Basha: Rama i trajton pronarët si në kohën e diktaturës, ligji për shpronësimin, antikushtetues

Shqipëria

Basha: Rama i trajton pronarët si në kohën e diktaturës, ligji për shpronësimin, antikushtetues

Më: 28 shkurt 2021 Në ora: 09:53
Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, iu prezantoi pronarëve të shpronësuar, programin e qeverisë së tij pas 25 prillit për pronat.

Basha shpjegoi me detaje të gjithë angazhimet e tij për procesin e kthimit dhe kompensimit real të pronave në Shqipëri duke e konsideruar ligjin Rama të vitit 2013 si një shpronësim të dytë të pronarëve të ligjshëm në Shqipëri duke u zotuar për ta shfuqizuar atë.

Lulzim Basha: Të nderuar përfaqësues të pronarëve të shpronësuar, të shoqatave “pronësi me drejtësi” dhe shoqatave të tjera të pronarëve legjitim të pronave të shpronësuar gjatë regjimit diktatorial komunist, së pari më lejoni t’ju uroj mirëseardhjen në këtë takim. Ky nuk është takimi ynë i parë, por është një stacion shumë i rëndësishëm pas një dialogu që ka nisur prej kohësh mes Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe të përfaqësuesve të pronarëve legjitim të shpronësuar gjatë regjimit komunist.

Qëndrimet tona kanë qenë të qarta dhe të prera për padrejtësitë e dyfishta që rëndojnë në kurrizin e pronarëve që prej vitit 2013. Ne e konsiderojmë ligjin e qeverisë Rama një shpronësim të dytë anti-kushtetues, anti-ligjor. Dhe jemi zotuar që ditën e parë të kalimit të atij ligji se do ta shfuqizojmë atë. Ne i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese dhe do të vazhdojmë të ndjekim rrugën tonë deri në instancat më të larta të Strasburgut për të shfuqizuar çdo efekt me parapaveprim të këtij ligji ç ‘njerëzor, i cili nuk bën gjë tjetër veçse i vë një damkë të dyfishtë turpit të trashëgimisë së kundërshtarit tonë politik dhe qeverisë në ikje të kryeministrit Rama.

Damkën e parë sepse po i trajton edhe një herë pronarët legjitim si qytetarë të rangut të dytë, njësoj si gjatë diktaturës komuniste, dhe damkën e dytë të turpit se këtë po e bën jo thjeshtë dhe vetëm për motive të vazhdimësisë ideologjike, po thjesht dhe vetëm për arsye korruptive për të vazhduar zaptimin dhe tjetërsimin e pronave të pronarëve nga bregdeti në zonat urbane, nga zonat bujqësore në kullotat apo kudo tjetër dhe për të vazhduar sundimin e një grushti njerëzish, oligarkë i njeh populli, monopolist, ortak të këtij pushteti në kurriz të të gjithë qytetarëve. Të të gjithë qytetarëve pa dallime politike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat