Pëllumb Pipero, për pyetjen më të shpeshtë të të prekurëve me Covid-19

Shqipëria

Pëllumb Pipero, për pyetjen më të shpeshtë të të prekurëve me Covid-19

Më: 19 janar 2021 Në ora: 07:01
Pëllumb Pipero

Të gjithë ata që e kanë kaluar koronavirusin, vazhdojnë të kenë të njëjtën pyetje për t’u bërë mjekëve e specialistëve: A duhet ta bëj tani vaksinën anti Covid?

I ftuar në një studio televizive disa ditë më parë, mjeku Genc Sulçebe, tha se ai vetë nuk do ta bëjë vaksinën tani, por jo sepse nuk beson tek ajo. Arsyeja është sepse ai e ka kaluar Covid-in dhe, në këtë moment, vaksina u duhet më shumë atyre që nuk e kanë kaluar virusin: “Unë e kam kaluar Covid-in, s’kam nevojë ta bëj. E kotë që ta bëj, duhet ta bëjnë sa më tepër njerëz që nuk e kanë kaluar. S’ka kuptim ta bëjmë ne që e kemi kaluar. Pas 1 viti ose 2 mund ta bëjmë”,- tha Sulçebe.

Në po të njëjtën linjë flet edhe doktor Pëllumb Pipero, në një intervistë të fundit në media, duke u kthyer përgjigje, në këtë mënyrë, të gjithë atyre njerëzve që e kanë kaluar Covid-in dhe vazhdojnë të pyesin nëse duhet apo jo ta bëjnë vaksinën.

Kështu, sipas Piperos, njerëzit që e kanë kaluar koronavirusin, krijojnë imunitet natyral, ndoshta të vlefshëm për gjithë jetën dhe, si rrjedhojë, nuk kanë nevojë të bëjnë vaksinën anti-Covid. Edhe pse ende nuk dihet sa është kohëzgjatja e imunitetit nga infektimi natyral dhe antitrupat, doktor Pipero thotë se kjo mbetet për t’u parë, por gjithsesi fasha e fundit për të aplikuar vaksinën janë pikërisht ata që e kanë kaluar virusin.

“Unë kam pasur dhe kam mendimin se personat që e kalojnë Covid-19, me ose pa nevojshmëri klinike, jo vetëm përballin një sfidë, por edhe krijojnë imunitet natyral, i mjaftueshëm dhe i vlefshëm për një kohë relativisht të gjatë, ndoshta për gjithë jetën, kjo mbtetet për t’u parë, natyrisht, ndaj mendoj se nuk e kanë të rekomanduar vaksinimin, madje nuk e kanë as të nevojshëm, edhe pse nuk ju bën dëm, përkundrazi. Gjithsesi, varet nga udhëzimet e OBSH-së dhe politikave lokale ta aplikojnë apo jo vaksinën. Në ketë rast, unë do mendoja që ata të ishin fasha e fundit për ta aplikuar".

Doktor Pipero thotë se rezultatet duhen pritur pasi duhet të vaksinohet së paku 20 % e popullsisë, dhe më pas që mund të shënojë fundin  e pandemisë 60 % e popullsisë: “E sigurt është që vaksina shënoi fillimin e fundit të kësaj pandemie.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat