Alternativat e investimeve/ Shqiptarët pasurinë e vendosin në pronat e paluajtshme, bursa nuk është e zhvilluar

Shqipëria

Alternativat e investimeve/ Shqiptarët pasurinë e vendosin në pronat e paluajtshme, bursa nuk është e zhvilluar

Më: 4 shkurt 2021 Në ora: 19:58
Artan Gjergji

Pandemia Covid-19 ka zhytur në krizë të thellë gjithë globin.

Por, shpesh krizat shihen edhe si mundësi, pasi shumë individë në botë kërkojnë të ruajnë kursimet e tyre apo të rrisin vlerën e parave, duke parë arin si një formë të mirë investimi.

Po në Shqipëri, cilat janë alternativat që po zgjedhin shqiptarët për të investuar?

Artan Gjergji, Drejtor i Bursës Shqiptare ALSE : “Sa më afër pensionit të jenë investitorë, niveli i dëshirës që ata kanë ndaj riskut është gjithmonë e më i vogël. Preferojnë alternative që janë me risk më të ulët, të tipit depozitat apo i japin hua qeverisë duke blerë bono thesari sepse qeveria shihet si një institucion serioz. Kur vijmë të gjeneratat e reja kanë një tendencë për të marrë më shumë risk përsipër. Besojnë më kollaj te fondet e investimit, skemat e investimet. Të rinjtë, adoleshentët janë më të prirur drejt aplikacioneve, drejt përdorimit të kriptovalutave.”

Sipas Artan Gjergjit, Drejtor i Bursës Shqiptare ALSE kjo qasje e shqiptarëve për të investuar vetëm në format klasike si depozita, hapje e një biznesi apo në asete të tjera të prekshme si pasuritë e patundshme lidhet me moszhvillimi i tregjeve financiare në vend.

“Të jeni të bindur se nëse Shqipëria do të kishte pasur një bursë të zhvilluar aksionesh, letrash me vlerë për vite me radhë ekspozimi i qytetarëve në drejtim të pasurive të patundshme do kishte qenë shumë herë më i vogël, sepse do ishte tentuar diversifikimi. Ka stok të apartamenteve që qëndron aty. Nuk prodhon para dhe nuk sjell asnjë efekt as në taksa pasi nuk përdoren as për qira.”

Sipas Artan Gjergjit me zhvillimin e mëtejshëm të tregjeve financiare në dekadën e ardhshme qytetarët do të zhvendosen nga mënyrat e sigurta, drejt alternativave të tjera me risk më të lartë e që mund të sjellin edhe norma më të larta kthimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat