Taksa progresive apo e sheshtë?

Shqipëria

Taksa progresive apo e sheshtë?

Më: 4 mars 2021 Në ora: 00:00
Ilustrim

Partia Demokratike premton se me ardhjen e saj në pushtet do të vendosë taksim të sheshtë me 9%, kurse nga ana tjetër Partia Socialiste thotë se në mandatin e saj të tretë do të rrisë progresivitetin.

Sipas ish-zëvendësministrit të Financave Elton Haxhi, barra e tatimit mbi të ardhurat personale është regresive nëse aplikohet taksa e sheshtë e propozuar nga PD-ja.

Ndërsa për taksimin e PS tha se ajo ka pasur një farë tolerimi për ata që përfitojnë më shumë pasi kurba nuk ka qenë progresive.

“Nëse bën krahasimin me një drejtues banke që merr 1,5 milionë lekë me një punonjës të mesëm që merr 150 mijë lekë, pra sa 1/10-ta e tij, [nëse aplikohet taksa e sheshtë 9%] punonjësi paguan në përqindje [taksë] më shumë se sa ky [drejtori] që merr 10-fishin e tij”, – u shpreh z. Haxhi duke pretenduar se taksa e propozuar nga PD është regresive për kontributet në arkën e shtetit.

Por, këshilltari i kreut të Partisë Demokratike për ekonominë, Dorian Teliti kundërshtoi duke thënë se taksa do të jetë e pandryshueshme 9% për të gjithë.

“Nga do që ta kthejmë, qytetarët e shohin se angazhimi i Lulzim Bashës dhe opozitës së bashkuar për uljen e taksave është një realitet. Pra që nesër qytetarët shqiptarë do të paguajnë më pak. Nuk është e vërtetë që taksa e sheshtë është regresive sepse z. Harxhi ka marrë sigurime shoqërore që është edhe sot taksim i sheshtë, 24.5%, i ka shtuar edhe taksimin progresiv, pra dy modele të ndryshme dhe e krahason me modelin tonë që është si në sigurimet shoqërore e sheshtë dhe tatimin mbi të ardhurat i sheshtë. Pra ka marrë një mollë dhe një dardhë dhe i krahason me dy mollë, gjë që krahasimi nuk bëhet”, tha z. Teliti.

Ndërsa eksperti Azmi Stringa tha se PS nuk ka pasur një taksë të pastër progresive, të njëjtën gjë tha se premton edhe PD jo një taksë të sheshtë për të gjithë, duke i cilësuar këto sisteme taksimi si hibride.

“S’kemi pasur taksë progresive në Shqipëri, ka qenë e fragmentarizuar vetëm te pagat, dhe që nxiti shumë problematika që u deshën 8 vjet për ta sistemuar. Edhe PD-ja që u rikthye tani, taksën e sheshtë nuk e ka si e kishte në vitin 2013-të, sepse përjashtimin 0-30 mijë lekë e mban akoma, ndaj këta janë përshtatur këtij sistemi dhe tani jemi në një sistem hibrid,” – u shpreh z. Stringa, i cili ishte i mendimit se duhet futur si kulturë qytetare vetë-deklarimi i të ardhurave.

Stringa tha se PS tregoi hipokrizi për sa i përket politikës për çmimin e energjisë elektrike duke hequr progresivitetin dhe duke vendosur një çmim të sheshtë, ndërsa PD-ja kvrkon ta kthejë sërish. Ky koment nxiti replika me ekspertin e PD-së Dorjan Teliti.

Nga ana tjetër, gazetari Fatos Çoçoli thotë se Shqipëria duhet të aplikojë një “martesë” mes modeleve të taksimit.

“Ne na duhet si vend një martesë mes taksës progresiste dhe taksës së sheshtë. Përshembull për ata që janë intelektualë, që e kanë shumë të fortë atë [taksën] 23% sot dhe realisht shtresa e mesme të dikton konsumin në vend shumë mirë nëse bie dhe kalon në 15%”, tha Çoçoli.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat