U gjet i mbytur në Kavajë/ Bariu 62-vjeçari u denoncua i humbur më 5 shkurt

Shqipëria

U gjet i mbytur në Kavajë/ Bariu 62-vjeçari u denoncua i humbur më 5 shkurt

Më: 9 shkurt 2021 Në ora: 22:02
Ameli Softa

Trupi i pajetë, i gjetur dje në bregun e detit në Kavajë është një bari nga Berati. Ameli Softa jetonte prej 7 vitesh në lagjen periferike të Beratit, pasi ishte shpërngulur nga Dardha e Korçës.

Ai kishte kontaktuar për herë të fundit me familjen në 2 shkurt, ndërsa në 5 Shkurt familjarët denoncuan humbjen e tij. Softa banonte në lagjen “Uznovë” të qytetit të Beratit dhe punonte si bari, në zona të ndryshme.

Burime nga familjarë të Softës bëjnë me dije se ai lëvizte shpesh nga banesa për të punuar si bari në qytete të ndryshme dhe kishte pasur raste që qëndronte me javë e muaj larg shtëpisë por komunikonte çdo ditë me familjen. Mësohet se kontakti i fundit që 62-vjeçari kishte pasur me bashkëshorten ka qenë në dt.2 Shkurt 2021,kur edhe u kishte komunikuar se po punonte me dhen në një fshat në qytetin e Durrësit dhe se do të qëndronte disa javë.

Pas asaj dite, gruaja dhe dy fëmijët e viktimës nuk kanë marrë më asnjë lajm nga ai dhe për këtë arsye kishin denoncuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat humbjen e tij në datë 5 shkurt 2021. 62-vjeçari Ameli Softa u gjet pa shenja jete pasditen e djeshme në breg të detit në Kavajë dhe në trupin e tij nuk ka pasur shenja dhune. Sipas burimeve zyrtare të policisë, dyshohet se ai është rrëzuar aksidentalisht në grykëderdhjen e lumit Shkumbin për shkak të shirave të rrëmbyeshëm, çka i ka shkaktuar më pas edhe mbytjen.

I njëjti version është pohuar në polici edhe nga familjarët e viktimës, që kanë deklaruar se gjatë një telefonate që kanë pasur me Ameliun, ai u kishte treguar se kalonte lumin së bashku me bagëtitë. Trupi i pajetë e 62-vjeçarit,të shpërngulur familjarisht nga Dardha e Korçës në lagjen periferike të Beratit “Uznovë” 7 vite më parë, u përcoll sot nga familjarët në banesën e fundit, në varrezat e Suelasit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat