Rrëfimi i Agron Kollçakut pas arrestimit për rastin “Panda”: Na dërguan në një shkollë në Prokuple, i lëshuan nxënësit të na rrahin

Shqipëria

Rrëfimi i Agron Kollçakut pas arrestimit për rastin “Panda”: Na dërguan në një shkollë në Prokuple, i lëshuan nxënësit të na rrahin

Më: 15 dhjetor 2020 Në ora: 22:05
Agron Kollçaku

Agron Kollçaku një ditë pas varrimit të pesë të rinjve serb e malazez të vrarë në kafiterinë “Panda” në Pejë ishte arrestuar nga policia serbe.

Ai në “Debat Plus” thotë se nuk e ka pasur idenë pse është arrestuar.

“Nuk kam pasur asnjë komunikim me UÇK-në, por e kishim një polic të lagjes që dyshoj se ai i ka dërguar te unë. Në atë kohë unë vëllain e kam pasur në UÇK dhe mendoj se i kanë gjetur letërnjoftimet në Gllogjan”, tregon Kollçaku.

“Ka qenë ora pesë e mëngjesit kur na kanë rrethuar shtëpinë. Nuk ka shkuar asnjë orë dhe më kanë arrestuar. Kanë ardhur direkt me emër dhe më kanë arrestuar. Për fat të mirë para familjes nuk më kanë rrahur. Kur kemi shkuar te Karagaçi aty kanë filluar maltretimet e deri në stacion policor”.

“Në stacion më kanë thënë: A nuk ju vjen turp se çfarë ju keni bërë fëmijëve. A nuk keni turp të vrisni fëmijët. Kanë vazhduar maltretimet: Ku ke qenë, çfarë keni bërë. Unë nuk e kish idenë çfarë po thonë. 48 orë qëndruam në “SUP” më pas na kanë dërguar në burg”.

Agroni tregon se deri në fillimin e bombardimeve të NATO-s vazhdimisht është maltretuar e më pas është dërguar në Leskovc.

Ai thotë se gjatë transferimit për në Serbi, ata janë ndalë në një shkollë fillore ku i kanë detyruar nxënësit të na rrahin.

“Te një shkollë fillore në Prokuple i kanë lëshuar nxënësit e shkollës fillore tetë vjeçare duke i urdhëruar të na rrahin. Iu kanë thënë këta janë ata që kanë vrarë të rinjtë serb në Pejë. Ne ishim me kohë poshtë e duart mbas shpine. Çfarë mund të bënim”, tregon më tej Agron Kollçaku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat