A iu helmua babai prokuror? Flet kandidatja e PS-së: Ka shumë që e thonë, por mendoj se jo

Shqipëria

A iu helmua babai prokuror? Flet kandidatja e PS-së: Ka shumë që e thonë, por mendoj se jo

Më: 3 mars 2021 Në ora: 16:26
Albana Hana

Albana Hana është kandidatja e PS-së për deputete në zgjedhjet e 25 prillit. Ajo është e bija e ish-prokurorit Xhevat Hana, i cili vdiq në vitin 2012. Vdekja e tij ngriti disa dyshime, pasi Hana ishte një nga prokurorët që po hetonte edhe për dosjen e zhdukjes së biznesmenit Remzi Hoxha.

Familja e prokurorit të ndjerë aludonte se mund të ishte helmuar në atë kohë dhe jo për shkak të një sëmundjeje të pashërueshme siç është raportuar zyrtarisht.

Albana Hana e ftuar në emisionin Top Talk të gazetarit Denis Dyrnjaja deklaroi se raporti zyrtar i mjekëve italianë ishte se vdekja erdhi për shkak të sëmundjes që kishte babai.

“Unë e kam thënë edhe herën tjetër, të shikojmë dhe konfiguracionin dhe të duam të bisedojmë, për momentin duam t’i qëndrojmë besnik një raporti zyrtar italian që thotë se ishte i sëmurë dhe sëmundja e tij ishte e identifikuar”, tha kandidatja Hana.

Por a do të kërkonte rihetim nëse ka të dhëna ndryshe nga sa thotë raporti italian? “Nëse ka tregues të besueshëm, sepse dhe sot dalin e thonë se është helmuar dhe kaq. Unë nuk e besoj se është helmuar”, shtoi Hana.

Albana Hana është kandidatja e PS-së për qarkun e Elbasanit, do të përfaqësojë zonën e Përrenjasit, ku është edhe vendlindja e babait.

Para se të transferohej nga Prokuroria e përgjithshme në fund të vitit 2007, i ndjeri Xhevat Hana ishte përfaqësuesi i akuzës shqiptare për dosjen korruptive të rrugës Durrës-Kukës. Gjithashtu Hana ishte edhe prokurori i dosjes tjetër, atë të rrëmbimit, torturimit dhe zhdukjes pa gjurmë të Remzi Hoxhës, çështje që ka implikuar direkt Shërbimin sekret të viteve ‘90, të drejtuar nga Bashkim Gazidede. Madje ishte pikërisht Hana që kërkoi ekstradimin e Ilir Kumbaros nga Anglia.

Xhevat Hana ishte një nga prokurorët më të njohur të Shqipërisë, me një karrierë të gjatë në drejtësi, për disa kohë dhe si këshilltar i presidentit Alfred Moisiu. Gjatë vitit 2011 ai qëndroi i shtruar për një kohë të gjatë në një spital publik të Tiranës, por familjarët u detyruan ta transportonin në Itali për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, ku edhe ndërroi jetë në 5 janar 2012.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat