Shpërthejnë ujërat e zeza, banorët të shqetësuar: Dimër-verë nuk na ndahen

Shqipëria

Shpërthejnë ujërat e zeza, banorët të shqetësuar: Dimër-verë nuk na ndahen

Më: 1 mars 2021 Në ora: 13:58
Ujërat e zeza kanë dalë në sipërfaqe, për shkak të mungesës së investimeve në kanalet nëntokësore

Kjo është pamje e hyrjeve të pallateve ngjitur me bulevardin “Gjergj Fishta” në lagjen “Varosh” të qytetit të Lezhës.

Ujërat e zeza kanë dalë në sipërfaqe, për shkak të mungesës së investimeve në kanalet nëntokësore.

Qytetarët thonë se jetesa në këtë bllok pallatesh është bërë e vështirë.

“Këtu ujërat e zeza janë problem i madh,  dimër-verë ne nuk na ndahen,” thotë një banor.

“Kanë 30 vjet ujërat e zeza këtu. Kemi hapur dritaret të ajrosemi, asgjë. Më shumë hynte erë e keqe.”

Thonë se janë ankuar në Bashkinë e Lezhës, por nuk ka pasur ndërhyrje serioze.

“Boll jemi ankuar, 1000 herë. Askush nuk ka marrë masa,” thotë banorja.

Ujërat e zeza në sipërfaqe shqetësojnë banorët për shkak të kërcënimit për sëmundje.

“Shëndeti është në rrezik, shiko çfarë kolere kemi.”

“Shumë rrezik, s’ka burrë nënë që hyn brenda prej erës së qelbur,” thotë një banore.

Mësohet se problematika krijohet nga ngarkesa që ka rrjeti i kanalizimeve si shkak i ndërtimeve të shumta që janë bërë gjatë viteve të fundit, ndërsa qytetarët ankohen edhe për mungesën e ndriçimit, dhe rrëshqitjeve të gurëve.

“Dritat, ndriçimin këtu i vjedhin. I kanë rrëzuar në kanal dhe i kanë vjedhur. Gurët bihen prej malit, do mbysin ndonjë fëmijë, se të na mbysin ne të mëdhenjtë, ja bëftë Zoti hallall gurit. Në majë të kokës e duam ne gurin,” thotë banorja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat