Gati ndarja e kredive të buta/ Fituesit, gjashtë muaj afat për t’u paraqitur në bankë! Ja shuma që përfitojnë dhe kushtet

Shqipëria

Gati ndarja e kredive të buta/ Fituesit, gjashtë muaj afat për t’u paraqitur në bankë! Ja shuma që përfitojnë dhe kushtet

Më: 15 dhjetor 2020 Në ora: 16:28
Foto ilustrim

Kanë mbetur vetëm pak ditë nga shpallja e një mijë familjeve që përfitojnë kredi me interes të zbutur për blerjen e një banese në Tiranë.

Drejtoresha e Shërbimit Social, Anisa Subashi, bën me dije se është përmbyllur procesi i shqyrtimit të dosjeve me emrat që do të nisen brenda pak ditësh për miratim në Këshillin Bashkiak. “Jemi në fazën përmbyllëse. Drejtoria e Shërbimit Social ka bërë gati të gjithë listën dhe jemi në fazën ku ia propozojmë Këshillit Bashkiak, i cili merr vendimin.

Njëmijë familje do të gëzohen, do të jenë fitues të kredisë së butë brenda Vitit të Ri”. Ky program ka zgjatur përtej parashikimeve këtë vit. Pandemia bëri që fazat e aplikimeve të shtyhen disa herë për shkak të mbylljes së përkohshme të zyrave të shërbimit, që penalizonte qytetarët në mbledhjen e dokumenteve.

PËRFITUESIT

Shanset për t’u shpallur fitues të programit të subvencionimit të kredive për shtëpi janë shumë të mëdha. Nga thuajse 2400 aplikues, gati gjysma e tyre do ta gjejnë emrin në listë. Por, si çdo vit, janë disa kategori që kanë prioritet, duke u renditur më lart në sistemin e pikëzimit me të cilin Bashkia shqyrton dosjet. “Kemi pasur në fokus tri kategori. Ata të komunitetit rom dhe egjiptian, grave kryefamiljare dhe çiftet e reja, mosha e përbashkët e të cilëve, 70 vjeç.

Por ne nuk kemi penalizuar edhe kategori të tjera. Fitues janë fëmijë jetimë, familje që kanë në përbërje një person me aftësi të kufizuar, ish-emigrantë apo edhe një individ i ri që ka dëshirë të krijojë familje në të nesërmen”, sqaron Subashi. Programi i subvencionimit të interesave të kredisë u dedikohet kryesisht individëve të pastrehë, por që kanë të ardhura mesatare.

Çka nënkupton se familjet fituese duhet të kenë një sasi parash, por që janë të pamjaftueshme për të blerë një shtëpi me interesat e tregut të lirë. Pikërisht, këtu i vjen në ndihmë qeveria, e cila përmes Bashkisë së Tiranës targeton dhe bën me banesë të re çdo vit njëmijë familje. Interesi është i pandryshueshëm, 3% për një periudhë 25 deri 30-vjeçare. Është një facilitet shumë i madh për këta të rinj, që i kemi në fokus”, nënvizon drejtoresha e strehimit.

SKEMA E SUBVENCIONIMIT

Pas kalimit të emrit në Këshillin Bashkiak është një tjetër sitë që do të duhet të kalojnë familjet e përzgjedhura, me qëllim për të marrë shumën, në varësi të strukturës dhe të ardhurave që kanë (sipas tabelës bashkëngjitur shkrimit). Me përfundimin e kësaj faze, ata hyjnë në një marrëdhënie të re, atë me bankën, e cila ka kriteret e veta. “Ne kemi bashkëpunim me tri banka të nivelit të dytë, përmes të cilave sigurojmë që kësti të jetë sa më i ulët. E vendosin vetë qytetarët, në bazë të të ardhurave.

Dhe interesi, që është shumë i rëndësishëm, ky 3%-shi nuk ndryshon. Në varësi të strukturës familjare është edhe pagesa që përfitojnë”, bën me dije Subashi. Një nga kriteret për të përfituar kredinë është ai i të ardhurave familjare, të cilat nuk duhet të jenë më poshtë 31 mijë lekëshit dhe më shumë se 114 mijë lekë.

Ky ka qenë një nga kushtet që ka penalizuar disa qytetarë që në krye të herës, të cilët ose e kanë tejkaluar ose kanë qenë poshtë këtij limiti. Fituesit kanë afat deri në gjashtë muaj për t’u paraqitur në një prej tri bankave që Bashkia ka kontraktuar. Paralelisht me këtë, duhet të niset nga puna për gjetjen e shtëpisë. Kriteri i vetëm është që ajo të jetë brenda territorit të Bashkisë Tiranë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat