3.6 milionë euro për inceneratorët, impiantet e Fierit dhe Tiranës morën paratë më 29 dhjetor

Shqipëria

3.6 milionë euro për inceneratorët, impiantet e Fierit dhe Tiranës morën paratë më 29 dhjetor

Më: 2 janar 2021 Në ora: 14:10

Ditët e fundit të vitit 2020, inceneratori i Fierit dhe i Tiranës kanë marrë nga fondet buxhetore, të dy së bashku rreth 3.6 milionë euro.

Pagesat për kompaninë që ka në përgjegjësi impantin e Fierit janë ekzekutuar në datën 29 dhjetor në 3 këste të ndryshme, me shumë totale 246 milionë lekë, ose rreth 2 milionë euro.

Ky impiant, sipas ministrit Blendi Klosi, i cili e vizitoi në muajin tetor, pritej të përfundonte ndërtimin në dhjetor, por në Ministrinë e Infrastrukturës thonë se tashmë shoqëria po bën rakordimet e fundit, dhe brenda muajit shkurt të bëjë dorëzimin.

Në po të njëjtën datë, ka përfituar edhe kompania që ka në administrim inceneratorin e Tiranës një shumë të përgjithshme në masën e 198 milionë lekëve, ose 1.6 milionë euro. Për të dy impiantet bashkë me atë të Elbasanit, edhe ky me një transaksion 395 mijë euro në 20 dhjetor, ka pasur polemika të forta nga shoqëria civile dhe opozita, kryesisht për ndotjen mjedisore dhe favorizime klienteliste, megjithatë për qeverinë ata shihen si zgjidhja më efikase për menaxhimin e mbetjeve.

Nga viti 2015, rreth 75 milionë euro janë paguar nga buxheti i shtetit për ndërtimin dhe funksionimin e tre inceneratorëve, ku vetëm ai i Elbasanit ka përfunduar, por nuk punon me kapacitet të plotë.

Në prill të vitit 2020, qeveria  pezulloi përkohësisht pagesat për nevojat e paketave ndihmëse që lindën në fillim të pandemisë, por ato rinisën sërish pas muajit qershor.

Debat për 3 impantet e djegieve u hap edhe pas publikimit të një raport i Ministrisë së Financave në tetor, ku thuhej se shoqëritë në Fier dhe Tiranë kanë marrë pagesat e rregullta, por kanë investuar vetëm 10 për qind tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat