Një ndër veprat më të rralla të Mbretërisë, Ura e Zogut drejt shkatërrimit të plotë

Shqipëria

Një ndër veprat më të rralla të Mbretërisë, Ura e Zogut drejt shkatërrimit të plotë

Më: 16 janar 2021 Në ora: 17:08
Pamje nga vendi i ngjarjes

Ura e Zogut që ndodhet mbi lumin Mat në Milot, një ndër veprat më të bukura dhe të rralla në kohën e Mbretërisë, por degradohet çdo ditë.

Edhe pse kjo urë rezulton tek monumentet e kulturës pranë Ministrisë së Kulturës, kujdesi ndaj saj është zero. Ura është lënë totalisht në mëshirë të fatit dhe për pak kohë ajo mund të shembet e gjitha. Pamjet e këmbëve të saj në anën veriore janë vërtetë të frikshme pasi elementet metalik janë zhveshur nga ato të betonit, duke bërë që e gjithë pesha të qëndrojë mbi këto hekura.

Që me ndërtimin e rrugës së Kombit, ura nuk u përdor për kalimin e mjeteve, duke e bërë atë lehtësisht të aksesueshme nga persona të papërgjegjshëm që po i vjedhin çdo ditë elementët metalik për t’i shitur më pas për skrap.

Reshjet e fundit nuk e kursyen as këtë herë,pasi pjesë të tjera të saj u shkëputën dhe ranë në lumë. Jo e largët do të jetë dita kur ajo të rrëzohet e gjitha.

Megjithëse është monument kulture për shkak të vlerave arkitekturore dhe historike, sot, ura me harqe nuk mbrohet nga askush.

I vetmi që shqetësohet për të është historiani Pal Trashaj.

“Për këtë urë nuk kujdeset askush dhe pas shumë ulërimash kjo urë tani do të mbetet, “Na ishte një herë”. Ura është dëmtuar rëndë”, shprehet ai.

Ai thotë se institucionet përgjegjëse duhet të marrin masa për rikonstruksionin e saj.

“Mendoj që kjo urë ka mundësi që të ringjallet. Mos t’ju shkojë mendja që kjo urë nuk bëhet, por mos kurseni fonde. Lërini tenderat fallco”, thotë ai.

Për banorët kjo urë duhet të ruhet.

“Kjo është një pasuri kombëtare dhe duhet të ruhet”, thotë një banor.

Mos harroni, vepra kulturore që po degradon dita-ditës është e njohur si një ndër më të mëdhatë në Ballkan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat