Pavarësisht apelit të ambasadores amerikane, Tom Doshi regjistrohet si kandidat në 25 prill!

Shqipëria

Pavarësisht apelit të ambasadores amerikane, Tom Doshi regjistrohet si kandidat në 25 prill!

Më: 18 mars 2021 Në ora: 15:00
Tom Doshi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi dje që të miratojë listën shumemërore të Partisë Social-Demokrate. Kryesues i listës së kësaj force politike në Shkodër dhe në Tiranë është kryetari i PSD-së, Tom Doshi.

Ky i fundit pak kohë më parë është përmendur me emër nga ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke bërë thirrje që të mos bëhet pjesë e zgjedhjeve. Më 8 shkurt pas disa paralajmërimesh për kryetarët e subjekteve politike se do të mbanin përgjegjësi për kandidatët që do vendosnin në listën e kandidatëve, ajo ripostoi vendimin e sekretarit amerikan të Shtetit ku shpallte z. Doshi dhe familjen e tij “non grata”. Këtë ripostim në “Twëitter” kryediplomatja amerikane e shoqëroi me shënimin: “Ndërsa autoritetet zgjedhore të Shqipërisë përgatisin zgjedhjet, ia vlen të kujtohet ky emërim, i bërë nga sekretari i Shtetit i SHBA-së pas shqyrtimit të kujdesshëm të informacionit. Me siguri, votuesit e Shqipërisë meritojnë më mirë”, shprehej Kim.

VENDIMI

Por, në mbledhjen e djeshme të KQZ-së sekretari i Përgjithshëm i KQZ-së, Ylli Merkaj, në relatimin e tij tha se KQZ-ja ka verifikuar formularët e dekriminalizimit të kandidatëve të PSD-së, si dhe kërkoi informacion nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Pas verifikimit të tyre, Merkaj tha se asnjë nga kandidatët e PSD-së, përfshirë edhe Tom Doshin, nuk ndodhej në kushtet e ndalimit të kandidimit. “Partia SocialDemokrate është regjistruar në KQZ për zgjedhjet e 25 prillit dhe ka paraqitur pranë KQZ-së listën shumemërore. Nga verifikimi i bërë nga KQZ-ja rezulton se kandidatët janë në përputhje me ligjet shqiptare. Asnjë prej deputeteve nuk kanë deklaruar të dhënat që janë në subjekt i ligjit të dekriminalizimit. KQZ-ja ka kërkuar informacion edhe nga Drejtoria e Burgjeve dhe në bazë të informacionit të ardhur, asnjë nga kandidatët e listës së PSD-së nuk ndodhet në kushtet e ndalimit të kandidimit”, tha Merkaj, dje në mbledhjen e KQZ-së.

REAGIMI

Përpos përfaqësuesve të PSD-së dje në mbledhjen e KQZsë ishte edhe përfaqësuesi i PD-së, Ivi Kaso. Ky i fundit nuk ishte dakord me vendimin e KQZ-së dhe në fjalën e tij Kaso argumentoi se vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit për shpalljen “non grata” të kandidatit Tom Dhoshi dhe familjes së tij është e barasvlershme me dëbimin nga një shtet. Dëbimi nga një shtet është një vendim penal që ligji shqiptar i dekriminalizimit e parashikon dhe në bazë të këtij arsyetimi, sipas Kasos, z. Doshi nuk duhej regjistruar. “Prisja një reagim nga PS-ja për këtë rast,, por meqë nuk ka po vijoj duke thënë se ne si PD e kemi bërë publik qëndrimin tonë. Është një qëndrim që shkon në vijën e ligjit të dekriminalizimit. Kemi të bëjmë në një rast të pastër ku kandidati për deputet ka një vendim që barazohet me vendimin e dëbimit dhe barazohet me vendimin penal”, tha Kaso, dje në mbledhje. Më tej gjatë mbledhjes, kreu i KQZ-së, Celibashi, është shprehur se për të gjitha këto raste që ka indicie të tjera publike, KQZ-ja do të bëjë verifikim të thelluar si dhe do t’i kërkohet prokurorit të Përgjithshëm që të japë informacione dhe të dhëna shtesë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat