Vrasja e Arlinda Zekajt, kush rrezikon dënime të rënda dhe a pati bashkërendim mes të dyshuarve?

Politika

Vrasja e Arlinda Zekajt, kush rrezikon dënime të rënda dhe a pati bashkërendim mes të dyshuarve?

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 27 nëntor 2026 Në ora: 22:02
Protestuesit mbajnë fotografitë e Arlinda Zekajt gjatë një proteste të organizuar në Prishtinë më 28 tetor.

Rasti i vrasjes së Arlinda Zekajt ka marrë zhvillime të reja, pasi në kuadër të hetimeve janë arrestuar edhe katër persona të tjerë, mes tyre ish-vjehrra dhe ish-kunati i viktimës.

Sipas Prokurorisë, dy prej të dyshuarve, Nurije dhe Driton Sylaj, dyshohen për ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë, ndërsa Metë Pepaj dhe Gëzim Bobi dyshohen se kanë ndihmuar kryesin pas kryerjes së veprës penale.

Sipas kërkesës së Prokurorisë për caktimin e paraburgimit, ish-vjehrra dyshohet se ka qenë e pranishme në shtëpi gjatë sulmit ndaj Arlindës, pa ndërmarrë veprime për ta parandaluar atë. Ndërkaq, ish-kunati dyshohet se kishte përcjellë lëvizjet e viktimës dhe kishte siguruar informacione për vendndodhjen e saj.

Dy të dyshuarit e tjerë, sipas Prokurorisë, dyshohet se e kanë ndihmuar Albert Sylajn t'i shmangej arrestimit dhe të strehohej pas vrasjes.

Gjykata Themelore në Pejë u ka caktuar katër të dyshuarve nga një muaj paraburgim, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të ndriçuar të gjitha rrethanat e rastit.

Arlinda Zekaj, 49-vjeçare, u vra më 25 tetor 2026 në Vitomiricë të Pejës. Për kryerjen e vrasjes dyshohet ish-kunati i saj, Albert Sylaj.

Rasti ka nxitur reagime të shumta publike, sidomos për faktin se Arlinda kishte kërkuar vazhdimisht mbrojtje nga institucionet dhe kishte paralajmëruar se ndihej e rrezikuar.

Në këtë kontekst, për “Bota sot” kanë folur avokatja Besjana Ismajli dhe kriminologia Dita Makasqi. Ato kanë analizuar rolin e mundshëm të secilit të dyshuar, përgjegjësinë penale që mund të lindë në varësi të veprimeve të provuara, si dhe çështjen e reagimit institucional ndaj kërkesave të Arlindës për mbrojtje.

Ismajli: Praktika gjyqësore në Kosovë tregon se ndihma me dashje në kryerjen e një vrasjeje të rëndë mund të sjellë dënime shumë të rënda

Image
Avokatja Besjana Ismajli

Avokatja Besjana Ismajli, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se praktika gjyqësore në Kosovë dëshmon se edhe personat që ndihmojnë në kryerjen e një vrasjeje të rëndë mund të dënohen me burgim shumëvjeçar.

Duke përmendur rastet e Liridona Ademajt dhe Marigona Osmanit, ajo theksoi se dënimi varet nga roli konkret i të akuzuarit dhe rrethanat e vërtetuara gjatë gjykimit.

“Praktika gjyqësore në Kosovë tregon se ndihma me dashje në kryerjen e një vrasjeje të rëndë mund të sjellë dënime shumë të rënda. Në rastin e Liridona Ademajt, Gjykata e Apelit vërtetoi burgimin e përjetshëm për Naim Murselin dhe Granit Plavën për vrasje të rëndë në bashkëkryerje, si dhe 30 vjet burgim për Kushtrim Kokallën për ndihmë në kryerjen e saj. Në rastin e Marigona Osmanit, Supremja vërtetoi burgimin e përjetshëm për Dardan Krivaqën, ndërsa Apeli kishte vërtetuar 15 vjet burgim për Arbër Sejdiun për ndihmë në vrasje të rëndë. Këto aktgjykime tregojnë sa peshë mund të ketë kontributi i provuar i një ndihmësi. Lartësia e dënimit varet nga roli konkret dhe rrethanat e provuara në secilën çështje”, ka thënë ajo.

Avokatja ka kërkuar përgjegjësi institucionale për vrasjen e Arlindës, duke theksuar se viktima kishte raportuar rrezikun dhe kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje. Sipas saj, institucionet duhet të sqarojnë pse nuk arritën ta mbronin.

“Arlinda bëri atë që institucionet u kërkojnë grave kur ndihen të rrezikuara. Ajo raportoi, kërkoi urdhër mbrojtjeje dhe paralajmëroi se kishte frikë për jetën. Familja e saj meriton të dijë kush mban përgjegjësi për vrasjen, si u zbatua urdhri i mbrojtjes dhe mbi çfarë vlerësimi policia u largua atë mbrëmje. Këto përgjigje kërkojnë që të shqyrtohen edhe vendimet e marra në orët kur Arlinda ende mund të mbrohej”, deklaroi avokatja.

Makasqi: Hetimet duhet të sqarojnë nëse ka pasur bashkërendim para vrasjes

Image
Kriminologia Dita Makasqi

Kriminologia Dita Makasqi ka theksuar se në rastin e Arlinda Zekajt dyshohet për përfshirjen e disa personave me role të ndryshme. Ajo ka nënvizuar rëndësinë e hetimit të fotografimit dhe përcjelljes së viktimës para vrasjes, si dhe të mundësisë së bashkërendimit mes të dyshuarve.

“Po. Sipas njoftimit të Policisë dhe Prokurorisë, dy nga katër personat e ndaluar dyshohen se kanë ndihmuar në kryerjen e vrasjes së rëndë, ndërsa dy të tjerët dyshohen se kanë dhënë ndihmë pas ngjarjes. Sipas raportimeve që i referohen kërkesës së Prokurorisë për paraburgim, ish-vjehrra e Arlinda Zekajt dyshohet se, në ditët para vrasjes, e kishte fotografuar dhe incizuar vazhdimisht Arlindën, duke përcjellë lëvizjet e saj.

Nga këndvështrimi kriminologjik, rëndësi ka përsëritja dhe konteksti i këtyre veprimeve. Nëse vërtetohet se Arlinda mbahej nën vëzhgim të vazhdueshëm, kjo sjellje duhet shqyrtuar edhe si një formë e mundshme kontrolli. Të dish se dikush po të fotografon apo po të ndjek lëvizjet mund ta shtojë ndjenjën e pasigurisë, sidomos kur kjo ndodh në vendin ku jeton.

Për hetimin, pyetjet janë konkrete. Për çfarë qëllimi dyshohet se u bënë fotografitë dhe incizimet? A iu përcollën dikujt dhe, nëse po, a u përdorën me vetëdije për të lehtësuar kryerjen e veprës? Përgjigjet, nëse mbështeten në prova, do të ndihmojnë të sqarohet roli i secilit dhe nëse ka pasur bashkërendim para ngjarjes”, foli ajo.

Makasqi ka vlerësuar se arrestimet ngrenë dyshime për bashkërendim të mundshëm mes të përfshirëve. Ajo ka theksuar se hetimet duhet të sqarojnë kohën, qëllimin dhe ndikimin e veprimeve të secilit të dyshuar, si dhe reagimin e institucioneve pas kërkesës së Arlindës për mbrojtje.

“Arrestimet tregojnë se hetimi është zgjeruar për të rindërtuar se çfarë ka ndodhur para dhe pas vrasjes së Arlinda Zekajt. Sipas njoftimit të Policisë dhe Prokurorisë, dy persona dyshohen se kanë ndihmuar në kryerjen e vrasjes së rëndë, ndërsa dy të tjerë dyshohen për ndihmë pas ngjarjes. Nga këndvështrimi kriminologjik, rëndësi ka rendi i veprimeve. Kur ka vepruar secili, çfarë dinte në atë moment dhe çfarë ndikimi mund të ketë pasur veprimi i tij? Këto pyetje ndihmojnë të kuptohet nëse ka pasur bashkërendim paraprak apo nëse veprimet kanë ndodhur në momente të ndryshme, për qëllime të ndryshme. Kjo mbetet për t’u sqaruar me prova.

Pjesë e analizës është edhe ajo që Arlinda kishte përjetuar përpara vrasjes. Raportimet se ish-vjehrra dyshohet ta ketë fotografuar dhe incizuar vazhdimisht në ditët para ngjarjes ngrenë pyetjen nëse këto veprime, po të vërtetohen, ishin pjesë e një sjelljeje më të gjerë kontrolli. Kur lëvizjet e një personi përcillen vazhdimisht, kjo mund t’ia kufizojë ndjenjën e lirisë dhe t’ia shtojë pasigurinë. Për ta kuptuar domethënien e kësaj sjelljeje në rastin e Arlindës, duhet parë sa shpesh ka ndodhur, në çfarë rrethanash dhe si lidhet me ngjarjet e tjera të atyre ditëve.

Për mua, pyetja më e rëndësishme nga pikëpamja e parandalimit është se çfarë ndodhi pasi Arlinda kërkoi ndihmë. Sipas raportimeve, ajo u ishte drejtuar institucioneve dhe kishte pasur urdhër mbrojtës. Duhet të sqarohet çfarë informacioni kishin institucionet në atë kohë, si e vlerësuan rrezikun dhe çfarë mbrojtjeje iu ofrua në praktikë. Për një grua që kërkon ndihmë sepse ndihet në rrezik, siguria varet nga ajo që bëhet në orët dhe ditët pas kërkesës së saj”, thotë ajo.

Në fund, kriminologia ka theksuar se epilogu juridik do të varet nga provat dhe roli i secilit të dyshuar. Ajo ka shpjeguar se dënimet mund të ndryshojnë në varësi të veprave penale që provohen në gjykatë.

“Epilogu juridik mund të jetë i ndryshëm për secilin prej të dyshuarve. Nëse ngrihet aktakuzë, gjykata duhet të përcaktojë se çfarë veprimi ka kryer secili, me çfarë qëllimi ka vepruar dhe si lidhet ai veprim me vrasjen ose me atë që ndodhi më pas. Është e mundur që në të njëjtin proces një person të shpallet fajtor, ndërsa një tjetër të lirohet nga akuza, nëse ndaj tij fajësia nuk provohet përtej dyshimit të arsyeshëm.

Për kryerjen e vrasjes së rëndë, neni 173 i Kodit Penal të Kosovës parashikon së paku 10 vjet burgim ose burgim të përjetshëm. Dënimi konkret varet nga rrethanat që provohen në gjykim.

Për ndihmën në kryerjen e vrasjes, neni 33 parashikon dënim më të butë se ai i kryesit, nëse provohet se personi e ka dhënë ndihmën me dashje. Për shembull, nëse vërtetohet se Arlinda është fotografuar dhe incizuar, gjykata duhet të shqyrtojë edhe përse janë bërë ato incizime dhe nëse përbënin ndihmë të qëllimshme për kryerjen e veprës.

Për ndihmën pas kryerjes së veprës, siç mund të jetë strehimi i kryesit për ta ndihmuar t’i shmanget kapjes, zbatohet neni 380. Ai parashikon 6 muaj deri në 5 vjet burgim për ndihmën që lidhet me vrasjen ose vrasjen e rëndë dhe 1 deri në 10 vjet burgim kur zbatohet paragrafi për veprat e dënueshme me burgim të përjetshëm. Gjykata përcakton se cili paragraf zbatohet sipas fakteve të provuara.

Për familjen e Arlindës dhe për publikun, një vendim i arsyetuar duhet të shpjegojë qartë se çfarë u provua dhe për cilat veprime mban përgjegjësi secili. Rasti ngre edhe një pyetje më të gjerë për institucionet. Sipas raportimeve, Arlinda kishte kërkuar ndihmë dhe kishte pasur urdhër mbrojtës. Sqarimi i mënyrës se si u zbatua ai urdhër ka rëndësi për të kuptuar çfarë mbrojtjeje iu ofrua dhe si mund të mbrohen më mirë gratë e tjera që raportojnë se janë në rrezik” - përfundoi ajo për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat