Nga matja e tensionit në dëborë tek gruaja që humbi jetën në makinë, Vasili: Ja ky është shteti e propaganda

Shqipëria

Nga matja e tensionit në dëborë tek gruaja që humbi jetën në makinë, Vasili: Ja ky është shteti e propaganda

Më: 16 shkurt 2021 Në ora: 11:54
Petrit Vasili

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili ka komentuar sot në një deklaratë për media, ngjarjen e trishtë që ndodhi të dielën, ku një e moshuar humbi jetën për shkak se nuk arriti dot në kohë në spital, si pasojë e bllokimit të rrugës nga dëbora. Po ashtu Vasili ka komentuar edhe fotot që publikon ministria e Shëndetësisë, të cilat i quan propagandë.

“Po ju tregoj përkundrejt propagandës së shëmtuar dhe të neveritshme të qeverisë në këto të vështira, më të ashtuquajturin ‘shërbim shëndetësor’ e me fotot e tyre propagandistike. Një video, e cila flet vetë se si vetëm rreth 10 kilometra nga Peshkopia, të rinj e të reja por edhe qytetarë të tjerë përpiqen me çdo kusht e me çdo mjet të çojnë një të moshuar për në spital, në gjendje shumë të vështirë shëndetësore, e pa ndihmuar, e pambështetur nga asnjë segment i shtetit. Dhe kjo e moshuar, për fat të keq, për mungesë të ndihmës mjekësore, humbet jetën.

Pra, humbet jeta 10 kilometra nga Peshkopia dhe asnjë mjet, asnjë lloj ndihme nga ana e shtetit, nga asnjë lloj forme, nuk i ofrohet dhe megjithëse qytetarët e shkretë bëjnë të pamundurën, me ç’ kanë në dorë, nuk ia arrijnë dot të shpëtojnë të moshuarën.

Përkundrejt kësaj, ju shikoni foto propagandistike, të cilat tregojnë mjekë që bëjnë sikur matin tensionin në borë, siç e shikoni, ja tek i keni fotot, të cilat janë të turpshme edhe nga ana profesionale. Shikoni që edhe stetoskopi i tyre vendosën në anë të krahut të pacientit, e ku një e moshuar, e cila do të maste tensionin, nxirret me triko në mes të dëborës, vetëm e vetëm për propagandë. Këto pamje, këto foto flasin më së miri se çdo gjë tjetër.

Gjithashtu ju ftoj të ndiqni, sikurse e shihni, një video tjetër, e cila tregon gjendjen e rrugëve. Shikoni se ç ‘ndodh në këtë video. Shikojini punëtorët e shkretë, këta hedhin kripë, nuk iu japin as lopata, këta që duhet të mirëmbajnë rrugët. Harxhojnë miliarda për rrugët, por punëtorët hedhin me grushte me duart e tyre nga një cikë kripë nëpër rrugë.
Kjo është qeveria që i përgjigjet emergjencave? Për këtë qeveri flasin? Me këtë mburren? Kjo është propaganda? Një ministre që e hipin në një borëpastruese? Ja ky është shteti. Një shtet, i cili hedh kripën për të hapur rrugën nga dëbora me grushte, me dorë. Ndërsa të tjerë që shtyjnë një automjet për të shpëtuar një të sëmurë, e cila humbet jetën sepse nuk arrin dot për vetëm 10 kilometra të shkojë në spital”, tha Vasili.

Nënkryetari i LSI thotë se zgjidhja ka vetëm një rrugë, “në një referendum të paparë në Shqipërinë pluraliste, më 25 prill duhet të ndahemi njëherë e përgjithmonë nga krye mashtruesi dhe krye mashtruesët, të cilët kanë luajtur dhe kanë guxuar të luajnë edhe në këtë moment që flasim, edhe me jetën, edhe me vdekjen e shqiptarëve”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat