Deklarata e Akademisë për UÇK/ Kryetari Gjinushi shpjegon qëndrimin për Dhomat Speciale

Shqipëria

Deklarata e Akademisë për UÇK/ Kryetari Gjinushi shpjegon qëndrimin për Dhomat Speciale

Më: 28 nëntor 2020 Në ora: 15:34
Skender Gjinushi

Kreu i Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi ka folur sot në “News24” në rubrikën “Opinion” për deklaratën e iniciuar nga Akademia dhe të firmosur nga disa institucione në mbrojtje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjinushi tha se deklarata është në kuadër të një konference të anuluar për shkak të pandemisë dhe se çdo institucion është i hapur t’i bashkohet në vijim. Sa i përket ‘qarqeve të errëta’ , kreu i ASH tha se është shumë e qartë se kush janë, segmente të vetë shtetit serb.

Sipas tij, lufta dhe rezistenca e popullit të Kosovës ka qenë për vetëmbrojtje. Sa i përket Gjykatës Speciale, ai tha se është ngritur me një vendim politik nga Këshilli i Europës.

Kush janë institucionet e përfshira në këtë deklaratë?

Ato që kanë firmosur janë të përfshira, janë dhe disa të tjera. Ky aktivitet, në kushtet e COVID-it ishte pak me sforcim. Ishte lënë që të bëhej një takim prej kohësh sepse në çdo përvjetor organizohen konferenca apo simpoziume sipas mundësisë dhe gjerësisë së aktivitetit. Ishte lënë një aktivitet i tillë, u anulua për shkak të pandemisë dhe më pas dolëm me një deklaratë, që kushdo mund t’i bashkohet.

Çfarë përmban kjo deklaratë dhe pse tani?

Kur bëhet një konferencë një simpozium, nxirret dhe një deklaratë, një material konkluzionesh dhe aq më tepër në rastin e luftës së Kosovës që çoi në çlirimin e Kosovës në pavarësimin e saj. Është krejt normal që në çdo përvjetor të vlerësohet dhe rivlerësohet kjo periudhë aq më tepër kur ekizston tendenca për ta deformuar.

Deklaratë vjen kur në Hagë zhvillohet një gjyq për Kosovën. Kush janë qarqet e errëta?

Që në krijesë, rezistenca e shqiptarëve apo e kroatëve, boshnjakëve ka dashur të identifikohej me akte terroriste sepse makineria serbe, e Milloshevicit, kërkonte që palën tjetër ta kategorizonte në këtë mënyrë që të legjitimonte goditjen, krijimin e Serbisë së Madhe. Shumë e qartë se kush janë. Janë segmente të vetë shtetit serb që gjithmonë lufton që të thotë se çka bënë serbët në Kosovë bënë edhe shqiptarët. Lufta dhe rezistenca e popullit të Kosovës ka qenë për vetëmbrojtje. Një reagim normal, legjitim. Jemi institucione të kujtesës, historisë por për politikën shqiptare kemi të drejtë të mbrojmë epokat.

Siç kishte tendencë për t’u deformuar Lufta e Vlorës. I takon historisë dhe institucioneve shqiptare ta heqin këtë baltosje dhe këto tymnaja. Aq më tepër sot. Këto qasje që kanë tendenca që në emër të asaj meqenëse krime lufte kanë kryer dhe të tjerë t’i barazojnë këto me krimet e serbëve.

Këto qarqe deri ku janë të infiltruara?

Shumë kush mund të thotë a ka arritur deri në gjykatë. Kjo deklaratë e ka pasur gjithë kujdesin të ketë ato caqe që i lejohen. Komuniteti shqiptar e ka pranuar gjykatën e Hagës dhe gjithë të akuzuarit kanë shkuar para gjykatës pikërisht për të pastruar luftën e Kosovës. Gjykata e Hagës për krimet e luftës ose Dhoma Speciale është ngritur me vendim politik, me vendim të KiE-s. Është zgjidhje politike jo organ drejtësie. Është ngritur me akuzë tepër specifike. Një gjë e gjykuar nuk ka gjykim dy herë. Përderisa Gjykata e Hagës e konsumoi juridiksionin e vet nuk mund të rihapësh gjyqe dhe gjykime për krime lufte. Gjithë mekanizmi politik ishte kjo që Kosovës iu vesh një krim monstruoz, jo thjesht disave por luftës së UÇK-së. Madje me mbështetjen e Shqipërisë, flitej për trafik organesh dhe me një sy të mbyllur të komunitetit ndërkombëtar. Gjithë tendenca e palës tjetër, që duan ta errësojnë këtë histori të re ka qenë që pikërisht UÇK-ja apo populli i Kosovës, pjesa që mori armët ka kryer dhe trafik organesh. nuk ka qenë një forcë çlirimtare po e tillë. Për këtë është e implikuar dhe Shqipëria dhe shumë ndërkombëtarë që e përkrahën këtë lufta.

Rezistenca dhe lufta e Kosovës kërkohet të kompromentohen dhe kjo akuzë e veçantë bëri që të krijohej një gjykatë e veçantë. Të gjithë e dinë që është jashtë normës juridike.

Pra nuk ka legjitimitet?

Fitoi një legjitimitet politik për shkak të akuzës specifike, që ishte trafik organesh. Në kuadër të krimeve të tjera në luftë, krim i organizuar dhe që kjo u krye në mjedise shqiptare. Lë të kuptojë dhe në dijeni të shtetit shqiptar.

Roli i Akademisë së Shkencave është që në ngjarjet e mëdha nëpërmjet botimeve, pjesëmarrjes së akademikëve, historianëve, riformulon, ripërcakton sepse me hapjen e arkivave dalin të vërteta më të mëdha.

Tani e rëndësishme është që objekti ynë është që të mbrohen vlerat e historisë së popullit shqiptar.

Lufta në Kosovë nuk krahasohet as me luftën në Kroaci sepse Kroacia ishte shtet, ndërsa Kosova ishte një popull. Pra, një makineri ushtarake kundër një populli të shtypur, nga ana juridike popullit të vet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat