“Largimi i Kalos nga komiteti i vonuar” Muka: Situata është lënë në dorë të qytetarëve, ka shkaktuar shumë viktima

Shqipëria

“Largimi i Kalos nga komiteti i vonuar” Muka: Situata është lënë në dorë të qytetarëve, ka shkaktuar shumë viktima

Më: 4 mars 2021 Në ora: 21:45
Taulant Muka

Epidemiologu Taulant Muka i ftuar në RTV Ora ka thënë se vendimi i largimit të mjekut Tritan Kalo nga Komiteti i Ekspertëve ishte i vonuar.

Muka ka shtuar se uron që kjo dorëheqje të jetë edhe si reflektim për anëtarët e tjerë të komitetit, të cilët sipas tij janë komitete politike. Mjeku ka shtuar më tej, duke thënë se masat covid janë lënë në dorë të qytetarëve, gjë që ka shkaktuar shumë viktima.

Muka: E shikoj si një akt të vonë të profesor Kalos, edhe pse ai ka reaguar edhe më parë, por nuk është kurrë vonë që të japësh dorëheqje. Uroj që kjo dorëheqje nga profesor Kalo të jetë një reflektim edhe për ata anëtarë të tjerë të Komitetit.

-A kanë këllqe anëtarët e tjerë të reflektojnë?

Muka: Kjo tregon karakterin përgjithësisht të komiteteve në Shqipëri që janë krye këput politik. Në këtë kontekst është një komitet që nuk është se na ka dhënë ne një dritë shkencore epidemiologjike që të ketë menduar ndryshe nga qeveria.  Shumë komitete shkencore në botë mendojnë ndryshe nga qeveria. Kurse komiteti ynë asnjëherë nuk mendon ndryshe, mendon atë që thotë qeveria. E shoh shumë të frikshme, sepse për shembull komiteti shkencor duhet të ishte i alarmuar që ka 6000 vdekje në Shqipëri, vetëm 1500 vdekje ka pasur covid. Çfarë ka ndodhur me këto 4500 ndërrime jetësh. Qytetarët shqiptarët duhet të kishin transparencë për këtë gjë dhe komiteti duhet të ishte i pari, sepse në këtë mënyrë mësonte edhe se sa përqind e popullatës mund të ishte infektuar.

– A duhet të ketë alarmim për numrin e lartë të vdekjeve në muajt që lamë pas? A rrezikojmë një mbyllje të dytë?

Muka: Habitem që Shqipëria apo qeveria nuk është e pritur për këtë gjendje të vdekjeve në periudhën janar dhe shkurt.  Nëse kthehemi pas gripi, numrin më të lartë të personave që kërkonin shërbime spitalore ishte janari dhe shkurti. Më ngrohjen e temperaturave vjen edhe ulja e infeksioneve. Në Shqipëri jeta është thuajse normale. Menaxhimi i situatës covid është vetëm vendosja e maskave në ambientet e jashtme, ambiente të cilat janë më pak rrezik për përhapjen e infeksionit. Ndërkohë që shkon në ambiente brenda dhe askush nuk të kërkon maskë. Aq është menaxhimi i situatës covid dhe bllokimi pas orës 10. Kjo në besimin tim është skandaloze, sepse qeveria duhet të edukonte bizneset dhe popullatën për respektimin e masave kur shkojnë në bare dhe restorant, për limitin e numrave të personave që shkojnë në bare dhe restorante. Kur baret kanë ambiente të jashtme ti shfrytëzojnë ato. Në këtë aspekt është lënë në rënie të lirë, në dorë të qytetarëve. Ka kushtuar jashtëzakonisht shumë jetë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat