Gjosha: LSI synon vota majtas, presim rezultat historik më 25 prill

Shqipëria

Gjosha: LSI synon vota majtas, presim rezultat historik më 25 prill

Më: 30 nëntor 2020 Në ora: 21:39
Klajda Gjosha

Lëvizja Socialiste për Integrim në zgjedhjet e 25 prillit pret një rezultat që nuk e ka arritur kurrë më parë. Ish-ministrja e Integrimit Klajda Gjosha në një interviste për “Euronews Albania”, tha se kjo pritshmëri vjen nga pjesëmarrja e lartë e anëtarësisë në zgjedhjet brenda partisë.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare LSI mori 224 mijë vota në të gjithë vendin që u përkthyen në 19 mandate parlamentare. Nga përllogaritjet paraprake, brenda LSI pritet që të sigurohen deri në 40 mandate, por vetë znj. Gjosha nuk bërë ndonjë parashikim.

“Mund të them një shifër; vetëm në zgjedhjet e brendshme kishim 44 mijë anëtarë që shkuan për të votuar për zgjedhjet brenda partisë. Nuk do të shkoja një shifra, por përllogaritjet brenda LSI thuhet se mund të kemi 40 mandate por për mua të nisësh me një anëtarësi prej 44 mijë shqiptarë tregon qartë se cila është pritshmëria”, deklaroi ish-deputetja.

LSI synon që votat t’i marrë nga elektorati i majtë pasi janë parti e këtij spekteri por shtuar dhe faktin se ka shumë të zhgënjyer nga PS. Ish-deputetja deklaroi se mbi 70% e elektoratit të LSI janë të rinj.

“Atë zhgënjim që ka shkaktuar PS nuk mund ta mbulojë më asgjë. Çfarë do që të bëjë Edi Rama më 25 prill nuk do të ndryshojë dot kutinë e votimit. Ka premtime të pafundme të pa mbajtura”, tha znj. Gjosha.

Ish-deputetja u shpreh se LSI përjashton në mënyrë absolute një koalicion të mundshëm me Edi Ramën pas 25 prillit edhe sikur rezultati të diktojë një bashkëpunim të tillë. Kurse për garën brenda opozitës (PD-LSI) ajo tha se, kjo gjë do të sjellë maksimalizimin e votave pasi nuk kanë të njëjtin elektorat.

LSI do të mbajë më 5 dhjetor Konventën Kombëtare ku do të shpalosë dhe programin politik për zgjedhjet e ardhshme parlamentare por do të përcaktohet dhe procedura për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë. Znj. Gjosha tha se, lista nuk është vetëm në dorë të kryetarit por do të jenë forumet që do të vendosin.  “Ka disa diskutimet për kandidatët, e gjithë mënyra si do të përzgjidhen do të shpaloset me 5 dhjetor”, tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat