‘Austriakët të dashuruar me preshin shqiptar’/ Meta tregon historinë e njeriut që u fut me kamion në ambasadë

Shqipëria

‘Austriakët të dashuruar me preshin shqiptar’/ Meta tregon historinë e njeriut që u fut me kamion në ambasadë

Më: 19 shkurt 2021 Në ora: 18:58
Ilir Meta

Presidenti Ilir Meta pasditen e sotme mori pjesë në ceremoninë e hapjes së edicionit të 6-të “Ditët e Kujtesës”, me temë “30 vite më pas – Sa e njohim regjimin komunist?”.

Gjatë fjalës së tij, kreu i shtetit tha se aspiratat për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa ende nuk janë realizuar.

Ai risolli edhe njëherë në vëmendje historinë e Ylli Bodinakut që hyri me kamion në ambasadën gjermane bashkë me foshnjën 3 muajshe, ndërsa rrëfeu edhe një histori për të treguar, sipas tij se regjimet bazohen mbi gënjeshtra për të manipuluar shoqërinë.

“Më kujtuat një histori shumë interesante, që ka të bëjë me një person që nuk njihet shumë, por të gjithë e dinë që në 2 korrik një qytetar i Tiranës, Ylli Bodinaku, mori kamionin e tij foshnjën 3 muajsh, ca shokë e miq që ishin kundër sistemit dhe hyri brenda ambasadës gjermane duke i rënë me kamion murit, duke u bërë pararendës i rrëzimit të murit të ambasadave në Tiranë dhe ardhjes së demokracisë.

Këtë e takova para disa javësh rastësisht, nuk e dija që atëherë kishte marrë edhe foshnjën 3 muajsh, që tani është 30 vjeç. I them mirë vetë, po për foshnjën, si e mendove? Po mirë unë, tha, por si mund të rritej fëmija im në atë regjim. Më tregoi një histori me Austrinë kur ishte në burg.

Na mbledhin një ditë tha në Spaç, dhe ngaqë na bënin presh tërë kohën dhe ishte momenti të bojkotonim ushqimin se nuk shtyhej dhe vjen një nga drejtuesit nga ministria e Brendshme dhe mbledh të burgosurit dhe thotë; para pak kohësh isha në Austri për vizitë dhe dolën me ambasadorin në Vjenë shëtitje dhe kur dolëm shohim gjitha ata njerëz po vraponin, ndonjë grevë?

Kur, pyeti ambasadori i thonë; kanë vrapuar austriakët se kishin ardhur maunet me presh nga Shqipëria dhe ngaqë e duan shumë dhe ka kërkesa për preshin e Shqipërisë, vrap i madh. Ndërsa, ju i thotë, këtu, nuk e kuptoni këtë të mirë që ju ofrojmë dhe ju japim çdo ditë.

Si mundet të jetojë fëmija ime në atë regjim, më tha. E them këtë sepse diktaturat janë regjime që bazohen mbi gënjeshtrat për të manipuluar shoqërinë duke i servirur gënjeshtrën si të vërtetë, ndërsa te pjesa tjetër përmes represionit” tha Meta.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat