Përgjimet e Antimafias italiane/ Petrit Vasili: SPAK nuk ka nevojë t’i kërkojë provat larg.

Shqipëria

Përgjimet e Antimafias italiane/ Petrit Vasili: SPAK nuk ka nevojë t’i kërkojë provat larg.

Më: 23 janar 2021 Në ora: 15:02
Petrit Vasili

Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili ka reaguar për përgjimet e publikuara nga mediat italiane, që përmend faktin se zyrtarë të lartë shqiptarë përfshihen në skema rryshfetesh për lejet e ndërtimit të gradacelave.

Vasili thekson rëndësinë e nisjes së veprimeve të para hetimore nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit Dhe Krimit Të Organizuar, SPAK.

Sipas Vasilit, SPAK “zgjedh sërish të mos veprojë dhe të mos ndërmarrë ato hetime shumë të fuqishme dhe tu japë ato goditje të jashtëzakonshme e të rëndë mafies njëherë e përgjithmonë në Shqipëri, është fare e qartë që ky SPAK është vendosur kundër popullit dhe kundër ligjit”.

“Të gjithë shqiptarët janë tronditur rëndë mbrëmë, pasi janë njohur me përgjimet dhe veprimet e anti-mafies italiane, e cila veç të tjerave, ka nxjerrë në shesh se mafia dhe Ndragheta italiane janë ulur këmbëkryq në Tiranë dhe Shqipëri, për shkak të qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës.

Të gjithë në Shqipëri menduan, edhe unë mendova edhe përpara se të dilja në këtë konferencë shtypi, e kam ndjekur ashtu sikurse të gjithë përfaqësuesit e forcës politike që përfaqësoj, ngjarjet orë pas ore dhe prisnim që mbrëmë SPAK të fillonte hetimet kryesisht, të bënte ndalimet e para me qëllim parandalues, të bënte kërkesat intensive zyrtare pranë qeverisë, pranë organeve të hetimit italian për informacione të mëtejshme, por s’ka ndodhur absolutisht asgjë.

SPAK duhet ta kuptojë njëherë e përgjithmonë që është sot përpara një prove vendimtare, po e theksoj një prove vendimtare për të, për ekzistencën, për emrin, për reputacionin dhe për qenien e tij si institucion.

Sot Shqipëria është provuar që ndodhet në duart dhe kthetrat e Ndragheta-s italiane dhe kjo është realizuar falë pushtetit të Rilindjes, të bërë njësh me të. Është fare e qartë që SPAK është përballë ligjit dhe respektimit të tij, e përballë popullit dhe interesave të tij. SPAK-ut nuk i duhet të lodhet, provat nuk ka nevojë ti kërkojë larg, i ka vetëm disa qindra metra larg zyrës së saj. Janë kushedi sa gropa ndërtimi, kushedi se sa biznese të filluara, të cilët dhënësit hua të emrave të tyre janë disa njerëz pa asgjë, por janë thjesht dhe vetëm lavatriçe të mëdha të pastrimit të parave.

Prandaj SPAK edhe duke ecur në këmbë mund të shkoni ti gjeni provat, nuk ka nevojë ti hipni as makinës, sepse provat atje ulërijnë. Pra, lavatriçet që lajnë para në mes të Tiranës ulërijnë“, tha Vasili në një deklaratë për mediat.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat