Diktatura e re e bijve e do të vdekur

Shqipëria

Diktatura e re e bijve e do të vdekur

Nga: Basir Çollaku Më: 28 shkurt 2021 Në ora: 17:09
Basir Çollaku

Diktatura e re e bijve

Shqipëria po hyn në zgjedhjet parlamentare 2021 me një paradoks monstruoz: pas 30 vitesh nga rënia formale e diktaturës komuniste, Shqipërisë i duhet të ndeshet sërish me po atë trashëgimi diktatoriale, të cilën pandehëm se e rrëzuam. Është i njëjti establishment ideologjik, janë të njëjtët personazhë të pushtetit të djeshëm diktatorial. Mikstura politiko-ideologjike në rastin tonë është kalimi i pushtetit nga etërit te bijtë dhe nipërit. Bijtë tashmë kanë arritur të restaurojnë dhe në fakt po i japin vijat e fundit dizajnimit të diktaturës së re, duke e shkërbyer atë si demokraci në agjendat e jashtme politike.

Por fasada e restauruar e diktaturës së re nuk mund të mbulohet. Së pari, ajo bie në sy nga Parlamenti njëngjyrësh i ish-PPSH-së me kreun e saj, ish-spiun të sigurimit, ish-kryetar të KP Tepelenë, ish-ministrin e Brendshëm të fundit të diktaturës, Gramoz Ruçi. Vetë qenia e tij në majë të piramidës legjislative të Republikës, tregon se jemi rikthyer 30 vite mbrapa, në kohën kur ai kishte një post më të ulët se ky i sotmi. Ekziston dhe një opozitë-kukull, mercenare, që nuk përfaqëson asgjë e askënd, që është joshur të jetë e pranishme për t’i dhënë oksigjen parlamentit monist, për ta legjitimuar në terma teorikë pushtetin e diktaturës së bijve.

Opozita e vërtetë është jashtë parlamentit

Së dyti diktatura e re e bijve ka instaluar tashmë prej vitesh në krye të institucioneve më të rëndësishme e më të ndjeshme të shtetit “qentë e vjetër besnikë” – ish-oficerët e ish-shefat e Sigurimit të etërve, tok me ish-organet e drejtësisë së diktaturës. Ata kontrollojnë jetën administrative dhe publike të shtetit përmes Shërbimit Informativ, Policisë së shtetit, Akademisë së Sigurimit të Policisë, Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), Shtabit të Forcave të Armatosura, Autoritetit për Hapjen e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK).

Mbeten për t’u futur nën kontroll Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese, por tashmë instrumentet e vetingut kryesohen nga ish-shefat e Sigurimit të shtetit dhe kësisoj, përmbyllet me grusht të çeliktë restaurimi homogjen i diktaturës së re të bijve. Qentë besnikë të diktaturës së vjetër nuk e kanë aspak problem ndërgjegje të dëshmojnë zellin e dikurshëm në shërbim të diktaturës së re (njëlloj si në diktaturën e etërve), në të gjitha ndërmarrjet e skemat e sotme të korrupsionit e trafikut shtetëror.

Së treti, të gjithë tashmë e kemi parë likuidimin e lirive para syve tanë, rekrutimin dhe pushtimin e mediave për çka flasin dhe raportet ndërkombëtare. Ustallarët e diktaturës dinë si t’ua mbyllin gojën të vërtetave, dinë si t’i terrorizojnë protestat e shoqërisë. Metodat e paceremonishme e brutale, dhunën dhe shantazhet, arrestimet, vrasjet, rrahjet e përgjakjet i kemi parë tashmë. E pajisur me këtë arsenal të gjithanshëm kriminal, diktatura e re përgatitet në mësymjen vendimtare për betejën finale: fitoren e zgjedhjeve elektorale të 25 prillit 2021.

Diktatura re nuk shet dokrra parimore ideologjike si diktatura e vjetër: qëllimi i saj është të sundojë me çdo kusht përmes oligarkëve të familjes së vet politike – një klientelë, të cilën e ka fuqizuar me aferat korruptive shtetërore. Kjo klientelë oligarkësh tok me trafikun e kontrolluar të drogës dhe instalimin masiv në poste kyçe të ish-shefave të Sigurimit, angazhohet, siç e kemi parë, në zgjedhjet elektorale për të shpartalluar vullnetin dhe pavarësinë e votës së lirë.

Diktatura e bijve e glorifikon dhe e rehabiliton çdo ditë prejardhjen e familjes nga vjen, krenohet me mitin dhe krimet e etërve. Provoni t’i prekni pinjojtë e etërve në këtë «thembër» të ndjeshme dhe atëherë do ta shikoni tërbimin dhe shpërfytyrimin e tyre. Rastin më ilustrues të demaskimit të trashëgimisë totalitare të etërve – restaurimin e diktaturës së re të pinjojve, e përbën ish-drejtori i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, shkrimtari Agron Tufa.

I referohemi shembullit të Tufës, jo vetëm pse ai shkaktoi tërbimin dhe përbetimet e xhindosura të pushtetit të etërve, por për shkak se denoncimet dhe demaskimet e tij u bënë institucionalisht, në bazë të ligjit, pa kompromis. Edhe pse, për fat të keq, në një përballje të vetmuar, pa mbështetje. Përveçse një shërbim i shquar në dobi të atdheut dhe shoqërisë, konfrontimi i tij ishte dhe një test që nxori në pah shumë gjëra, të cilat na dukeshin të pagjasa. Ndër to dhe faktin sa e ngulfatur, sa e strukturuar dhe sa perfide është trashëgimia totalitare e diktaturës së etërve dhe se si me po atë lëndë po gatuhet diktatura e re e pinjojve.

«Thuaje të vërtetën dhe shko e mbyllu për gjak»

Kështu thotë një proverb i trevës verilindore nga vjen Agroni. Përmes Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit Agron Tufa dëshmoi shkallën gjenocidale të përndjekjes së qytetarëve gjatë diktaturës, luftën e klasave dhe gjyqet e inkuizicionit komunist (me mbi 100 volume studimore, lëndë arkivore, dëshmi memuaristike, albume dhe projekte enciklopedike, filma dokumentarë, mësime të hapura nëpër gjimnaze e universitete etj). Por kur strategjia e përhapjes së dëshmive dhe krimeve të komunizmit nisi të shtrihej në media, për publikun e gjerë, atëherë pushteti e harroi detyrën ligjore që ai përfaqësonte dhe u përpoq t’i mbyllte gojën me kërcënime, shantazhe e shpifje në stilin e njohur të skenarëve të ish-sigurimit.

Edhe më parë debatet publike që kishte shtruar Tufa kishin sjellë shqetësim e acarim të elitave nostalgjike të diktaturës, të lidhura natyrshëm me pushtetin e sotëm të pinjojve. Kujtojmë debatet e tij publike për implikimin e shkrimtarëve të sistemit me organet e drejtësisë komuniste në dënimin apo pushkatimin e poetëve; debatin e acaruar për shfaqjen e pandërprerë të filmave dokumentarë e artistiko-propagandues të kohës së komunizmit; debatin për muzealizimin e burgjeve dhe kampeve të vdekjes me tela me gjemba (kampin e Tepelenës) etj.

Por përballjen më të ashpër e më të pabarabartë me figurat e larta të pushtetit dhe parlamentit shënon pikërisht fundi i vitit 2018 dhe gjithë viti 2019 kur Agron Tufa guxoi të ndërmerrte operacionin ligjor të evidentimit të ish-oficerëve të Sigurimit famëkeq të diktaturës, që kishin mbushur institucionet më të larta demokratike të shtetit. Me një shkresë të bazuar në ligjin mbi transparencën dhe të drejtën e informimit, Tufa e nisi fushatën e evidentimit të ish-shefave të sigurimit nga parlamenti e ministritë, deri në institucionet shtetërore të rëndësisë së veçantë. Tufa hyri kësisoj në një përballje të pakompromis me majën e trashëgimisë komuniste në pushtet, duke pasur me vete aleat vetëm ligjin.

Në këtë periudhë Tufa bën të parin kallëzim penal zyrtar në Shqipëri pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda për «krime kundër njerëzimit» në adresë të Edmond Cajës, ish-shefit të policisë së kamp-burgut politik të Qafë-Barit (kallëzim të cilin e pushoi kreu i SPAK Arben Kraja në dhjetor 2019, sapo u zgjodh në detyrë). Këtë Tufa e dubloi dhe me një kallëzim penal në gjykatën e Mynihut, në rrethinat e të cilit ushtron biznesin ky ish-xhelat i burgjeve komuniste.

Reagimi i pushtetit erdhi vetëm pas 4 muajsh, më 1 prill 2019, nga salla e Komisionit të Ligjeve në Kuvend, përmes ish-gjykatësit ushtarak të diktaturës, ligjvënësit Spartak Braho, pasi kishin gjetur tashmë një pretekst, që të mos kishte të bënte me çështjen e pranisë së dendur në institucionet e shtetit të ish-oficerëve të Sigurimit. Preteksti qe kërkuar me sforcim të madh në botimet e ISKK të vitit 2014 në librin studimor «Krimet e komunistëve gjatë luftës (1943-1945)». Qe gjetur «hedhja baltë mbi luftën e lavdishme nacionalçlirimtare», që e patën udhëhequr Dushan Mugosha, Miladin Popoviçi dhe çiraku i tyre Enver Hoxha.

Miti i «luftës së shenjtë» dhe fushata e linçimit kundër Tufës

Braho, Brokaj, Bare, deputetët, ish-ministrat e ish-diplomatët – besnikë e nostalgjike të enverizmit – nuk mund të dilnin në mënyrë tepër të trashë kundër narrativës së Agron Tufës mbi çmontimin e ish-Sigurimit nga politika dhe institucionet e sotme, të cilat duhet të jenë demokratike. Kjo duhet lënë në heshtje. Por ama mund ata mund ta shajnë e ta anatemojnë, ta kërcënojnë e ta shantazhojnë Tufën (siç ngjau) në emër të luftës, mitit të shenjtë themelor të komunistëve, ndonëse të fryrë me propagandë e gënjeshtra. Luftë, të cilën komunistët e patën degraduar në «luftë civile», terror e ekzekutime pas shpine të figurave më të shquara intelektuale.

Kështu, në narrativën e tyre nuk kumboi asnjëherë asgjë mbi të cilën e kishte vënë theksin Tufa: Kush është e kaluara e secilit në politikën e sotme? Kush i udhëheq Gjykatat, Prokurorinë, Shërbimin Informativ Kombëtar, strukturat e Policisë së shtetit? Kush janë ministrat? Kush janë deputetët, të kaluarat e secilit aktor në këtë maskaradë? Si erdhën? Kush i solli? Ç’përfaqësojnë? Kujt i shërbejnë? A është e ligjshme? Çfarë garancie morale na japin këta njerëz të implikuar me krimet e diktaturës? A e ka problem higjiena e tyre morale të bashkëpunojë sot me krimin shtetëror, me trafiqet dhe korrupsionin?

Fushata e fyerjeve, shpifjeve, kërcënimet e përsëritura me vdekje për Tufën dhe familjen e tij, që filloi nga 1 prilli 2019 zgjati edhe pas largimit të tij familjar në azil politik në Zvicër. Tufa veproi deri në fund institucionalisht: kërkoi drejtësi nga instancat e pushtetit në Kuvend, në prezencën e OSBE, ndërkohë që bëri pesë padi dhe kallëzime penale. Organet proqeveritare të drejtësisë luajtën farsën e tyre dhe në fund të gjitha këto padi e kallëzime u pushuan ose u mbyllën kundër tij. Një muaj para largimit nga Shqipëria, Agron Tufa mori kërcënime të reja me vdekje, ndaj iu drejtua me një letër dhjetë ambasadave të vendeve më të rëndësishme perëndimore për të kërkuar mbrojtje prej tyre.

Sigurisht, ndjeshmëria e dhembshuria e ambasadave te ne, dihet që rezervohet vetëm për pushtetin e Ramës dhe Rilindjes. Duke mos pasur asnjë garanci për jetën dhe mes një fushate të pabarabartë shpifjeje e përbaltje, pikërisht nga ata që kishin qenë ekzekutorë të vendimeve me vdekje për qytetarët gjatë diktaturës, Tufa u largua përfundimisht nga atdheu në kërkim të azilit politik.

Siç kemi pasur rastin ta shohim, pas largimit, veprimtaria e tij për demaskimin e personaliteteve politike e publike që ishin, sipas shprehjes së tij «foljet ndihmëse të diktaturës», ka vazhduar pa kompromis, me një ritëm edhe më intensiv. Publikimi i dokumenteve arkivore që dëshmojnë pseudonimet e spiunëve të Sigurimit të shtetit për kryetarin e sotëm të Parlamentit shqiptar, Gramoz Ruçit («Cigarja») dhe të shkrimtarit socrealist sigurims, Nasho Jorgaqi («Dragoi»), kanë pasë një jehonë të paharrueshme mediatike.

Përbetimi i ligjvënësve për hakmarrje ndaj Tufës edhe në Zvicër

Veglat e ish-diktaturës komuniste, Sigurimi dhe organet e drejtësisë (hetues gjyqtarë, prokurorë), që me ardhjen në pushtet të Rilindjes janë instaluar në krye të institucioneve më të larta të shtetit, deri në parlament, nuk do ta falnin Agron Tufën po të qëndronte në Shqipëri dhe akoma më fort, nuk do ta falnin nëse ai, papritur, nga ndonjë kapriço e fatit do të vendoste të kthehej në atdhe. Kërcënimet me vdekje ndaj tij, familjes dhe avokatit, herë me mesazhe anonime e pas ikjes së tij, hapur, publikisht, përmes shtypit, tashmë jo nga anonimë apo persona privatë, por nga krerë të rëndësishëm të pushtetit (ligjvënës, ish-ministri i Mbrojtjes dhe një ish-zëvendësministër i diktaturës së viteve 1980), tradhtojnë nervozimin dhe mllefin e grumbulluar ndaj Tufës, i cili shpërtheu në përbetime ekstreme. Ata përbetohen se «nuk do lëmë gur pa lëvizur, unë i pari, po dhe të tjerë përmes meje, do të bëjmë çmos deri sa ta gjejmë edhe në vrimën më të fundit ku është fshehur atje në Zvicër…» (S. Braho dhe S. Brokaj në numrat e gazetës Dita të 4-5 dhjetorit 2019).

Ose «Ne do të bëjmë të pamundurën, në rrugë zyrtare e jozyrtare përmes ambasadave tona në Tiranë dhe Bernë për t’ia bërë të pamundur qëndrimin atij, jo vetëm në Zvicër, por në të gjitha vendet e Europës» (Brokaj, Dita, 5 dhjetor 2019). Ndërsa ish-ministri i Tregtisë së Brendshme të diktaturës, e kishte edhe më «origjinal» përbetimin: «Nëse Agron Tufës do t’i jepej dënimi i merituar me vdekje, unë do të dilja i pari vullnetar që t’i jepja plumbin ballit».

Më ka bërë përshtypje një intervistë në emisionin e gazetarit Denis Dyrnja në «Top-Talk» («Top Channel»), më 29 prill 2019, kur njëri prej epigonëve të Spartak Brahos, bejtexhiu enverist i gazetës «Dita» Arben Duka, zbuloi padashje një skenar tipik sigurims ndaj Tufës. Pasi e quajti Tufën «një terrorist islamik, i cili falet 7 herë në zyrën e shtetit», ai bëri një pohim të këtillë: «Agron Tufa ka hyrë në gjak me 28 mijë dëshmorë, me gjithë Shqipërinë. Ne nuk marrim përsipër çfarëdo që mund t’i ndodhë atij. Ai gjithë jetën do të mbetet i frikësuar me kokën pas». Pra, nëse do të vinin në jetë planin e tyre për eliminimin e Tufës, ustallarët e Sigurimit përreth Brahos e Co e kishin parapërgatitur tashmë alibinë. Si duket largimi i (pa)pritur i Tufës ua paska prishur planet, andaj patën atë shpërthim përbetimesh patologjike në shtyp.

Agron Tufa i ka llogaritë e hapura me restauruesit e diktaturës së bijve

Me publikimet e reja nga azili, Tufa na vërtetoi bindshëm, përmes dokumentash e aktesh origjinale, se pushteti politik i rilindjes mbështetet në veglat e ish-Sigurimit dhe drejtësisë komuniste; se organet e reja të drejtësisë, që kaluan procesin trevjeçarë të vetingut janë kalkuluar për të sjellë në SPAK apo KLP gjykatës, hetues apo prokurorë të diktaturës që kanë dhënë dënime politike; se institucionet përgjegjëse për dëshminë e pastërtisë së figurës (AIDSSH dhe DSIK) ishin të lidhur e të mbushur vetë me ish-oficerë të Sigurimit; se SHISH, Policia e Shtetit, Akademia e Policisë, të gjithë gëlojnë nga ish-shefat e sigurimit, ish-kolegë mes vedi, tok me gratë e tyre që shërbejnë në këto institucione.

Agron Tufa na tregoi bindshëm, se koka e këtij «oktapodi» gjendet në krye të parlamentit shqiptar dhe se kryeministri e ndjen tepër familjare mbështetjen e tyre. Instalimi i kësaj mizërie të policisë politike të diktaturës nuk është fare i rastësishëm: ata janë thjesht ish-kolegët e Ruçit.
Por nëse qëndrimi i Agron Tufës në Shqipëri do të kishte pasoja fatale për jetën (duke pritur drejtësi prej po atyre «foljeve ndihmëse të diktaturës» që ai demaskonte publikisht, në bazë të detyrës së tij), atëherë një kthim i tij eventual në atdhe, pas zgjerimit të fushës së luftës së tij kauzale, do të shënonte likuidimin më se të sigurt fizik të tij dhe të familjes. Pas përbetimeve publike të krerëve me pushtet absolut, kthimi i tij në Shqipëri do të ishte i barabartë me tragjedinë dhe veprën e pandreqshme të vdekjes.

Agroni nuk duhet t’i dëgjojë këshilltarët e tij të këqij, që e tundojnë të kthehet. Çdo kapriço tjetër e fatit që do ta sillte në Shqipëri, do të sillte të njëjtin përfundim: hakmarrjen e përgjakshme ndaj tij dhe familjes. Një përfundim të tillë e nxjerr qoftë dhe mendja më e rëndomtë, që e njeh pushtetin absolut të «qenve që janë zgjidhur nga zinxhiri i diktaturës» (siç i pëlqente të shprehej vetë Tufës). Edhe pse është larg, ekziston, është bërë publike një etje hakmarrëse për të bërë Tufën një shembull ilustrues për këdo tjetër që do të ndiqte kurajën e tij.

Agron Tufa i ka lënë vetes shumë llogari të hapura hakmarrjeje, ndër të cilët përmendim: kryetarin e parlamentit me pushtetin e tij politik apo të bandave që ai ka pas vetes; kreun e SPAK-ut Arben Kraja, për të cilin Tufa dëshmoi përmes dokumentave që ai ka qenë hetues i diktaturës dhe ka dhënë dënime politike; me Këshillin e Lartë të Prokurorinë (kujtojmë publikimin e pseudonimit «Venusi» për ish-spiunin, mandej hetuesin e diktaturës Bujar Sheshaj – sot anëtar i këtij Këshilli); me Policinë e shtetit (për publikimin e dokumentave të një sërë shefash e drejtorësh si Nikollë Rica, Albert Dervishaj, Xhavit Shala, Gani Zeneli etj.); me DSIK (për publikimin e dokumentave të ish-operativëve të sigurimit, që sot drejtojnë zyrat e Vetingut); me SHISH, për të njëjtat arsye, e madje dhe me Shtabin e Forcave të Armatosura, për praninë në poste të larta dhe aty të 10 ish-oficerëve të sigurimit; për publikimin e akteve të dënimeve me vdekje dhe me dënime politike të deputetit ligjvënës Spartak Braho e për shumë figura të tjera të larta drejtuese institucionesh, pa përfshirë këtu figura publike shkrimtarësh.

Këta njerëz të pushtetshëm, ish-vegla të diktaturës më parë dhe sot mjeshtra të korrupsionit shtetëror, me të gjitha fuqitë e pushteteve që kanë, pa opozitë, nuk do ta tolerojnë kurrë faktin e dekonspirimit publik të së kaluarës së tyre, prandaj me rastin më të parë do të hakmerreshin, duke hartuar skenarët e një loje zbavitjeje sadiste, deri në likuidimin fizik të tij e të familjes.

Agron Tufën dhe familjen e tij nuk do ta mbronte askush, nuk do ta shpëtonte askush, pse ai, duke luftuar pa kompromis për kauzën e pastrimit të shoqërisë nga trashëgimia totalitare ka bërë armiq të shumtë e të fuqishëm jo vetëm majtas në spektrin e politikës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat