I drejtoi armën policit teksa kërkohej për vrasje, gjykata dënon Orges Bilbilin

Shqipëria

I drejtoi armën policit teksa kërkohej për vrasje, gjykata dënon Orges Bilbilin

Më: 11 mars 2021 Në ora: 09:10
Orges Bilbili

Gjykata e Tiranës ka dënuar me 5 vite burg Orges Bilbilin, i akuzuar se kanosi me armë një punonjës të Policisë, ngjarje e ndodhur më datë 10 prill 2020.

Seanca për dhënien e vendimit u zhvillua ditën e djeshme, ndërsa ndaj Bilbilit ishin ngritur akuzat për “Kanosje” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Orges Bilbili u kap në rrugën “Sitki Çiço” në Porcelan, kur efektivi i Policisë i kërkoi një dokument identifikimi dhe autorizimin për dalje në kuadër të rregullave që ishin dhënë pas rënies së pandemisë.

Por Bilbili, i cili atë kohë rezultonte i shpallur në kërkim për vrasje në qytetin e Lushnjës, iu shmang dhe i nxori armën efektivit.

Ky i fundit iu kundërpërgjigj duke e qëlluar dhe e la të plagosur në këmbë.

Paralelisht, Orges Bilbili po gjykohet edhe nga GJKKO për masakrën e Lushnjës, së bashku me Anterio Kaloshin dhe Laert Haxhiun, i cili nuk është kapur ende.

AKUZAT PËR MASAKRËN E LUSHNJËS

Policia e Shtetit në muajin korrik të vitit të kaluar deklaroi zbardhjen e njërës nga ngjarjet më të rënda të ndodhura në qytetin e Lushnjës vitet e fundit.

Policia njoftoi dje se ka zbardhur ekzekutimin e dyfishtë të ndodhur në vitin 2017, në Lushnjë, ku mbetën të vrarë me armë zjarri Zamir Latifi, 23 vjeç dhe Jurgen Hoxha, 22 vjeç, si dhe u plagos Marjus Xhepexhiu.

Në njoftimin zyrtar Policia tha se nga hetimet e kryera u bë i mundur dokumentimi i ngjarjes së ndodhur në datën 11 tetor 2017, në lagjen “Loni Dhamo”, Lushnjë, ndërsa ditën e djeshme u organizua operacioni i koduar “Sarava”, duke identifikuar tre autorët e dyshuar.

Ata janë Laert Haxhiu, 28 vjeç, banues në lagjen “Loni Dhamo”, Lushnjë, i dënuar më parë me 18 vite burgim për veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prishja e qetësisë publike”, si edhe me 3 muaj burg për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”, i shpallur në kërkim.

Orges Bilbili, 30 vjeç, banues në lagjen “18 Tetori”, Lushnjë, i dënuar më parë me 7 vjet e 4 muaj burgim për veprën penale “Trafik narkotikësh”; Anterio Kaloshi, 29 vjeç, banues në lagjen “Loni Dhamo”, Lushnjë, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka caktuar më parë masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim, i shpallur në kërkim.

Orges Bilibili, për të cilin u bë ekzekutimi i vendimit të datës 25 korrik 2020 në Institutin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Tiranë, ndërsa për shtetasit Laert Haxhiu dhe Anterio Kaloshi janë ushtruar disa kontrolle ambientesh, por nuk është bërë e mundur gjetja dhe kapja e tyre.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat