Paralajmërohet sërish protestë në orën 18:00, ja masat që ka marrë policia te Kryeministria

Shqipëria

Paralajmërohet sërish protestë në orën 18:00, ja masat që ka marrë policia te Kryeministria

Më: 10 dhjetor 2020 Në ora: 16:20
Foto Ilustrim

Ditën e sotme pritet që në orën 18:00 të protestohet sërish për të kërkuar drejtësi për vrasjen e Klodian Rashës, 25-vjeç.

Por në ndryshim nga dita e djeshme ku policia nuk kishte marrë asnjë masë, duke sjellë edhe plagosjen e disa oficerëve të policisë, sot ka ndodhur e kundërta.

Mësohet se policia do të shtojë forcat policore në teren dhe do të jenë rreth 800 efektivë që do të bëjnë mbarëvajtjen e protestës.

Po ashtu edhe dera e Kryeministrisë është mbuluar me gardh metalik. Mbrëmjen e djeshme dera e këtij institucioni u mësy nga protestuesit dhe më pas u desh ndërhyrja e FNSH për qetësimin e situatës.

Edhe Kryeministria është pajisur lart me kamera shtesë që do të bëjë të mundur monitorimin e protestës, si dhe  identifikimin e personave që do krijojnë tensione.

Ditën e djeshme qytetarët sulmuan dyert e dritaret e ministrisë së Brendshme fillimisht, për të vijuar me Kryeministrinë, e sheshin “Skënderbej”.

Pas ngjarjes mbetën të plagosën 16 policë, njëri prej tyre në gjendje më të rëndë, pasi rrezikon të humbasë njërin sy.

Policia arrestoi tre personat e proceduar 7 të tjerë, mes tyre edhe reperin Stresi, por këto masa dhe paralajmërimet policore duket se nuk do i ndalin protestuesit. Kujtojmë se në këtë orë, kryeministri Edi Rama ka njoftuar në dalje për mediat, ku do të japë qëndrimin e tij në lidhje me ngjarjen e rëndë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat