Detaje të reja nga vrasja e Klodian Rashës, polici i Shqiponjave u përplas fizikisht me viktimën para se ta vriste

Shqipëria

Detaje të reja nga vrasja e Klodian Rashës, polici i Shqiponjave u përplas fizikisht me viktimën para se ta vriste

Më: 29 janar 2021 Në ora: 17:43
Hajdaraj dhe Rasha

Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha orët e para të 8 dhjetorit të vitit të shkuar.

Prokuroria ka zbuluar se efektivi i Shqiponjave Nevaldo Hajdaraj, është përplasur fizikisht me viktimën, përpara se ta qëllonte për vdekje me dy plumba pas shpine, në rrugicën e shtëpisë së tij.

Kujtojmë se kolegu i Hajdarajt, Erjon Gjore ka dëshmuar që në fillim se e kishte parë përplasjen fizike mes Rashës dhe Nevaldos. Sipas tij, Nevaldo Hajdarja dhe Klodian Rasha janë përplasur fizikisht për disa sekonda kur ai ka qenë 100 metra larg tyre.

“Personi kaloi karrexhatën në rrugën “Dritan Hoxha” dhe doli  në trotuar përballë “Zoja e Këshillit të Mirë”..duke vrapuar në drejtim të Zogut të Zi… në këtë moment pashë kolegun Nevaldo i cili po vinte në drejtim të këtij personi (Klodianit) dhe përpara dyqanit “pit stop” në pikën fillestare të lëvizjes është përplasur me atë fizikisht për pak sekonda. Unë isha rreth 100 metra larg. Pas pak sekondash përplasje pashë kolegun Nevaldo të shtrirë përtokë… dhe në këtë moment dëgjova dy të shtëna armësh. U afrova dhe ngrita kolegun Nevaldo dhe sëbashku jemi afruar te viktima i cili po rënkonte. Njoftuam sallën operative dhe kërkuam ambulancë” ka deklaruar ai. 

Klodian Rasha u qëllua për vdekje nga efektivi i “Shqiponjave” në rrugicat e Laprakës. Ngjarja ndodhi në rrugën Dritan Hoxha rreth orës 01.10 pas mesnate. I riu kishte dalë nga shtëpia për të blerë një paketë cigare në rrugicën pranë banesës së tij, sipas familjarëve.

Por, në rrethana që ende nuk dihen plotësisht, ai u përball me patrullën e repartit Shqiponja, Nevaldo Hajdaraj dhe Erjon Gjergo. Pas 5 minutash ndjekje nga efektivët e policisë, Rasha u qëllua me armë nga Nevaldo Hajdaraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat