Përmbytjet, Meta shkund qeverinë: Njerëzit janë gdhirë në ujë, jepuni ndihmë!

Shqipëria

Përmbytjet, Meta shkund qeverinë: Njerëzit janë gdhirë në ujë, jepuni ndihmë!

Më: 26 janar 2021 Në ora: 13:20
Ilir Meta

Presidenti Ilir Meta i ka bërë thirrje qeverisë sot, që t’i garantojë ndihmën çdo qytetari në zonat e ëprmbytura dhe të vlerësojë me seriozitet paralajmërimet e IGJEUM për rreziqet. Në një shënim në Fb, Presidenti shprehet:

“Vështirë të gjesh sot një rajon në Shqipëri, pa probleme nga reshjet e ditëve të fundit. Dhjetëra shtëpi, biznese dhe sipërfaqe të konsiderueshme toke, pronë private e publike, nga Veriu në Jug, janë gdhirë nën ujë, por ndihma e strukturave shtetërore për banorët mungon.

Mbi 10 banesa në Shijak dhe mbi 70 në Sukth 2 e Vadardhë kanë prezencë uji deri në 30 cm. E njëjta situatë rezulton në Berat ndërsa paralajmërohet një përkeqësim i mundshëm i gjendjes në Qarkun e Fierit dhe të Korçës.

Raportet paraprake flasin për mbi 1500 hektarë tokë të përmbytur në NënShkodër dhe nga shkarkimet e detyrueshme në hidrocentrale situata do të rëndohet.

Sipas IGJEUM priten prurje masive edhe nga Vjosa, që mund të dalë nga shtrati në pjesën fundore duke shkaktuar përmbytje.

Në këtë gjendje të rënduar, nevojitet urgjentisht angazhimi i të gjitha strukturave qendrore e vendore për minimizimin e pasojave në prona dhe shmangien e çdo rreziku për shëndetin dhe jetën e qytetarëve.

Strukturat operacionale të Mbrojtjes Civile, Grupet e Kërkim-Shpëtimit e Evakuimit dhe Shërbimet Zjarrfikëse duhet të jenë 24/24 orë në terren pranë qytetarëve në nevojë.

Ministria e Mbrojtjes dhe Rezervat e Shtetit, pa vonesë, duhet të përgatisin ndihmat ushqimore për familjet, që u janë përmbytur shtëpitë. Ministria e Bujqësisë, menjëherë të dërgojë pranë banorëve në nevojë, bazën aq të nevojshme ushqimore dhe koncentratet për bagëtitë.

Ministrat përgjegjës për Mbrojtjen Civile të vendosin komunikimin konstant me strukturat vendore dhe publikun për parapërgatitje e reagim, për prioritetin absolut: sa më pak dëme në prona e bagëti dhe pa diskutim mbrojtje të çdo jete njerëzore.

Të garantohet funksionimi me kapacitet të plotë i hidrovoreve dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar të monitorojë situatën në të gjitha akset, ku ka potencial rrezikshmërie për rrëshqitjen e tokës, me qëllim shmangien e aksidenteve, si dhe të marrë masa urgjente për hapjen e çdo segmenti të bllokuar nga dëbora.

Të raportohet periodikisht për situatën dhe të vlerësohen me shumë seriozitet paralajmërimet e Institutit të Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, si i vetmi organ, që meriton vlerësime për përmbushjen me përgjegjësi të detyrës," përfundon thirrje kreun i shtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat