“Jo më policë me tatuazhe”, Manjani i ashpër: Rregullorja është e paligjshme, shkel të drejtat e njeriut

Shqipëria

“Jo më policë me tatuazhe”, Manjani i ashpër: Rregullorja është e paligjshme, shkel të drejtat e njeriut

Më: 15 janar 2021 Në ora: 20:52
Ylli Manjani

Personat që kanë tatuazhe në pjesët e dukshme të trupit dhe duan të bëhen pjesë e radhëve të Policisë së Shtetit nuk do të pranohen më kurrë. Është ky një nga ndryshimet e bëra nga uniformat blu në rregulloren për aplikantët, që garojnë për t’u bërë pjesë e policisë.

Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani tha në Euronews Albania se asnjë pikë në ligjin aktual nuk e pengon garimin e kujtdo, që ka tatuazhe në trup për t’u bërë pjesë e Policisë.

Rregullorja e re shtoi Manjani është veprimi i paligjshëm dhe si e tillë nuk mund të aplikohet.

“Asnjëra nga pikat e ligjit nuk kërkon të mos ketë tatuazhe. Kush guxon të dalë mbi këtë ligj, drejtori i policisë, drejtori i akademisë, drejtori i qeverisë. Kushdo që guxon të dalë mbi këtë ligj është veprim i paligjshëm. Ajo rregullore shumëzohet me zero dhe hidhet në koshin e plehrave në kuptimin ligjor të fjalës”, tha ai.

Përballë gazetares Loneta Progni, ish-ministri i Drejtësisë thotë se asnjë polici perëndimore nuk e aplikon këtë masë penguese për personat, të cilat kanë tatuazhe në trupin e tyre.

“Unë bëra një kërkim, dhe shoh si e trajtojnë këtë çështje policitë e vendeve të tjera. Përgjigja është “Po”. Mund të pranohen policët nëse kanë tatu.  Kjo quhet dhunim i hapur i të drejtave të njeriut. Nuk ka asnjë rregull tjetër”, tha ai.

 Rregullat për t'u bërë pjesë e Akademisë së Policisë thotë Manjani janë të diktuara qartë në ligj dhe çdo veprim tjetër është i papranushëm.

“Rregullat e pranimit në Akademinë e Policisë i ka vendosur ligji jo Maliqi, të tjerat janë përralla. Shteti funksionon mbi ligje”, u shpreh ai.

Po ashtu, ndryshime të tjera të bëra në procesin e konkurrimit lidhen me rastet kur nuk kalohet testi fizik, ai me shkrim apo psikologjik si dhe një sërë testesh të tjera mes të cilave nëse është përdorues lëndësh narkotike apo ka varësi ndaj alkoolit.  

Ndërkaq për ato aplikantë, të cilët hyjnë në kategorinë e fëmijëve të punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës do të përcaktohen procedura lehtësuese për pranimin e tyre në Akademinë e Sigurisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat