“Shkes” për kalimin e Naços te PS? Koka flet për videon me Ramën dhe takimin me Nanon: Ishte bisedë miqësore, e takova kur…

Shqipëria

“Shkes” për kalimin e Naços te PS? Koka flet për videon me Ramën dhe takimin me Nanon: Ishte bisedë miqësore, e takova kur…

Më: 7 janar 2021 Në ora: 10:17
Lefter Koka, Edi Rama dhe Nasip Naço

Lefter Koka mohon që të ketë ndikuar tek ish-ministri i LSI-së Nasip Naço për t’iu bashkuar PS-së në zgjedhjet e ardhshme të 25 prillit. Në një intervistë për “ABC News”, Koka tha se videoja që qarkulloi dje ishte një bisedë miqsh, por që nuk ishte për të ndikuar te vendimmarrja e tij.

“Ndoqa sot (dje) përmes mediave videon që u bë publike pas disa kohësh. Sigurisht ngela i befasuar. Di që kohët e fundit ka qenë i caktuar në Durrës si koordinator dhe më pas në Berat. Gjithsesi janë probleme të një partie që unë kam më shumë se dy vite që nuk jam i angazhuar me problemet e brendshme të LSI-së. Videoja që doli sot (dje) më bën për të qeshur. Ajo është bërë në fund të sezonit veror. Ka qenë një komunikim midis miqsh dhe nuk ka pasur asnjë komunikim për një lëvizje politike të kësaj natyre”, tha Koka.

Por ish-deputeti rebel i LSI-së, Lefter Koka, pranoi se kishte takuar më herët Nasip Naçon, kur Lëvizja Socialiste për Integrim e kishte caktuar Naçon koordinator në Durrës. Duke qenë se të dy ishin në Qarkun e Durrësit, por këtë herë në parti të ndryshme, Koka sqaroi se me Naçon kishin biseduar që në çdo keqkuptim eventual që të krijohej mes tyre si dy miq, t’i krijonin mundësi njëritjetrit për të diskutuar, në mënyrë që sipas kokës të mos prishnin miqësinë.

“Nuk besoj që as Naço dhe as unë nuk e kemi moshën dhe kemi eksperiencën e nevojshme që të mos influencojmë te njëri-tjetri për vendimet që do të marrim. Unë jam kontaktuar me z. Naço në momentin që ai është caktuar koordinator në Qarkun e Durrësit. Dhe kemi bërë një bisedë shumë të sinqertë midis miqsh dhe kemi thënë që siç funksionon në politikë, i kemi lënë hapësirë njëri-tjetrit që në çdo rast që do kishte një keqinterpretim, i cili do të na prishte raportin miqësor, të bisedonim. Ishte një komunikim midis miqsh. Ai përfaqësonte LSI-në dhe unë aderoja te një parti tjetër. Pastaj, vendimet çdokush i ka individuale”, tha Koka.

Në intervistën për “Abc News”, Koka ndau detaje edhe për takimin e zhvilluar dy muaj më parë me ishKryeministrin Nano. Ai tha se kishte biseduar me të për politikën aktuale, por jo për rikthimin e Nanos në politikën aktive.

“Rreth dy muaj më parë jam takuar edhe me ish-Kryeministrin Fatos Nano. Ishte një takim mes miqsh. Është një kohë që e konsumoj vërtet me shumë kënaqësi. Ne sigurisht diskutuam edhe për politikën aktuale. Janë të shumtë politikanët e sotëm, të cilët diskutojnë ende me z. Nano. Ai i gëzon këto vlera jo thjesht në atmosferën politike, por edhe te qytetarët. Ai është një njeri që di të vlerësojë qoftë rolin e Kryeministrit aktual, por qoftë edhe të opozitës. Unë do ta dëshiroja rikthimin e tij në politikë, por në takimin që pata para dy muajsh nuk biseduam për këtë çështje”, tha Koka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat