Shqipëria me numrin më të lartë të vdekjeve të punonjësve shëndetësorë, në rajon

Shqipëria

Shqipëria me numrin më të lartë të vdekjeve të punonjësve shëndetësorë, në rajon

Më: 12 shkurt 2021 Në ora: 12:20
Ilustrim

‘Siguroni jetët e personelit shëndetësor, për të mbajtur të sigurt pacientët’, ka qenë ndër këshillat kryesore të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që nga shpërthimi i pandemisë Covid-19.

Në Shqipëri, sigurimi i jetëve të personelit mjekësor ka krijuar shpeshherë debate mes qeverisë dhe opozitës.

Shqipëria renditet ndër vendet që kanë një numër më të ulët personeli mjekësor në raport me popullsinë.

Pas një kërkese për informim, Ministria e Shëndetësisë i tha A2 se numri i personelit shëndetësor, i përditësuar deri në muajin janar 2021 në vendin tonë është 18139, pra më pak se një 1 personel për 1 mijë banorë.

Nga të dhënat e analizuara nga A2, pas kërkesave për informim, rezulton se Maqedonia e Veriut ka këtë raport në nivelin 2,9 mjekë për 1 mijë banorë, Serbia ka 3,1, Mali i Zi 2,7 dhe Bosnja 22, ndërsa Kosova rreth 1,1.

Megjithëse është vendi me numrin më të ulët të personelit mjekësor në raport me popullsinë, Shqipëria renditet ndër vendet me numrin më të lartë të vdekjeve të punonjësve shëndetësore për shkaqe të lidhura me Covid-19.

Pas një kërkese për informim, Ministria e Shëndetësisë nuk raportoi të dhëna mbi numrin e personelit shëndetësor që ka humbur jetën nga Covid-19 në vend, që prej shpërthimit të pandemisë në muajin mara 2020, por nga analizimi i raportimeve ditore rezulton që deri më tani në Shqipëri të kenë humbur jetën 36 punonjës shëndetësorë. E shprehur në përqindje, kjo vlerë përbën, 0,19 % të totalit të personelit shëndetësor.

Në raport me vendet e rajonit, Shqipëria renditet e dyta për sa i përket vdekjeve të personelit në raport me numrin total të punonjësve në nivelin 0,19 për qind.

Kosova renditet në vendin e parë në rajon për sa i përket vdekjeve të personelit në raport me numrin total të punonjësve në nivelin 0,22 për qind.

Në vendet e rajonit, Bosnjë-Hercegovina rezulton si vendi me numrin më të ulët të vdekjeve të personelit shëndetësor në raport me totalin e punonjësve, në nivelin 0,07 për qind.

Teksa vendi vijon të përballet me krizën shëndetësore të shkaktuar nga Covid-19, raportimet për humbje të jetëve të mjekëve vijojnë. Deri në mesditën e së enjtes, u raportuan humbjet e jetëve të mjekut të përgjithshëm që shërbente në spitalin e Përmetit, Rustem Keko dhe neuropsikiatri, Hiqmet Shqerra.

Image
Raporti
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat