“Policia e Shtetit, no problem”, menaxheri sherr me amerikanin në hotelin në Tiranë: S’vij në komisariat...

Shqipëria

“Policia e Shtetit, no problem”, menaxheri sherr me amerikanin në hotelin në Tiranë: S’vij në komisariat...

Më: 22 dhjetor 2020 Në ora: 19:25
Ilustrim

Një 61-vjeçar nga California me inicialet S. h. B i ka bërë me djersë të ftohta stafin e një hoteli në kryeqytet, pasi për një kohë të gjatë refuzoi të paguante shpenzimet për ushqimin dhe pijet. Amerikani këmbëngulte se veç dhomës së hotelit, ushqimet dhe pijet do t’i paguante kur të largohej nga hoteli, por punonjësit kanë insistuar se rregullorja ishte që fatura t’i shlyente çdo fillim javë. Në konflikt e sipër, amerikani u përplas dhe me kamerierin, të cilin e akuzoi se ai i kishte vjedhur dy cigare hashash. Ngjarja është regjistruar në komisariatin numër tre dhe për këtë incident është vendosur në dijeni edhe ambasada amerikane tregojnë burime të policisë, të cilat sapo kanë marrë ankesën e stafit hotelier me adresë në sheshin Rilindja, kanë administruar dëshmitë e secilës palë.

Menaxheri i hotelit tregon në polici se amerikani pagoi dhomën numër 306. Më pas amerikani nuk ka pranuar të paguajë shpenzimet e minibarit. “Ky shtetas ka porositur në barin tonë dhe ka harxhuar pijet në minibar, shpenzimet e tij shkuan në 59 mijë lekë të reja. Duke dyshuar se nuk do t’i paguante i kërkuam që shpenzimet t’i hiqte çdo fillim javë. Por ai kundërshtoi”, thotë në polici menaxheri me inicialet K. SH. Kjo gjendje ka vazhduar gjatë sipas policisë, duke qenë se amerikani këmbëngulte se shpenzimet do t’i paguante në fund të qëndrimit. “Ky shtetas pati incident me ne, kur dërguam kamerierin për t’i çuar ushqim në dhomë ai e akuzoi se i kishte vjedhur dy cigare hashash”. Denoncuesit këmbëngulin se klienti vip i kishte vënë në lojë dhe i kishte tallur.

“Ne kërkuam shpjegime, por ky shtetas ngriti zërin dhe filloi të na ofendojë. Kur ne i bëmë të qartë afatin se kur duhet të dorëzonte dhomën, ai doli dhe u kthye me një shok të tijin, me të cilin porositën për të ngrënë dhe nuk paguan”, thekson në denoncim menaxheri.

Sipas tij të ndodhur përpara kokëfortësisë së klientit ata kanë njoftuar policinë, por kur në vendngjarje ka mbërritur një oficer, i cili nuk e fliste anglishten oficeri ka komentuar vetëm kaq “Policia e shtetit, no problem”. Bëhet me dije nga burimet se pavarësisht se oficeri ka tentuar ta qetësojë klientin, ai ka filluar ta shajë edhe oficerin dhe më pas ka thyer xhamat e hotelit. “Kjo ka qenë ngjarja dhe hoteli ka kamera sigurie, ku vërtetohet që kamerieret nuk kanë hyrë ndonjëherë në dhomë dhe se nuk i kanë vjedhur cigaret e hashashit si ai pretendon”, mbyll denoncimin menaxheri.

Policia thotë për gazetën Si se ka tentuar të marrë në pyetje edhe të denoncuarin, të cilit i është vendosur në dispozicion një avokat falas dhe që fliste anglisht. Por ai deklaron “do flas në një moment tjetër, kërkoj një përkthyes të licencuar”.

Policia më pas shkruan në procesverbal se kur kanë tentuar ta njoftojnë për t’u paraqitur në komisariat përmes telefonit amerikani iu është përgjigjur: nuk vij në komisariat, në qoftë se doni të më pyesni hajdeni në ambasadë.

Të ndodhur përpara këtyre kushteve, policia thotë për gazetën Si se amerikani do të referohet për hetim për veprën e shkatërrimit të pronës me dashje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat