Shit-blerja e votave do të hetohet nga SPAK-u, Komisioni i Ligjeve miraton ndryshimet në Ligjin për Prokurorinë

Shqipëria

Shit-blerja e votave do të hetohet nga SPAK-u, Komisioni i Ligjeve miraton ndryshimet në Ligjin për Prokurorinë

Më: 14 dhjetor 2020 Në ora: 14:55
Komisioni i Ligjeve

Çdo njeri që do të tentojë të blejë votën me para ose shkëmbim të favorve të tjera përfituese në zgjedhjet e 25 prillit do të hetohet nga SPAK.

Socialistëve ju deshën disa ditë që të reflektonin për ndryshimet në ligjin e Prokurorisë, pasi në seancën e parë, deputetët e mazhorancës këtë nisëm të dakordësuar në Këshillin Politik e panë në kundërshtim me reformën në drejtësi.

“Veprat penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv në zgjedhje do të hetohen nga SPAK-u. Një vepër penale korrupsioni ka gjithmonë dy palë, një që jep dhe një që merr.”

Prokurori i Përgjithshëm dhe Kreu i SPAK do të japin “llogari” para KQZ për mbarëvajtjen e hetimeve për krimet zgjedhore, por duke mos cënuar sekretin hetimor.

Por kreu i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja e ka shfrytëzuar këtë moment për të kërkuar staf shtesë nga Komisioni i Ligjeve.

“Prokurori i Përgjithshëm dhe drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, sipas juridiksionit përkatës i japin KQZ-së informacion që nuk cënon sekretin hetimor sipas dispozitave të kodit të procedurës penale.”

Komisioni i Ligjeve ka miratuar edhe ndryshimet në kodin e procedurës penale dhe kodin penal, të cilat lehtësojnë të gjithë ata persona që kryejnë krime zgjedhore por pendohen dhe bashkëpunojnë me drejtësinë.

Paketa me 7 ligje e dakordësuar nga PD dhe PS në Këshillin Politik dhe të miratuar nga Komisioni i Ligjeve do të kalojë në seancën e 17 dhjetorit, të fundit për këtë sesion parlamentar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat