"Urbani" që lidh Obotin, Historia e Fran Bibës i cili ndihmon banorët sa herë që përmbyten

Shqipëria

"Urbani" që lidh Obotin, Historia e Fran Bibës i cili ndihmon banorët sa herë që përmbyten

Më: 25 janar 2021 Në ora: 21:09
Fran Biba

Shkodra është qyteti më i prekur nga përmbytjet. Ndër vite banorët sidomos të nën Shkodrës janë përballur me situata nga më të vështirat. E në rastet më të vështira gjithmonë forcat e armatosura janë aty për të ndihmuar për tejkalimin e rrezikut. Njëri prej tyre është, Fran Biba, 60 vjeç.

Që nga viti 1990 Frani i është bashkuar Forcave të Armatosura të Shqipërisë në repartin e Vaut të Dejës.

Çdo mëngjes të 17 ditëve të fundit ai shërben për transportimin e banorëve të Obotit me mjetin e ushtrisë, pasi rruga është e pakalueshme.

Frani rrëfen për Euronews Albania përjetimet në zonën e Obotit, ku për herë të parë ka shkuar në vitin 2010, kur fshati ishte totalisht nën mbretërinë e ujit.

“Momente të vështira kemi pasur se uji na ka hyrë edhe te këmbët e makinës, makina dukej si të ishte varkë, por ne i kemi përballuar”, tregon Frani.

Në misionin e tij shpesh herë ka pasur dhe momente të vështira, ku ka rrezikuar jo pak herë dhe jetën. Rreziqe të cilat edhe gjatë intervistës sonë nuk ishin të pakta.

“Gjatë rrugës për të ardhur nga Velipoja për të kaluar nga Dajçi kam qenë me 20 vetë, ushtarë në makinë dhe rruga nuk dukej fare. Kemi bërë dy orë për të kaluar 1 kilometër , dhe atëherë kemi shpëtuar për mrekulli për të mos rënë në kanal me 20 veta”, kujton ai.

Pavarësisht rrezikut, Frani asnjëherë nuk ka menduar të tërhiqet pasi shërbimin për komunitetin e këtyre zonave ai e konsideron si mision e jo si një punë të rëndomtë.

“S’kam qenë kurrë i penduar për t’i ofruar ndihmë komunitetit. Falë Zotit i kemi përballuar situatat”, thotë ai.

Larg vëmendjes mediatike dhe me vështirësi të shumta për shkak të mjeteve të amortizuara, këta "heronj të heshtur" i shërbejnë komunitetit duke mos menduar asnjë çast rrezikun, duke e kthyer punën e tyre në një mision sublim pa kërkuar asgjë më tepër se rrogën e tyre modeste dhe buzëqeshjen e qytetarëve që ndihmojnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat