Negociatat/ “Rama akuzohet për tendenca autoritariste në PE”/ Çfarë thotë raporti i diskutuar, i cili dënon…

Shqipëria

Negociatat/ “Rama akuzohet për tendenca autoritariste në PE”/ Çfarë thotë raporti i diskutuar, i cili dënon…

Më: 10 dhjetor 2020 Në ora: 17:45
Foto Ilustrim

Shumë prej grupeve të Parlamentit Europian mbështetën hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë gjatë një debati të zhvilluar të enjten ndërsa së paku një prej tyre, Mick Wallace i të Majtës së Bashkuar, akuzoi kryeministrin shqiptar për tendenca autoritariste dhe shprehu keqardhje se si shqiptarët detyrohen të vijojnë të emigrojnë për shkak të varfërisë në vend.

Projektraporti i Parlamentit Europian për Shqipërinë është përgatitur nga raporterja Isabel Santos, politikane socialiste nga Portugalia.

Projektraporti përgëzon Shqipërinë për disa arritje, por vlerëson se lufta ndaj krimit të organizuar është në nivel të pamjaftueshëm ndërsa kërkoi që ekstradimi i turkut Harun Çelik nga policia shqiptare në rrethana të paqarta të hetohet si një shkelje e mundshme e të drejtës për azil. Raporti dënon gjithashtu klimën e frikës, fushatat denigruese ndaj gazetarëve dhe shpreh “shqetësime të rënda” mbi nismat ligjore të qeverisë për ligjin e medias.

Draftraporti i kërkon qeverisë të vendosë si prioritare përmirësimin e kushteve të jetesës së shqiptarëve si rruga e vetme për ndalimin e hemoragjisë së emigrimit ndërsa në tërësi, mbështet mbajtjen e tryezës së parë ndërqeveritare për bisedimet për anëtarësim.

ThomasW, një eurodeputet nga grupi i të gjelbërve kritikoi qeverinë për programet për incineratorë duke rikujtuar se vendi ka nevojë për riciklim të mbetjeve dhe jo për djegie apo groposje ndërsa lavdëroi deklaratën e Ramës për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar.

Waitz theksoi gjithashtu se Shqipëria do të duhet të rivendosë kushtet ligjore të kufizimit të pronësisë së medias kombëtare, siç është standardi evropian. Shqipëria kishte një kufizim të tillë deri në vitin 2015, ku asnjë individ nuk lejohej të kishte nën pronësi më shumë se 40% të një televizioni kombëtar, por Gjykata Kushtetuese e shpalli kufizimin “disproporcional për synimin”. Sipas Waitz, kjo sjell një “përqendrim shumë të rrezikshëm në pronësinë e medias”.

“Kushdo që ka qenë në Shqipëri dhe ka parë atë vend të mrekullueshëm ka gjasa ka parë edhe shkatërrimin e bërë nga mbeturinat e hedhura gjithkund,” tha Waitz ndërsa rekomandoi që BE të japë ndihmesë për zhvillimin e një sistemi riciklimi në Shqipëri.

Waitz shprehu mbështetje për hapjen e bisedimeve në emër të grupit europarlamentar të të gjelbërve.

“Një gjë duhet të jetë i qartë për ne anëtarët, që fillimi i bisedimeve nuk do të thotë se ky vend po mbërrin në Bashkimin Evropian, por përmes bisedimeve, ne mund të shtyjmë vendin drejt zhvillimit të një demokracie moderne dhe Evropiane,” tha ai.

“Nuk ka kuptim që të vendosim më shumë kushte, le të shkojmë atje, të flasim me njerëzit dhe t’i ndihmojmë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian,” shtoi Waitz, i cili është gjithashtu edhe raporteri hije për Shqipërinë.

Mick Wallace, eurodeputet i të majtës së bashkuar ishte më kritiku ndaj qeverisë dhe gjithashtu më mbështetësi për hapjen e bisedimeve.

“Mungesa e progresit [për integrimin] përgjatë gjithë këtyre viteve ndoshta ka dëmtuar shpresat dhe ndjesitë në rajon ndaj BE-së,” tha ai.

“Në Shqipëri, Rama, jopopullor dhe gjithnjë e më shumë autoritarist, duket se nuk ka opozitë të organizuar,” komentoi Wallace duke përmendur ligjin kontrovers për mediat si argument.

“Ka nevojë për të krijuar kushtet që shqiptarët të kthehen në shtëpi dhe ata që janë në shtëpi, të qëndrojnë në shtëpi,” shtoi Wallace, ndërsa nënvijëzoi se njeh shumë shqiptarë në Irlandë të cilët, sipas tij, janë punëtorë shumë të mirë.

“Është e tmerrshme që kushtet janë ende kaq të varfra për ta sa duhet të lënë vendin për të siguruar jetesën gjetkë,” shtoi ai.

Të gjitha grupet e Parlamentit Europian kanë kohë deri më datë 16 dhjetor për të dorëzuar propozime për amendime në raportin e Santos. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat