Vrasja e Shkëlzen Kastratit, gjurmët e çojnë policinë në ... Thumanë

Shqipëria

Vrasja e Shkëlzen Kastratit, gjurmët e çojnë policinë në ... Thumanë

Më: 4 shkurt 2021 Në ora: 16:35
Policia e shtetit

Gjenden të tjera gjurmë që mund të çojnë në identifikimin dhe kapjen e autorëve të vrasjes së Shkëlzen Kastratit.

Ky i fundit u vra në një atentat në 1 shkurt në rrethrrotullimin e Sheqit në Fier.

Në Thumanë të Fushë-Krujës policia ka gjetur dhe sekuestruar një automjet që dyshohet se është përdorur nga atentatorët e 42-vjeçarit.

Brenda automjetit janë gjetur gjurmë biologjike, të cilat janë dërguar në laborator dhe nga analizimi i tyre policia shpreson të gjejë emrat e vrasësve, shkruan Balkanweb.

Ky mjet dyshohet se i ka transportuar atentatorët nga vendi ku dogjën ‘Land Rover’-in deri në Fushë-Krujë. Disa të dyshuar vijojnë të mbahen në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ku po merren në pyetje.

Kujtojmë se gjatë natës policia ka kryer disa operacione, që u zhvilluan në 4 qytete, Fier, Durrës, Tiranë e Vlorë, për të prangosur persona të dyshuar për atentatin, teksa janë ushtruar kontrolle në disa banesa.

Aktualisht janë shoqëruar disa persona në Tiranë që dyshohet të kenë lidhje me vrasjen. Kastrati u ekzekutua më 1 shkurt në hyrje të qytetit të Fierit, teksa autori përdori një armë ‘Scorpion’ për ta vrarë teksa 42-vjeçari qarkullonte me mjet.

Një mjet ‘Land Rover’ me targa greke u gjet i djegur në mbikalimin e Baltëzës, në Mbrostar, që dyshohet se u përdor nga autori. Nga ana tjetër u sekuestrua dhe arma e përdorur, bashkë me një silenciator.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat