Policia e Shtetit nuk ka asnjë person në pranga për dy atentatet me stil mafioz të mbrëmjes së kaluar në Vlorë e Lezhë, ku një i ri u vra dhe një 42-vjeçar mbeti i plagosur rëndë. Hetimet janë përqëndruar tek e shkuara e dy personave që ishin objektiv i sulmeve, ndërsa pritet ekspertizat në vendngjarje për gjurmë të mundshme të autorëve.
Një ekzekutim me stil mafioz. Dy atentate, një viktimë, një i plagosur.
Asnjë person në pranga.
Ky është bilanci i goditjeve kriminale në më pak se 24 orë në Lezhë e Vlorë.
Policia e Shtetit ende nuk ka arritur të zbardhe dy ngjarjet që tronditën vendin.
Hetimet për ekzekutimin e 27-vjeçarin Benjamin Bozhani janë përqëndruar tek veprimtaria e tij jashtë vendit.
I riu mësohet se ka qenë i dënuar për çështje të narkotrafikut në Itali, ndërsa ka raportime se ka qenë në burg edhe në Belgjikë.
Familjarët e tij konfirmojnë se ai ka qenë në burg, por thonë se nuk janë në dijeni të konflikteve që mund të ketë mbartur nga qëndrimi jashtë vendit.
Zyrtarisht ai rezulton i pastër edhe në për Policinë Shqiptare.
“Nuk kishte asnjë konflikt.”
“Djalë shumë i mirë.”
Në funksion të hetimit, policia u rikthye në vendin e krimit edhe këtë mëngjes, ndërsa në pyetje janë marrë rreth 10 persona.
Aktualisht të dhënat janë të pakta nëse ata i kanë shërbyer zbardhjes së vrasjes.
27-vjeçari, Benjamin Bozhani, u ekzekutua në makinën e tij në Dukat, pasi kishte dërguar të fejuarën në shtëpi.
Ai tentoi ti shpëtojë pritës por humbi kontrollin dhe doli jashtë rruge me mjetin, mbi të cilin u qëllua të paktën 22 herë nga një automatik dhe një pistoletë.
Pa autorë mbetet edhe atentati ndaj Aleksandër Dedës në Lezhë.
Për të shkuar drejt autorëve, po pret ekspertizën e gjurmëve në makinën e djegur dhe automatikun që u përdor për sulmin.
Mjeti rezultoi i vjedhur në Lushnje, ndërsa targat që u përdorën në Lezhë.
Ndërkohë grupi hetimor pritet të marrë në pyetje 42-vjeçarin, i cili ishte objektiv i sulmit për të mësuar më tepër detaje rreth motiveve të ngjarjes, çka mund të ndihmojë dhe në identifikimin e autorëve.