Basha dëgjon problemet e të rinjve në Kukës, tregon dy arsyet kryesore pse ata largohen nga Shqipëria

Shqipëria

Basha dëgjon problemet e të rinjve në Kukës, tregon dy arsyet kryesore pse ata largohen nga Shqipëria

Më: 4 dhjetor 2020 Në ora: 17:37
Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi një bashkëbisedim me disa të rinj në qytetin e Kukësit.

Gjatë bisedës me kryetarin Basha, të rinjtë, kryesisht gjimnazistë dhe studentë treguan vështirësitë me të cilat përballen në shkollimin e tyre.

Shumica u shprehën se situata ekonomike ka qenë pengesa kryesore në këtë sfidë madhore të të rinjve të qarkut më të varfër të Shqipërisë.

Ndërsa kreu i demokratëve, Lulzim Basha deklaroi se prioritetet kryesore që i detyrojnë të rinjtë të largohen janë arsimi dhe punësimi i të rinjve.

“Kushtet e papërshtatshme të arsimit, kushtet e papërshtatshme të jetesës ku përfshihet mundësia për punësim dinjitoz dhe kushtet e tjera që nga strehimi, mundësitë për të krijuar një strehë për familjen e re dhe stabiliteti, kushtet për arsimimin e fëmijëve, e tjera e tjera”- tha Basha.

Sipas Bashës këto të dyja janë të lidhura me detyrat e qeverisë.

“Një qeveri që i bën detyrat e saj e ka prioritet absolut rritjen ekonomike. Ne kemi pasur një plan të detajuar hartuar nga ekspertët më të mirë për ta nxjerrë vendin nga kriza ekonomike. Që nga ulja e taksave të cilat janë më të larta në rajon tek çmimi i përballueshëm i naftës dhe i energjisë, kush më mirë se ju në Kukës e bën krahasimin me çmimin e naftës në Kosovë.

Me një investim të huaj në fushën e teknologjisë e informacionit, rinia e Kukësit, rinia e Shqipërisë mund të sigurojë vende pune me paga të larta. Ju thoni çfarë duhet të bëjë qeveria? Të bëjë detyrën e saj që nuk po e bën sot. Do të bëjë politika ekonomike që do të nxisin zhvillimin ekonomik dhe do ta frenojnë atë. Do të krijojë mundësi për konkurrencë të ndershme, dhe jo monopole ku e gjithë Shqipëria është në duart e katër- pesë njerëzve.

Do ta konsiderojë arsimin e lartë një prioritet absolut dhe do të bëjë të mundur që universitetet shqiptare të kthehen në promotorë të brezave të mirëshkolluar, promotorë të zhvillimit, të dijes dhe të kulturës

Si ka mundësi që një vend të paguajë qindra mijëra dollarë për të blerë lap-top edhe kompjutera kryetari i bashkisë dhe nga ana tjetër të kemi shkolla ku fëmijët apo nxënësit, apo maturantët, apo gjimnazistët detyrohen të paguajnë nga buxheti i varfëruar i familjeve të tyre për t’u ngrohur? Kjo është e papranueshme.

Këto janë dy realitete të papajtueshmë me njëri tjetrin dhe e vetmja mënyrë për ti pajtuar është që paratë që i bëjnë rrush e kumbulla, me shpenzime luksi, me shpenzime të panevojshme të shkojnë mbi të gjitha aty ku ka më shumë nevojë shqiptari sot, shëndeti, ekonomia, natyrisht edhe gjendja e shkollave që nga ngrohja tek higjena edhe gjithçka tjetër. Ju falenderoj nga zemra, dhe kam bindjen që së bashku do t’i lëmë pas këto kohë të këqija, dhe do të bëjmë më të mirën për vendin tonë, për familjet tuaja dhe për gjithë shqiptarët”, tha Basha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat