Ikja e shqiptarëve drejt Gjermanisë/ Kryemadhi: Ajo që tha Rama dje vepër penale!

Shqipëria

Ikja e shqiptarëve drejt Gjermanisë/ Kryemadhi: Ajo që tha Rama dje vepër penale!

Më: 21 shkurt 2021 Në ora: 11:53
Monika Kryemadhi

Duke komentuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama një ditë më parë, për ikjen e të rinjve, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi i konsideroi vepër penale.

Sipas saj, detyrimi i të rinjve për t’u larguar nga vendi është një veprim antishqiptar.

Ajo tha se qëllimi ynë kryesor është të ripopullojmë Shqipërinë, të rikthejmë fëmijët e shqiptarëve këtu, të rikthejmë rininë tonë.

Pjesë nga deklarata në Patos:

Më bënte përshtypje dhe dëgjoja kryeministrin dje sesi thoshte le të ikin të rinjtë në Gjermani se do të paguhen atje më mirë. Kjo për mua është vepër penale, se të detyrosh të rinjtë dhe të rejat të largohen nga vendi i tyre, nga shtëpia e tyre, është jo vetëm një veprim antishqiptar, por është një veprim që duhet dënuar. Shpopullimi është një veprim antishqiptar. Se të largosh shqiptarët nga Shqipëria do të thotë të bësh një veprim antishqiptar dhe quhet një veprimtari e tillë.

Ne në programin tonë pikë kryesore kemi arsimimin dhe një arsimim cilësor, që fëmijët e shqiptarëve të jenë konkurrentë në tregun e punës. I gjithë qarku i Fierit sot, pjesa më e madhe, siç është Patosi, Roskoveci, edhe Kuçova e Mallakastra, pjesën kryesore kanë naftën. Lushnja e Divjaka kanë bujqësinë. Pjesa e bregdetit të Semanit është në zhvillim turistik, apo edhe blegtoria një pjesë tjetër. Por për sa i përket sektorit të naftës, janë më shumë se 4-5 qytete të cilat jetojnë me këtë sektor. Por sot fëmijët e të gjithë banorëve nuk i çojnë më për inxhinier nafte. Ose edhe kur janë inxhinierë nafte, ose janë të papunë, ose kanë ikur punojnë në Arabi Saudite për kompani të tjera. Kur ndërkohë këtu kompanitë që vijnë dhe punojnë e shfrytëzojnë puset e naftës në Shqipëri nga vendet e tjera i paguajnë me paga jashtëzakonisht të larta. Vijnë kompani kineze ku vijnë inxhinierët dhe punëtorët nga Kina, kur ndërkohë inxhinierët dhe punëtorët e naftëtarët tanë rrinë pa punë, apo i lënë me muaj e vite të tëra pa paguar. Për të mos vazhduar pastaj që çështja e naftës në qarkun e Fierit është një aspekt i cili ka të bëjë drejtpërsëdrejti me mirëqenien e qytetarëve.

 

Ajo që ne kemi diskutuar dhe biseduar edhe me Kejdin, por edhe me votues për herë të parë, në shkollën profesionale industriale, kërkesat për të vajtur në teknik të mesëm të sektorit të naftës, janë shumë të vogla. Pse? Sepse e dinë që nuk do të kenë më vend pune. Pra krijimi i hapësirave për shkollat profesionale, të cilat po i çojnë drejt mbylljes, sepse normal nëse ti do të importosh punëtorë nga jashtë dhe nuk do të paguash inxhinierët e punëtorët e tu, shqiptarët, ata që janë rritur edhe e kanë identifikuar jetën e tyre me këtë sektor, normal që ata nuk do të shkojnë më në këto shkolla për t’u shkolluar, por do të largohen nga Shqipëria.

Qëllimi ynë kryesor është të ripopullojmë Shqipërinë, të rikthejmë fëmijët e shqiptarëve këtu, të rikthejmë rininë tonë. Ne kemi qenë në Mbrostar para ca kohësh me Kejdin, në Verri, ku vetëm për shkak të inceneratorit që është ndërtuar atje, i gjithë fshati i Verrisë është shpopulluar, kanë ngelur vetëm pleqtë. Pse? Sepse të gjithë të rinjtë dhe të rejat kanë ikur për shkak sepse aty nuk ka më asnjë lloj zhvillimi e asnjë lloj perspektive për familjen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat