21 Janari/ Berisha: Kërkova hetim ndërkombëtar, Rama refuzoi

Shqipëria

21 Janari/ Berisha: Kërkova hetim ndërkombëtar, Rama refuzoi

Më: 21 janar 2021 Në ora: 21:06
Sali Berisha

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se 21 Janari nuk ishte protestë e dhunshme, por përpjekje për të marrë pushtetin me dhunë.

Berisha tha se ai kishte kërkuar hetim ndërkombëtar për ngjarjen, por ishte Edi Rama që refuzoi.

“Qëllimi i atyre protestuesve ishte të pushtonin kryeministrinë dhe kjo që them unë nuk është fantazi. Ata hapën derën e kryeministrisë me një makinë me forcë që dihet se kush e solli. Garda, siç është e ditur, nuk ka mjet mbrojtës tjetër, nuk ka shkop, nuk ka gaz, nuk ka spraj. Mjeti i vetëm mbrojtës i tyre kudo në botë është arma.

A qëlluan gardistët në kushtet ligjore apo jo, kjo është një çështje që është hetuar nga ekipi i Ina Ramës. Vetëm një gjë do ju kujtoj, është Sali Berisha që ka kërkuar hetim ndërkombëtar të ngjarjes. E kam kërkuar publikisht. U kam kërkuar përfaqësuesve të BE dhe SHBA që të hetohet paanësisht ngjarja.

Njeriu që ka kundërshtuar hetimin në mënyrë të prerë dhe kategorike përmes Ina Ramës, ka qenë Edi Rama. Partnerët më kanë thënë se nuk pranon prokuroria, pra nuk e pranon Edi Rama hetimin ndërkombëtar,” tha Berisha.

I pyetur nëse ka dhënë urdhër për gardën, Berisha përsëriti sërish se garda vepron sipas ligjeve.

“Është qëlluar qindra herë në ajër në pisha. Janë bërë rikosheta. Në zyrën time, por edhe në zyrat një kat më lart janë plumbat. Garda vepron sipas ligjeve dhe ai ligj nuk është miratuar nga mazhoranca ime.

Përpjekja apo grushti i shtetit ishte një akt tronditës jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për NATO-n dhe më gjerë. Këtu erdhën me urgjencë zyrtarë të nivelit të lartë të SHBA dhe BE, të OSBE dhe institucioneve të tjera. Nuk i dorëzova jo për hetim, por Edi Rama bëri një deklaratë me kërcënime ndaj gardës. Pasi asgjësoi zinxhirin e gardës me arrestime, po bënte gati të sulmonte sërish,” tha Berisha.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat