Atentati ndaj Myslim Likës/ Flet bashkëshortja: Kanë ardhur të më vrasin në shtëpi

Shqipëria

Atentati ndaj Myslim Likës/ Flet bashkëshortja: Kanë ardhur të më vrasin në shtëpi

Më: 4 shkurt 2021 Në ora: 14:16
Dilë Lika

Pak ditë më parë Myslim Lika mori 3 plumba, një në zemër, dy në krah. 60-vjeçari po kthehej nga varrimi i të motrës, kur i kanë dalë para atentatorët të cilët qëlluan me tre plumba.

Ngjarja dyshohet të jetë pasojë e një plagosjeje që ka bërë i biri një vit më parë. Ilir Lika (Xhepaj), ka qëlluar me armë zjarri një vit më parë drejt Zef Markut.

Myslimi është një person me precedentë penalë. Ai sapo kishte dalë nga burgu pasi ishte dënuar me 25 vite për vrasjen e bashkëpronarit të një kompanie në Laç, Gëzim Çeliku dhe plagosjen e bashkëpronarit tjetër, italiani Luciano Bortolusi, ngjarje e ndodhur në vitin 2000.

Bashkëshortja e Myslimit, Dilë Lika, ka dhënë një intervistë për emisionin “Shqipëria Live”, ku shprehet se e kanë kërcënuar disa herë familjarët e Zef Markut.

“Na kanë ardhur e na kanë trokitur në derë. Na kanë vënë zjarrin te magazina. Kanë ardhur të më vrasin në shtëpi”, tha ajo.

Dila tha se i kanë dalë para nuses së djalit, njerëz të Zefit, ku i kanë kërkuar numrin e Ilirit ose do i merrnin djalin peng.

Ndërkohë e pyetur nëse djali i saj ka gisht në dy vrasjet që bashkëshorti i saj ka bërë më herët, Dila tha: “Burri ka vrarë Gëzimin në debat e sipër, ndërsa italianin pa dashje. Iliri nuk ka gisht në atë punë, nëse ai ka gisht në këtë punë, unë vras veten time në mes të qytetit”.

Gazetarja e pyeti zonjën Lika nëse kanë tentuar që të shkojnë të flasin me familjen e Zef Markut, ajo tha “jo”.

“Nuk kemi pse, ata duhej të vinin te ne. Me të vërtetë djali im e plagosi, por ata i dolën para nuses së djalit e madje edhe vajzës”, tha Dila.

Bashkëshortja e Myslimit tha se kërkon nga shteti që t’i sigurojë jetën. “Njërin djalë e kam të ngujuar, e tjetrin në burg”, tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat