Zbardhet pasuria e Lleshajt/ Mori dy kredi për shtëpi, por nuk deklaron asnjë në pronësi

Shqipëria

Zbardhet pasuria e Lleshajt/ Mori dy kredi për shtëpi, por nuk deklaron asnjë në pronësi

Më: 20 janar 2021 Në ora: 15:45
Sandër Lleshaj

Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj deklaron pasuri familjare me vlerë 15.7 milionë lekë në fund të vitit 2018, mes së cilës llogaritet edhe një kredi e butë e marrë për strehim, por që i është dhënë hua një kompanie private.

Sandër Lleshaj u zgjodh ministër i Brendshëm në kabinetin e kryeministrit Edi Rama në nëntor 2018 dhe u largua me dorëheqje në 10 dhjetor 2020, si pasojë e shpërthimit të protestave për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një punonjës policie.

Sandër Lleshaj është diplomuar në vitin 1985 në Shkollën e Lartë të Oficerëve në Tiranë në degën e Radiolokacionit, ndërsa në vitin 1996 është diplomuar për drejtues në mbrojtjen kundërajrore në Gjermani.

Në vitin 1999 ka përfunduar studimet si oficer i Shtabit të Përgjithshëm dhe Kursin e Studimeve të Sigurisë Europiane në Akademinë e Drejtimit në Hamburg të Gjermanisë. Në vitin 2012 ka përfunduar studimet e doktoratës në Tiranë dhe ka marrë gradën “Doktor i Shkencave”.

Pas përfundimit të Akademisë Ushtarake në Tiranë, zoti Lleshaj ka mbajtur disa detyra të larta në Forcat e Armatosura, ndërsa në vitin 2003 u emërua Atashe i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë në Republikën Federale të Gjermanisë.

Në vitin 2006, Z. Lleshaj është emëruar Komandant i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, ndërsa në vitin 2009 ka marrë gradën madhore Gjeneral Brigade. Në vitin 2010 është emëruar në detyrën e Zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Ai u lirua nga Forcat e Armatosura në maj 2013 dhe në shtator u emërua këshilltar për Sigurisë pranë Kryeministrit të Shqipërisë.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së ish-ministrit Sandër Lleshaj nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasuritë e anëtarëve apo ish-anëtarëve të Këshillit të Ministrave gjatë viteve 2013-2020.

Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj nga viti 2006 deri në fund të vitit 2018.

Në deklaratën e dorëzuar në ILDKPKI në vitin 2006, Sandër Lleshaj deklaronte pasuri familjare me vlerë 1 milion lekë, ndërsa në fund të vitit 2018, pasuria familjare kap vlerën e 15.7 milionë lekëve.

Pasuria familjare ndahet në 11.3 milionë lekë likujditete bankare, likujditete në cash prej 2.2 milionë lekësh dhe një automjet me vlerë 2 milionë lekë.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 29.8 milionë lekë, nga të cilat 51% burojnë nga paga e Z. Lleshaj dhe gati 20% nga pagat e familjarëve. Rreth 28% e të ardhurave kanë burime të ndryshme.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 13 vite të deklarimit, njëra prej të cilave rezultoi me probleme.

Ish-ministri Sandër Lleshaj rezulton me burime të mjaftueshme financiare për të mbuluar shtesën e aseteve në vitin 2013 në shumën e 12, 147 lekëve, pa llogaritur në këtë analizë shpenzimet vjetore për konsum familjar.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamuj të kuq” deklarimin mbi kreditë bankare.

Më konkretisht në vitin 2006, Z. Lleshaj deklaron marrjen e një kredie për shtëpi në vlerën e 1.2 milionë lekëve, por nuk deklaron të zotërojë pasuri të patundshme. Në vitin 2008, ai sqaron se kjo kredi ishte marrë për llogari të babait të tij, nga i cili paguhen edhe këstet.

Po në vitin 2008, Z. Lleshaj deklaron marrjen e një kredie të butë për shtëpi përmes Ministrisë së Mbrojtjes në shumën 5 milionë lekë, por këtë shumë e tërheq nga banka dhe e deklaron si gjendje cash në shtëpi në shumën e 4.8 milionë lekëve deri në vitin 2016.

Ndryshe nga sa kishte deklaruar më parë, Z. Lleshaj sqaron në vitin 2016 se shuma e kredisë i është dhënë përmes një kontrate huaje një kompanie që prej vitit 2008. Sipas deklarimit, kompania ka paguar këstet e kredisë dhe në vitin 2016, i ka kthyer Z. Lleshaj vlerën 2.3 milionë lekë, që rezulton e depozituar në llogari bankare.

Pavarësisht dy kredive të marra “për shtëpi”, Z. Lleshaj nuk deklaron asnjë shtëpi në pronësi apo në përdorim përgjatë periudhës deklaruese.

Image
Pasuria
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat