Dy motrat akuzuan për mungesë shërbimi ndaj babait 79-vjeçar/ QSUT hedh poshtë akuzat

Shqipëria

Dy motrat akuzuan për mungesë shërbimi ndaj babait 79-vjeçar/ QSUT hedh poshtë akuzat

Më: 16 shkurt 2021 Në ora: 13:43
Foto Ilustrim

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, QSUT, ka reaguar  lidhur me akuzat që dy motra kanë bërë për mungesë shërbimi ndaj babait të tyre 79-vjeçar i shtruar me urgjencë në spitalin Covid1.

Në një deklaratë për media QSUT bën me dije se pacientit i është ofruar shërbimi në kohë që në momentin që është paraqitur në spital.

Në reagim, QSUT “hedh poshtë çdo insinuatë për mungesë shërbimi, dhe është e gatshme të ofrojë të gjithë informacionin dhe provat e nevojshme, që vërtetojnë të kundërtën”.

Në sqarimin e spitalit thuhet se dy motrat Lalo kanë pasur një përplasje me mjeken roje pasi kërkonin nxjerrjen nga spitali të pacientit dhe dërgimin e tij për trajtim në një spital Evropian. Sjellim në vëmendje që dy motrat Lalo në një prononcim të mëhershëm për mediat thanë se babai i tyre ndërroi jetë pasi mungoi shërbimi në QSUT.

Reagimi i plotë i QSUT

Në vijim të një interviste të dhënë sot nga vajzat e qytetarit R.L., duke respektuar dhimbjen dhe rolin që ajo luan në gjykimin e tyre, dëshiron të sqarojë opinionin publik si vijon:

Pacienti me inicialet R.L ,79 vjec, ka mbërritur me urgjencë pranë Spitalit Covid 1, ora 16:30 të datës 15 Shkurt 2021, në një gjendje shumë të rënduar shëndetësore, në kushtet e Insuficiencës së rëndë respiratore (me saturime 70% nën oksigjenoterapi 20L)

Menjëherë është pranuar në urgjencën e Spitalit Covid 1 dhe ka marrë shërbimin e nevojshëm shëndetësor, sipas protokolleve.

I është bërë skaneri në orën 17:15, është komunikuar menjëherë pas realizimit të skanerit me familjarët duke ju shpjeguar gjendjen tepër të rëndë si në aspektin klinik ashtu edhe atë imazherik. Gjendja e pacientit ka vazhduar të jetë e rënduar, ndërkohë që ka qenë gjatë gjithë kohës në oksigjenoterapi (sipas rekomandimeve edhe te mjekeve reanimatore).

Ndërkohë, mjekja e rojës është gjendur vazhdimisht nën presionin dhe ndërhyrjet e familjarëve, të cilët kanë patur madje dhe një komunikim të acaruar mes tyre, në ambjentet e jashtme të spitalit, mbi vendimin për ta mbajtur apo për ta nxjerrë pacientin nga spitali dhe për ta dërguar në një shtet tjetër Europian për trajtim.

Duke e mirëkuptuar gjendjen e rënduar të të afërmve, mjekja roje dhe kuruese Dr. Migena Qato ka komunikuar me ta çdo 15 minuta, pavarësisht se sjellja e tyre kundrejt saj, ia ka vështirësuar tej mase ushtrimin e detyrës dhe ofrimin e shërbimit për pacientët e shumtë që merrnin shërbim në Spitalin Covid 1 ku mjekja shërbente.

Në vijim komunikimi me dy motrat ka vazhduar edhe nga Shefja e Shërbimit Prof. Najada Çomo.

Sigurojmë dhe një herë familjaret dhe qytetarët se pacientit i janë kryer të gjitha shërbimet e nevojshme, por për fat të keq ai nuk ia ka dalë dot për shkak të gjëndjes së rënduar të mushkërive, në momentin e mbërritjes së tij në spital.

QSUT hedh poshtë çdo insinuatë për mungesë shërbimi, dhe është e gatshme të ofrojë të gjithë informacionin dhe provat e nevojshme, që vërtetojnë të kundërtën.

Lusim mediat që të inkurajojnë qytetarët të paraqiten në kohë pranë shërbimeve shëndetësore për të marrë shërbimin e nevojshëm në kohën e duhur, pasi çdo vonesë sjell pasoja në shëndetin e tyre.

Gjithashtu garantojmë që stafi ynë mjekësor do bëjë të pamundurën, ashtu siç ka vepruar për gjatë gjithë kësaj periudhe pandemie me një përkushtim të jashtzakonshëm!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat