Taksim i ulët dhe paga të larta/ PD ka gati programin elektoral,Teliti: Realist dhe lehtësisht i aplikueshëm

Shqipëria

Taksim i ulët dhe paga të larta/ PD ka gati programin elektoral,Teliti: Realist dhe lehtësisht i aplikueshëm

Më: 27 janar 2021 Në ora: 16:15
Dorian Teliti

Partia Demokratike do të publikojë brenda pak ditësh programin e saj elektoral, ku bazën e ka tek taksimi i ulët, rritja e pagave dhe pensioneve si dhe dhënies fund korrupsionit dhe monopoleve. Eksperti i ekonomisë, Dorian Teliti, garanton se ky program është i aplikueshëm dhe realist.

Brenda pak ditësh Partia Demokratike do të bëjë  publik programin e saj elektoral, fokusuar kryesisht tek ekonomia dhe çështjet sociale.

Shefi i kabinetit të Lulzim Bashës, njëherësh një ndër ekspertet e angazhuar për programin, Dorian Teliti, thotë se alternativa e PD-së i jep përgjigje sfidave akute që po kalon ekonomia shqiptare për shkak të paaftësisë dhe korrupsionit. 

Teliti: Nuk do të ketë më taksë progresive mbi pagat, nuk do të ketë më që profesionistët e lirë, të zotë e të aftë të këtij vendi të takohen 23% por me një taksë të sheshtë në masën jo më të lartë se 9%. Do të ulet tatimi mbi të ardhurat personale. Sa i përket biznesit vizioni jonë është i qartë, taksë e sheshtë mbi tatim-fitimin për biznesin e madh, biznesi i vogël kryesisht familjar nuk do të ketë asnjë barrë fiskale.

Teliti thotë se parashikimet e hapin ekonominë, duke i dhënë fund monopoleve dhe duke shmangur oligarkët. 

Teliti: Me uljen e ndjeshme të taksave, me thjeshtimin e procedurave do të kemi një formalizim të gjerë të ekonomisë. Siç ka ndodhur dhe në të kaluarën do të rritet ndjeshëm baza e tatim-paguesve që do të thotë njerëzit do të kenë një barrë fiskale të ulët që është e përballueshme për ta dhe do ti shtyjë drejt formalizimit. Sot shkojnë 118 mln euro për kontrata koncesionare, 38 mln euro për rikonstruksione zyrash dhe blerje mobiliesh, kemi 300 mln euro dëme ekonomike nga mungesa e konkurrencës së lirë dhe të ndershme në prokurimet publike.

Programi, thotë Teliti, është realist dhe lehtësisht i aplikueshëm. Baza janë taksat e ulta dhe rritja e pagave dhe pensioneve.

Po pyetja është se ku do të gjenden lekët  për këto vendime?

Teliti: Për bujqësinë do të ketë subvencionime të drejtëpërdrejta për fermerin shqiptar, nuk do të ketë më ndërmjetës një grusht njerëzish siç ka ndodhur vitin e kaluar që 70-80 persona gllabëruan të gjithë atë fond minimalist të subvencioneve.Në momentin që Lulzim Basha do të jetë në krye të punëve do të kemi 100 mln euro në vit subvencione  të drejtëpëdrejta për fermerin shqiptar.

Por si do të bashkohet programi i LSI-së i bërë publik tashmë, me programin e Partisë Demokratike?

Teliti thotë se baza është e njëjtë ndërsa për propozimet specifike është nomale që çdo subjekt politik të ketë  alternativën e saj që i ofron qytetarit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat