Raporti i FMN-së, Tabaku: Tregon katastrofën në të cilën ndodhen financat publike

Shqipëria

Raporti i FMN-së, Tabaku: Tregon katastrofën në të cilën ndodhen financat publike

Më: 2 dhjetor 2020 Në ora: 11:55
Jorida Tabaku

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka deklaruar nga selia blu se raporti i FMN-së për Shqipërinë tregon katastrofën në të cilën ndodhen financat publike dhe ekonomia.

“Mesazhi kyç dhe më i rëndësishëm nga FMN lidhej me kujdesin ndaj qytetarëve, sidomos ato vulnerabël. Të cilët qeveria i ka braktisur pasi zgjodhi PPP-të përpara shqiptarëve, zgjodhi pagesat ndaj koncesioneve të oligarkëve përpara pagesës së nevojave të shqiptarëve në mes të pandemisë. FMN është mëse e qartë dhe e shkruan e zeza mbi të bardhë se:  Shqipëria ka paketën më të ulët në rajon për mbështetjen e pandemisë dhe kjo ka rezultuar në impaktin më të madh negativ të krizës në xhepat e shqiptarëve dhe buxhetin e shtetit.

Kriza që ka prekur xhepat e shqiptarëve dhe më tej gjithë ekonominë e vendit përkthehet në një krizë të madhe që do të shoqërohet me një recesion ekonomik sa 7.5% e PBB-së. Kjo do të thotë një krizë edhe më e thellë në tavolinat e shqiptarëve, një rënie e të ardhurave në xhepat e qytetarëve, më shumë biznese të mbyllura dhe më shumë të papunë”, u shpreh Tabaku.

Sipas saj, kjo krizë po thellohet nga keqmanaxhimi i Edi Ramës dhe do të ndikojë në rënien e mëtejshme të PBB-së edhe në vitet në vijim.

“Vendi do të përballet që në fillim të 2021 me një borxh publik sa 81.9% e PBB-së pa përllogaritur detyrimet ndaj PPP-ve.

Ky buxhet nuk ofron asnjë mbështetje dhe asnjë burim dhe strategji për rritjen dhe pritet që kontraktimi i madh ekonomik dhe rritja e deficitit fiskal do të rrisin borxhin publik sipas FMN në 81.9% të PBB në fund të 2020, me skenarin për të shkuar në 88% pa PPP në vijim. Kjo është një situatë alarmante po të mendosh që Shqipëria është e dyta në rajon për Borxhin Publik sipas të dhënave të FMN dhe kjo situatë ka qenë shkak për mungesën e ndihmës ekonomik”, theksoi Tabaku.

 Ish-deputetja nënvizoi se i vetmi qëllim i qeverisë është si të përfitojë nga fatkeqësitë që i kanë rënë Shqipërisë.

“Shihni rastin e tërmetit dhe procesin e rindërtimit që është kthyer në një formulë se si qeveria dhe oligarkët përfitojnë ndërsa shqiptarët rrinë në tenda.  Ky përdorim politik dhe kjo vjedhje e hapur mban aq shumë erë sa edhe FMN në raportin e saj nënvizon nevojën dhe domosdoshmërinë për të qenë transparentë në procesin e rindërtimin.

Aq sa ajo thekson se është e domosdoshme që të sigurohet një prokurim i duhur publik, një mbikëqyrje strikte, një monitorim adekuat dhe një raportim i saktë (përfshirë edhe publikimin e pronarëve përfitues të kontratave të prokurimit) dhe një audit i pavarur i fondeve që të jetë i jashtëm.

Është fakt se mgjs qeveria deklaron shifra stratosferike që po angazhon për procesin e rindërtimit, aktualisht në buxhet janë parashikuar vetëm 280 mln euro të cilët duke pasur parasysh këto tregues nuk kanë për tu realizuar as gjysma”, tha ajo.

 “Raporti thekson detyrimet e prapambetura që sipas KLSH kanë arritur në pothuajse 600 mln euro dhe janë duke cenuar rëndë financat publike. Këto të fundit po rrezikohen prej tenderimeve jashtë buxhetit, prej rritjes së korrupsionit, prej parashikimeve jashtë realitetit, prej projekteve të paqëndrueshme dhe prej PPP-ve të cilat pritet që në 2021 të arrijnë nivelin 50% të PBB”, deklaroi ajo më tej.

 Tabaku u shpreh se bizneset vuajnë nga e gjithë kjo situatë, nga taksat e paqarta dhe nga administrata tatimore e korruptuar. 

 “Së fundi, por jo për nga rëndësia, Shqipëria sot vuan lakun fiskal që e ka kapur prej fyti që në vitin 2014. Bizneset sot vuajnë një sistem të taksave të paqartë, një administratë tatimore të korruptuar dhe kjo përkthehet në rënie të të ardhurave për buxhetin por edhe barrë fiskale e rënduar për biznesin.

 Përfituesit në këtë sistem kanë qenë një grup i vogël biznesesh të cilat dhe në kohë fakteqësia janë zhvilluar e rritur ndërkohë që masivisht bizneset pa mbështetje kanë ulur qepenat. Sot qeveria ka më shumë përjashtime nga taksat për miqtë dhe klientët e saj dhe taksa të larta për 97% të bizneseve”, tha ish-deputetja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat