendje zhvillimet politike në Beograd dhe ndikimin e tyre të mundshëm në marrëdhëniet me Kosovën. Pas këtyre ndryshimeve, vëmendja është përqendruar te formimi i qeverisë së re serbe dhe qëndrimi që ajo do të mbajë ndaj dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka shprehur pritjen që dialogu të rifillojë pas formimit të institucioneve të reja në Serbi, duke e lidhur këtë proces edhe me përparimin e vendit drejt integrimit evropian.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse ndryshimet politike do të sjellin një qasje të re të Beogradit ndaj Kosovës apo nëse do të vazhdojnë qëndrimet e mëparshme që kanë penguar përparimin e dialogut.
Bukuroca: Ndryshimet politike në Serbi mund të hapin rrugë për dialog, por Kosova mbetet sfidë e vështirë
Fillimisht, lidhur me ndikimin e fitores së Listës Studentore në Serbi në përmirësimin e marrëdhënieve me Kosovën, foli publicisti Lis Bukuroca. Ai në një prononcim për “Bota sot”, vlerëson se zhvillimet e reja politike mund të krijojnë kushte për një orientim më demokratik dhe proevropian të Beogradit.
Megjithatë, sipas tij, rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën mbetet e vështirë, për shkak të qëndrimeve të rrënjosura politike dhe ndarjeve të thella brenda shoqërisë serbe.
“Se sa mund të ndikojë fitorja e Listës Studentore në Serbi në përmirësimin e marrëdhënieve me Kosovën, është ende vështirë të thuhet. Megjithatë, duke pasur parasysh disa nga deklaratat dhe orientimin e shprehur nga studentët, mund të ketë arsye për një optimizëm të kujdesshëm.
Mendoj se ekziston mundësia që ndryshimet politike në Serbi të krijojnë kushte për përmirësimin e marrëdhënieve me vendet fqinje, veçanërisht me ish-republikat jugosllave. Në raport me Kosovën, megjithatë, rruga do të jetë shumë më e vështirë.
Pengesa nuk është vetëm fakti se Kushtetuta e Serbisë e trajton Kosovën si pjesë të territorit të saj, por edhe ndarjet e thella politike brenda shoqërisë serbe. Edhe kur forcat e reja politike vijnë në pushtet, ato do të përballen me një mjedis politik ku çështja e Kosovës përdoret prej kohësh për mobilizim nacionalist. Prandaj, ndryshimi i kursit politik ndaj Kosovës nuk do të jetë as i shpejtë dhe as i lehtë.
Megjithatë, nëse ndryshimet politike në Serbi marrin një drejtim demokratik dhe proevropian, mund të krijohen kushtet për rifillimin e dialogut, për një bashkëpunim më të mirë dhe për rindërtimin gradual të mirëbesimit ndërmjet dy popujve. Dialogu nuk duhet të jetë vetëm një proces formal, por një mundësi për zgjidhjen e problemeve konkrete dhe për ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme”, deklaroi ai.
Duke folur për reagimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ndaj zhvillimeve politike, Bukuroca ngre dyshime për kalkulimet e mundshme të tij dhe për synimet që mund të ketë në të ardhmen.
Sipas publicistit, pranimi i rezultatit zgjedhor pa kontestime mund të lidhet edhe me përpjekjet për ta ruajtur ndikimin politik.
“Ajo që më duket veçanërisht e rëndësishme është mënyra se si Aleksandar Vuçiqi ka reaguar ndaj rezultatit zgjedhor. Meqenëse ai e pranoi rezultatin pa e kontestuar procesin, kjo ngjall dyshime për kalkulime politike prapa skenës.
Nuk mund të përjashtohet mundësia që Vuçiqi të synojë të ruajë ndikimin politik ose të rikthehet në garën presidenciale, nëse rrethanat kushtetuese ia lejojnë”.
Sa i përket gatishmërisë së qeverisë së re serbe për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, Bukuroca thekson se deklaratat politike nuk janë të mjaftueshme. Sipas tij, prova kryesore do të jetë zbatimi i marrëveshjeve të arritura dhe pranimi i nevojës për një zgjidhje të qëndrueshme ndërmjet dy vendeve.
“Sa i përket gatishmërisë së qeverisë së re për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, mendoj se duhet të presim më shumë se deklarata politike. Gatishmëria e vërtetë do të dëshmohet përmes veprimeve konkrete: rifillimit të dialogut, zbatimit të marrëveshjeve të arritura dhe pranimit të faktit se pa një zgjidhje të qëndrueshme të marrëdhënieve me Kosovën, perspektiva evropiane e Serbisë do të mbetet e kufizuar.
Edhe integrimi evropian mund të përfitojë nga ndryshimet politike në Serbi, por kjo nuk ndodh automatikisht. Përparimi do të varet nga respektimi i standardeve demokratike, forcimi i shtetit ligjor, funksionimi i institucioneve dhe gatishmëria për të normalizuar marrëdhëniet me Kosovën.
Nëse orientimi evropian shndërrohet në politikë konkrete, atëherë mund të hapen mundësi të reja për të gjithë rajonin”, theksoi publicisti.
Një faktor tjetër që, sipas Bukurocës, duhet të merret parasysh në vlerësimin e zhvillimeve të ardhshme në Serbi është ndikimi i Rusisë. Ai thekson se orientimi demokratik i lëvizjes studentore duhet të vlerësohet edhe në raport me qëndrimet e ndryshme politike dhe ideologjike që ekzistojnë në shoqërinë serbe.
“Në këtë kontekst, duhet të kemi parasysh edhe ndikimin e Rusisë në politikën serbe. Studentët kanë shprehur kërkesa për institucione demokratike dhe shtet ligjor, por në shoqërinë serbe ekzistojnë edhe rryma politike e ideologjike që kanë lidhje të ngushta ose afri të theksuar me Rusinë. Prandaj, mbetet të shihet se çfarë orientimi do të marrë lëvizja studentore dhe sa do të arrijë të ndikojë në politikën e ardhshme të vendit”.
Në fund, publicisti vlerëson se fitorja e Listës Studentore mund të krijojë mundësi të reja për marrëdhëniet në Ballkan, por vetëm nëse ndryshimet politike shoqërohen me ndryshim të politikës shtetërore ndaj Kosovës. Ai kritikon gjithashtu Bashkimin Evropian për qasjen e ndjekur ndaj Vuçiqit gjatë dekadës së fundit.
“Në fund, fitorja e Listës Studentore, nëse përkthehet në ndryshim real politik, mund të krijojë një mundësi të re për marrëdhëniet në Ballkan. Por nuk duhet ngatërruar ndryshimi i aktorëve politikë me ndryshimin e politikës shtetërore. Për Kosovën, rëndësi vendimtare do të ketë nëse Beogradi do të jetë i gatshëm të heqë dorë nga politika e konfrontimit dhe të ndërtojë marrëdhënie mbi respektin e ndërsjellë. Vetëm atëherë mund të flasim për një kthesë të vërtetë, për rezultate konkrete në dialog dhe për një perspektivë më të mirë evropiane për të dyja vendet.
Sidoqoftë, gabimi i madh i BE-së ishte mbështetja e Vuçiqit. Ata e penguan gjatë dekadës së fundit ndryshimin në Serbi”, përfundon Bukuroca për “Bota sot”.
Gashi: Ndryshimi i pushtetit në Serbi nuk garanton ndryshim të politikës ndaj Kosovës
Në anën tjetër, analisti Eduard Gashi vlerëson se fitorja e Listës Studentore përbën një zhvillim të rëndësishëm në skenën politike serbe, por nuk garanton ndryshim të qëndrimit të Beogradit ndaj Kosovës.
Në një prononcim për “Bota sot”, ai thekson se problemi ndërmjet dy vendeve nuk lidhet vetëm me udhëheqësit apo partitë në pushtet, por me qëndrimin e shtetit serb ndaj pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
“Fitorja e Listës Studentore në Serbi përbën një zhvillim të rëndësishëm në skenën politike serbe dhe dëshmon se ndryshimet politike janë të mundshme përmes proceseve demokratike. Megjithatë, nga këndvështrimi i Kosovës, duhet të bëjmë një dallim thelbësor: ndryshimi i një qeverie nuk nënkupton automatikisht ndryshimin e politikës shtetërore ndaj Kosovës.
Problemi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ka qenë asnjëherë vetëm çështje e një udhëheqësi apo e një partie politike. Ai lidhet me qëndrimin e shtetit serb ndaj pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Për këtë arsye, largimi i një strukture politike nga pushteti, sado i rëndësishëm për zhvillimet demokratike brenda Serbisë, nuk përbën në vetvete garanci për një qasje të re ndaj Kosovës.
Madje, deklarimet e deritanishme të përfaqësuesve të Listës Studentore tregojnë se edhe kjo lëvizje vazhdon t’i referohet Kushtetutës serbe, e cila e konsideron Kosovën pjesë të Serbisë. Disa përfaqësues kanë paralajmëruar gjithashtu rishqyrtimin e marrëveshjeve të mëparshme. Kjo tregon se demokratizimi i brendshëm i Serbisë dhe pranimi i realitetit shtetëror të Kosovës janë dy procese të ndryshme, të cilat nuk duhet të ngatërrohen”, u shpreh ai.
Duke folur për mundësinë e rifillimit të dialogut, Gashi thekson se formimi i një qeverie të re në Beograd mund të krijojë hapësirë për një dinamikë të re diplomatike. Megjithatë, sipas tij, rëndësi vendimtare ka gatishmëria e Serbisë për të zbatuar marrëveshjet dhe për të respektuar sovranitetin e Kosovës.
“Sa i përket rifillimit të dialogut, një qeveri e re në Beograd mund të krijojë hapësirë për një dinamikë të re diplomatike. Por çështja vendimtare nuk është vetëm nëse palët do të ulen përsëri në tryezën e bisedimeve. Çështja është nëse Beogradi do të jetë i gatshëm të kalojë nga retorika e normalizimit te respektimi konkret i marrëveshjeve dhe i sovranitetit të Kosovës.
Marrëveshja e Brukselit e vitit 2023 dhe Aneksi i Ohrit përcaktojnë detyrime konkrete. Ndër to përfshihen zhvillimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mbi bazën e të drejtave të barabarta, respektimi i dokumenteve dhe simboleve përkatëse dhe moskundërshtimi nga Serbia i anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Pikërisht zbatimi i këtyre detyrimeve duhet të jetë një nga treguesit kryesorë për të vlerësuar seriozitetin e qeverisë së ardhshme serbe”.
Sa i përket perspektivës evropiane të Serbisë, analisti nënvizon se Bashkimi Evropian duhet të mbajë një qëndrim të qëndrueshëm dhe të kërkojë rezultate konkrete në procesin e normalizimit.
Sipas tij, integrimi evropian nuk mund të mbështetet vetëm në deklarata politike, por duhet të shoqërohet me respektimin e shtetit të së drejtës dhe detyrimeve ndërkombëtare.
“Në këtë kontekst, edhe Bashkimi Evropian duhet të mbajë një qëndrim konsekuent. Integrimi evropian nuk mund të reduktohet në deklarata politike apo në gatishmërinë formale për dialog. Ai kërkon respektimin e shtetit të së drejtës, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe zbatimin e detyrimeve ndërkombëtare. Për Serbinë, normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është pjesë e drejtpërdrejtë e procesit të negociatave për anëtarësim në BE.
Një provë tjetër e rëndësishme për qeverinë e re do të jetë qëndrimi i saj ndaj sulmit të armatosur në Banjskë dhe bashkëpunimi me drejtësinë për zbardhjen e plotë të përgjegjësive. Besimi ndërmjet dy shteteve nuk mund të ndërtohet pa përgjegjësi, siguri dhe respektim të rendit juridik”, shpjegoi analisti.
Gashi thekson se edhe Kosova duhet të vazhdojë të dëshmojë përkushtimin ndaj vlerave evropiane, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të të gjitha komuniteteve. Megjithatë, ai nënvizon se këto angazhime nuk duhet të interpretohen si lëshime ndaj Beogradit, por si përgjegjësi të një shteti demokratik.
“Nga ana tjetër, Kosova duhet të vazhdojë të dëshmojë përkushtimin e saj ndaj vlerave evropiane, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të të gjitha komuniteteve, përfshirë komunitetin serb. Kjo nuk është një lëshim ndaj Beogradit, por shprehje e përgjegjësisë së një shteti demokratik ndaj qytetarëve të vet.
Për Kosovën, dialogu nuk duhet të jetë proces i rinegocimit të shtetësisë së saj, por proces i ndërtimit të marrëdhënieve normale ndërmjet dy shteteve. Pavarësia dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës nuk mund të trajtohen si çështje që varen nga ndryshimet elektorale në Beograd”.
Në përfundim, analisti vlerëson se zhvillimet e fundit në Serbi duhet të përcillen me vëmendje, por edhe me realizëm politik. Sipas tij, ndryshimi i udhëheqësve nuk është i mjaftueshëm për të sjellë paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon, nëse nuk ndryshojnë edhe qëndrimet politike ndaj Kosovës.
“Prandaj, zhvillimet e fundit në Serbi duhen ndjekur me vëmendje, me hapje diplomatike, por edhe me realizëm politik. Gatishmëria për normalizim nuk duhet të matet me moshën, profilin apo retorikën e udhëheqësve të rinj, por me vendimet dhe veprimet e tyre konkrete.
Në fund të fundit, paqja dhe stabiliteti afatgjatë në Ballkanin Perëndimor kërkojnë jo vetëm ndryshim qeverish, por edhe ndryshim të qëndrimeve politike që kanë penguar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.
Serbia nuk ka nevojë ta humbasë dinjitetin e saj për ta respektuar Kosovën. Përkundrazi, pranimi i realitetit shtetëror të Kosovës dhe ndërtimi i marrëdhënieve mbi bazën e barazisë do të përbënin një hap të rëndësishëm drejt një të ardhmeje të përbashkët evropiane”, përmbyll Eduard Gashi për “Bota sot”