Procesionarja, 80 mijë ha pisha të infektuara në gjithë vendin

Shqipëria

Procesionarja, 80 mijë ha pisha të infektuara në gjithë vendin

Më: 29 janar 2021 Në ora: 20:58
Ilustrim

Në Fiks Fare u ankua Adrijan Bërdufi nga fshati Gjinar i Elbasan për sëmundjen e procesionares që ka zaptuar pyllin me pisha. Krimbi i pishës ka përparuar shumë në zonën turistike të Gjinarit sidomos më shqetësuese situata paraqitet në Fushë Kuqe.

Qytetari kërkon ndihmën e Fiksit për ta bërë problem këtë gjë, pasi ende nuk ka parë ndonjë reagim nga shteti. “Para 4 viteve u pastruan njëherë pishat dhe u eliminua sëmundja e tyre, por sot gjendja është përsëritur dhe është e agravuar”. shprehet z. Bërdufi.  Ai është menaxhues i dy bujtinave dhe shprehet se institucionet e dinë problematikën dhe askush nuk përgjigjet për zonën turistike. Përveç faktit se procesionarja dobëson pishat dhe prish bukurinë e tyre, por edhe banorët e zonës që  kanë probleme me alergjitë e kanë të vështirë.

Edhe administratori i Njësisë Administrative Gjinar, z. Irakli Toçi shprehet se me uljen e temperaturave ka një zhvillim të madh në shpërndarjen e procesionares.  Sipas tij institucionet janë vënë në dijeni , madje Drejtoria Pyjore e Elbasanit ka ndëryrë në mënyrë mekanike, por pa rezultat. ” Tashmë kjo ndërmarrje po merr masat për të ndërhyrë me luftë biologjike, pasi me luftën mekanike nuk ka pasur sukses” shprehet administratori.

Fiks Fare u interesua edhe pranë Bashkisë Elbasan, ku përgjegjësi i Menaxhimit të Pyjeve dhe Kullotave, z. Jakov Boduri u shpreh se ishin në dijeni të problemit që së fundi ka marrë përmasa të mëdha. Ai shprehet se procesionarja ka përparuar shumë në zonë e Gjinarit dhe të Labinotit dhe po dëmton këtë fond pyjor.  Krimbi  sipas tij duke u ushqyer me gjethet e pishës krijon kushte për tharjen e pishës duke ulur rritje të masivit pyjor.

“Këto ditë Agjencia  Kombëtare të Mbrojtjes së Pyjeve na është drejtuar me një shkresë ku kërkon informacion të detajuar në lidhje për shkallën e përhapjes së këtij dëmtuesi. Me një grup pune të ngritur nga drejtoria jonë kemi evidentuar të gjithë këto sipërfaqe të cilat janë të dëmtuara  dhe ia kemi përcjellë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes së Pyjeve” shpjegon specialisti. Sipërfaqja e dëmtuar që ka dalë nga ky grup pune është e frikshme pasi nga 450 hektar pishë të zezë, 430 ha janë të dëmtuara nga ky lloj dëmtuesi. Duke mos ia dalë dot nga ana e luftimit mekanik specialisti pohon se në dijeninë e tij Fakulteti i Shkencave Pyjore së bashku me institucionet relevante turke ka marrë iniciativë për ta luftuar këtë dëmtues në mënyrë biologjike. ” Aktualisht ata kanë filluar, por nuk e di deri se ku kanë arritur”  shprehet specialisti Boduri për Fiks Fare.

Gazetarët e Fiksit iu drejtuan edhe Universiteti Bujqësor Kamzë.  Dr. Ramiz Metaliaj pikërisht nga Laboratorin e Mbrojtjes së Pyjeve që është ngritur posaçërisht për sëmundjen e procesionares dha një intervistë. Ai shpjegoi se në këtë fazë po merren me shtimin e një insekti grabitqar të procesionares së pishës, calosoma sycophanta, në luftimin e procesionares së pishës në natyrë. e thënë më thjesht po bëhet shtimi i një krimbi që ha krimbin që shkakton procesionaren. “Sot Shqipëria ka 80 mijë ha me pishë të prekur rëndë nga procesionarja, të prekur aq rëndë sa që ne nuk po e identifikojmë me anë të qeskave që ndodhen në bimë, por me koeficientin e ç’alorizimit që do të thotë se pjesa më e madhe rreth 80% të kurorave te pishave janë të ç’veshura pra nga halat. Kjo është një gjendje katastrofike që po vazhdoj edhe vitin tjetër do të kemi tharje masive. Prandaj duhet të merren masa ta shpejta, mundësisht që sivjet me ndërhyrjen e qeverisë qendrore të pushtetit lokal…” preçizon Dr.Metaliaj. Pyetjes së gazetarëve se për sa kohë mund të zhduket procesionarja, Dr. Metaliaj u shpreh se nga praktikat e vendeve të tjera për një 5 vjeçar problemi mund të zgjidhet njëherë e mirë. Lufta biologjike është e duhura, pasi edhe po të përdoren insekticidet që mund të hidhen në pyjet e pishës, që është e ndaluar, do të shkatërrohej procesionarja e së bashku me të ekosistemi.  Metoda biologjike është plotësisht e pajtueshme me mjedisin dhe nuk ka asnjë efekt negativ shprehet Dr. Metaliaj.

“Në këtë rast kostoja është e ulët dhe ne prandaj mund ta aplikojmë ajo shkon diku te 60 – 80 euro për hektar,  janë shifra që i kemi marrë nga shërbimi turk, por që e kemi provuar që aq shkon dhe këtu. Mjafton një angazhim i qeverive vendore, bashkive që të çojnë personel të tyre të trajnohen këtu dhe të marrin situatën në dorë natyrisht që monitorimin e vazhdueshëm do të bëj universiteti në vazhdimësi. Ne ja u kemi bërë me dije bashkive që ato të vënë fonde në dispozicion për sipërfaqet që kanë dhe ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me to” përfundon dr. i Universitetit të Kamzës. Ndërkohë që asnjë bashki deri më sot nuk është ofruar, pasi presin ndihmë nga qeveria.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat